Fiken dritat për “Ditën e Tokës”, në errësirë grataçelat aziatike, Kremlini rus, Koloseu e Kulla Efel
Të shtunën, vende të ndryshme të botës kanë çuar vëmendjen te nevoja për mbrojtjen e mjedisit por edhe te rreziqet e aktivitetit njerëzor. Me rastin e “Ditës së Tokës” u fikën dritat për një orë dritat në pikat më të njohura.
Të gjitha kontinentet e shënuan të shtunën “Ditën e Tokës” duke fikur dritat.
Eventi sensibilizues për ndikimin që njeriu ka në mjedis nisi nga Azia dhe u shtri deri në Amerikë.
Grataçelat e Singaporit dhe Hong-Kongut u zhytën të parat në errësirë në orën 8:30 të mbrëmjes, njësoj si ndërtesa e Operës në Australi apo Sheshi i Kuq me Kremlinin në Rusi.
Në Britaninë e Madhe, nismës iu bashkuan edhe ndërtesa e parlamentit dhe Syri i Londrës.
Kulla Eifel në Paris po ashtu ndërpreu në mënyrë progresive energjinë në tri katet e veta, por pak njerëz mundën ta shihnin për shkak të orarit policor që nis në orën 19:00.
Në Romë, Koloseu 2-mijë vjeçar ra në errësirë të plotë në orën 20:30, teksa policia kontrollonte spektatorët për lëvizjen në kushtet e pandemisë.
Muzeu i Rios në Brazil, Obelisku i Buenos-Ajresit në Argjentinë dhe kulla e Kolpatrias në Kolumbi plotësuan eventin në pjesën e Amerikës Latine.
“Dita e Tokës” shënohet që nga viti 2007 dhe këtë vit organizatorët donin të theksonin lidhjen mes shkatërrimit të natyrës dhe përhapjes së sëmundjeve si kovidi-19, nga kafshët te njeriu.
Ekspertët besojnë se veprimtaritë njerëzore, si prerja e pyjeve, shkatërrimi i habitateve të kafshëve dhe ndryshimet klimatike, do të rritin mundësinë e pandemive të tjera në të ardhmen.