“Fillesat e arsimit shqip në Përmet”

 

Publicisti dhe studiuesi Nuri Dragoi, rrëfen zanafillën e arsimit shqip në zonën e Përmetit

Intervistoi: Fran Gjoka

Sapo ka dalë nga shtypi dhe është vënë në qarkullim libri juaj më i ri “Arsimi në Përmet 1912-1944”. Sipas jush ç’vend zë Përmeti në historinë e arsimit tonë kombëtar?

Arsimi përmetar zë vend të rëndësishëm në arsimin kombëtar, pasi në Përmet shkolla shqipe ka gëluar shekuj më parë dhe mbi të gjitha, gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Vëllezërit Frashëri kanë luajtur rol të rëndësishëm në shtrirjen dhe konsolidimin e arsimit shqip. Sami Frashëri e quante mësimin e gjuhës shqipe dhe arsimimin e brezit të ri, përparësinë numër një, për ekzistencën e kombit dhe lulëzimin e tij, krahas kombeve më të vjetër të Europës. Jo rastësisht, Abdyl Frashëri, në gjyqin e inkuizitorëve osmanë, u shpreh se do të ishte i lumtur, nëse e ardhmja do ta quante të dobishme ndihmesën e tij për Shqipërinë. Më vonë, i biri i tij, Mit’hat Frashëri, ndoqi gjurmët patriotike të babait të vet. Ai drejtoi Kongresin e Manastirit dhe ndërmori me dhjetëra veprime të tjera në dobi të progresit shoqëror. Kështu, dalëngadalë, ndërgjegjja kombëtare dëshifroi mesazhet e qarta të kryetrimave të Përmetit dhe i ktheu ato në aksione sublime për hapjen e dyerve të diturisë. Për më tepër duhet thënë se nga treva e Përmetit kanë dalë një armatë e tërë arsimtarësh që dhanë ndihmesë të madhe për zgjerimin e shkollave shqipe, edhe në treva të tjera të vendit. Mësues përmetarë që kanë themeluar shkollën e parë shqipe në Mat e rrethe të tjera. Në vitet 1912-1944, ata i sheh drejtues shkollash në Tepelenë, Fier, Tiranë, Durrës e Kosovë.

 

Merrni në shqyrtim historinë e arsimit nga Rilindja dhe deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore. A keni gjetur gjurmë të arsimit shqip në atë zonë, para Rilindjes sonë Kombëtare?

Natyrisht që ka pasur shkolla shqipe, por jo me alfabet shqip. Po ashtu, në ‘to mungonte fryma kombëtare. Kryesisht pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u tentua të hapeshin shkolla shqipe me frymë kombëtare, pasi idetë e hedhura në lidhje për formimin e shtetit shqiptar, nxitën mendimin intelektual edhe në drejtim të shqiptarizimit të shkollave. Kështu u hapën një sërë shkollash, si në Hotovë, Postenan, Frashër, Përmet etj.. Poeti ynë kombëtar, Naim Frashëri, tentoi të hapte një shkollë private shqipe në Përmet, në vitin 1896. Madje është skeduar një letër e Naim Frashërit, dërguar një funksionari të perandorisë, vendndodhja e të cilit nuk bëhet e qartë. Letra mbante datën 26 qershor 1896 dhe bënte fjalë për arsimin në nënprefekturën e Përmetit. Është e vështirë të kuptohet nëse letrën Naimi e shkruan nga Përmeti apo nga Janina, por është e qartë se, nëpërmjet miqve të tij në Stamboll, ai kërkonte të ndikonte për hapjen e një shkolle shqipe në Përmet. Në tekstin e saj shkruhej: “Ky që të sjell letrën time të përunjtë, Lluka Papa Avrami, dëshiron të çelë në Përmet një shkollë dhe t’i shërbejë vendit e bijve të Atdheut”.

Naimi shprehte pakënaqësinë që shkollat kristiane në Përmet qenë në duar të priftërinjve grekë. Pastaj i kujtonte letërshkruesit përfitimin që kishte shteti prej shkollave private, ndaj e këshillonte, që me këtë rast, të kryente veprimet e duhura ligjore dhe të përpiqej për hapjen e shkollës. Me ndërhyrjen e Naimit u çelën shkolla edhe në Kolonjë, Ersekë, Luaras, Gostivisht, Vodicë, Treskë dhe Selenicë, ndonëse nuk e patën jetën të gjatë, pasi qeveria ndërhyri me forcë për mbylljen e tyre.

Përpjekjet për hapje të shkollave shqipe shiheshin ngado. Në një letër që Mit’hat Frashëri i dërgonte nga Stambolli Pandeli Evangjelit, thuhej se, mësimi i gjuhës shqipe dhe ndjenja kombëtare po përhapeshin edhe në vise të tjera të Shqipërisë, si në Dibër, Vlorë, Skrapar, Gjirokastër, Dëshnicë, Çamëri e Janinë, e cila ishte qendër e vilajetit.Ajo mësohej nën ndikimin e njëri-tjetrit. Sejfi Vllamasi ishte pranuar në konviktin e Idadijes së Edrenesë në vitin 1893, ku kishte mësuar të lexonte dhe të shkruante shqip, i nxitur nga Shahin Kolonja, i cili ishte mësues i tij.

 

 

Ju thoni se shkolla e Frashërit, vendlindjes së pishtarëve të Rilindjes sonë Kombëtare, u hap në vitin 1826 nga Baba Nasibiu, i cili e shkruante gjuhën shqipe me alfabet arab. Si duhet të kuptohet kjo nga lexuesi?

 

Po, është e vërtetë. Në Frashër, për herë të parëshkolla është hapur në vitin 1826 nga Nasibi Babai, i cili e shkruante gjuhën shqipe me alfabetin arab, por flitet edhe për ekzistencën e një shkolle tjetër më të hershme, e cila nuk mbijetoi gjatë. Përdorej alfabeti arab sepse nuk kishte alfabet të gjuhës shqipe dhe në bazë të shqiptimit të shkronjave arabe, shkruheshin fjalët shqip. Nuk përdornin alfabetin grek nga frika e asimilimit. Kështu veprohej dhe në shkollat shqipe në trevat Shkodër e Lezhë, të cilat përdornin alfabetin latin.Në Frashër ka patur edhe shkolla të tjera, të cilat datojnë prej shekujve 18-19-të. Natyrisht, ato kanë qenë të natyrës oborrtare ose kurse të organizuara nga bejlerët për t’u dhënë fëmijëve privatisht shkollimin në gjuhët e kohës, si osmanisht, arabisht apo persisht. Ndërsa pas gjysmës së dytë të shekullit të 19-të rol të madh ka luajtur teqeja bektashiane. Shkollat e Frashërit, ndonëse nuk kishin frymë kombëtare dhe ishin organizuar nga institucionet e huaja, mësimin e gjuhës shqipe e kishin në themel të tyre, pavarësisht nga format që përdoreshin për mësimin e saj. Në teqenë e Frashërit do të vijonte mësimi edhe pas Tahir Skënderasit, nën kujdesin e Jusuf Skënderasit për vitet 1835-1846, dhe pas tij e njëjta rrugë u ndoq nga Baba Alush Kasollari, deri në vitin 1902, kohë në të cilën stafetën e mori Baba Abedin Ibro dhe e përcolli deri në vitin 1913.

 

Përmendni disa fshatra në rrethin e Përmetit, ku gjatë Rilindjes Kombëtare ishin hapur shkolla në gjuhën osmane dhe greke. Cili ishte raporti mes shkollave greke dhe shqipe në atë periudhë?

 

Për kazanë e Përmetit shkollat osmane besohet të kenë filluar në shekullin e 16-të, ndërsa ato në gjuhën greke kanë qenë të lidhura me kishën ortodokse. Me pushtimin e Ballkanit nga osmanët, për shkollimin e të krishterëve Porta e Lartë i la dorë të lirë Patrikanës Ekumenike të Stambollit, ndërsa për mësimin e osmanishtes kujdeseshin institucionet fetare dhe më vonë edhe Ministria Perandorake e Arsimit. Organizimi i shkollave qeveritare në provincë varej nga drejtoria arsimore, ndërsa shkollat greke drejtoheshin nga mitropolitë kishtare. Pra, e drejta e arsimit sigurohej në bazë të përkatësisë fetare, myslimanët duhej të mësonin në shkolla turke dhe ortodoksët në shkolla greke.

Gjurmët e shkollave greke dhe osmane në Përmet ndeshen herët. Sipas dëshmive të Evlia Çelebiut, në vitin 1671 Përmeti ka patur dy shkolla islamike, një mejteb ose shkollë fillore kuranike dhe një të tipit medresé, e quajtur ndryshe shkollë plotore islamike.Por, si mejtebi që zhvillonte mësimin në arabisht, ashtu edhe shkollat në gjuhën greke ishin plotësisht fetare nga programi dhe thellësisht obskurantiste nga përmbajtja. Në fshatra të vegjël e të thellë, ku mungonin priftërinjtë apo ishin të rrallë, nuk kishte shkolla, ndonëse edhe në ato të qyteteve nxënësit mjaftoheshin me leximin e pjesëve fetare nga kodiku dhe psalti, apo me të mësuarit përmendësh të disa fjalëve të urta.Në Përmet, mësimi zhvillohej në manastire, si në Kosinë, Sofrat, Munushtir etj.

Ndërsa shkollat shqipe kanë qenë shumë të rralla. Edhe kur hapeshin mbylleshin menjëherë për shkak të presionit që ushtronte pushteti osman dhe kisha ortodokse greke. Shkollat në gjuhë të huaja kishin ngjashmëri midis tyre sepse ekzistenca e shkollave të tilla lidhej domosdoshmërish me një objekt kulti, xhami apo kishë. Programi mësimor i tyre përmbante elemente që nuk lidheshin aspak me historinë e shqiptarëve. Aty flitej për ngjarje dhe data që kishin të bënin me Stambollin dhe Athinën. Heronjtë ishin ose turq ose grekë. Lënda e historisë zhvillohej në të gjitha klasat e shkollës shtatëvjeçare. Në klasën e parë jepeshin tregime me personazhe kryesorë nga letërsia greke ose turke. Në rastin më të mirë, materialet merreshin nga literatura fetare. Në klasën e dytë zhvilloheshin dhe pjesë nga epoka e historisë greke, turke dhe hebraike. Në klasën e tretë trajtohej historia greke, deri në Luftën e Peloponezit, apo fitoret e sulltanëve. Në klasën e katërt, historia greke e lashtësisë dhe krijimi i shtetit turk. Në të pestën zhvillohej më gjerësisht historia e Greqisë dhe e Turqisë. Edhe kur zhvillohej historia e Romës, bëhej krahasim me ngjarjet e historisë greko-turke. Në klasën e gjashtë flitej për Rilindjen e Greqisë dhe në klasën e shtatë zgjerohej veprimtaria për rilindjen greke apo për bejtexhinjtë e Stambollit, pa folur asnjë fjalë për historinë e shqiptarëve.

Në vitin 1874, shkolla fillore në gjuhën greke kishin disa fshatra, si: Malëshovë, Brezhdan, Buhal, Lipë, Leshicë, Strembec, Zhepë, Radovë, Vlashovë, Meleq, Odriçan dhe Kosinë. Në Leusë qe hapur një shkollë alilodidaktike, e cila mbahej me shpenzimet e kishës. Në disa prej fshatrave të përmendura më sipër, që ishin me popullsi më të madhe, u hapën shkolla alilodidaktike, të cilat mbaheshin me shpenzimet e vetë banorëve, nën kujdesin e mitropolitit që u kushtonte shkollave vëmendjen e duhur.

Shkollat publike qenë të kontrolluara rreptësisht nga ana e shtetit, ndërsa shkollat private ushqeheshin me frymën fetare, në gjuhën zyrtare dhe atë greke, ndërsa shqiptarëve u ishte ndaluar të edukoheshin në gjuhën amtare. Ekzistenca e kombit shqiptar shihej me dyshim jo vetëm prej fqinjëve por edhe nga europianët, me pretekstin se nuk kishte gjuhë të shkruar. Por, siç thoshte Abdyl Frashëri, të gjitha gjuhët janë folur në shekuj e pastaj janë shkruar. Shqipja jo vetëm që ekzistonte, por ishte nga gjuhët më të vjetra në botë. Në maj të vitit 1878, ai deklaronte për gazetën vjeneze “Le Messenger de Vienne”, se kur gjuha shqipe të shkruhej zyrtarisht, shkrimi i saj do të përhapej në gjithë Shqipërinë dhe “do të ketë shkolla shqipe gjithandej. Pas kësaj, grekët dhe sllavët nuk do të kenë shkolla të tyre në Shqipëri” dhe të krishterë nuk do të ndryshojnë kombësi pa dëshirë, siç ndodh tani, “që shqiptarët, duke mos pasur shkolla dhe libra në gjuhën e tyre, janë të detyruar të ndjekin shkolla të huaja”.

Gjithsesi, kur mësimi zhvillohej nga klerikë apo mësues shqiptarë, përcillej dhe ndjenja atdhetare, duke ushtruar në mënyrë të fshehtë gjuhën e folur shqipe, me pretekstin se shërbente për sqarimin e termave të përdorur në tekstet mësimore në gjuhë të huaj. Por ajo shërbente dhe për mësimin e gjuhëve të tjera. Problemi kryesor ishte mungesa e alfabetit. Në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, rilindësit nisën një aksion kombëtar për hartimin e alfabetit të gjuhës amtare. Sami Frashëri hartoi alfabetin e shqipes, që u miratua në pranverën e vitit 1879 dhe më 13 tetor të atij viti, në Stamboll, u themelua dhe “Shoqëria e Shtypshkrimit Shqip”, me kryetar Sami Frashërin. Me këmbënguljen e tij, më 4 gusht 1882, u vendos botimi i fjalorit të K. Kristoforidhit, detyrë të cilën e mori përsipër dega e “Shoqërisë së Shkronjave Shqipe” në Bukuresht.

 

 

Duke qenë se Përmeti shquhet si vend me tradita në fushën e arsimit, a mund të na thoni cilët qenë përfaqësuesit më në zë që dhanë ndihmesë në hapjen e shkollave dhe zhvillimin e arsimit në atë trevë?

 

Në vitin 1778, Zoto Duro hapi një shkollë të re në Përmet dhe më 1785 ai depozitoi në bankën perandorake të Vjenës 40 mijë florinda të argjendta, për të pajisur shkollën me katër mësues. Një kontribuues tjetër ishte dhe Stathaq Duka, i cili pati lënë një testament që u depozitua në arkivat e Mitropolisë së Përmetit. Me të ardhurat e tij jepeshin dy bursa në vit, një për në fakultetin e mjekësisë dhe një për atë të drejtësisë.Prej atij fondi paguhej dhe një shtrat, në një prej spitaleve më me emër të Vjenës, i cili vihej në dispozicion të të sëmurëve që mund të shkonin nga Përmeti. Në vitet ‘30 të shekullit të 19-të, në Frashër qe rritur fryma atdhetare dhe gjuhëdashëse, e cila kishte shërbyer si shkollë për të rinjtë. Në atë kohë kanë qenë nxënës edhe Dalip e Shahin Frashëri, të cilët përdornin shkrimin shqip. Kjo vërtetohet me poemat e tyre fetare. Ndikim të fuqishëm ka pasur dhe vepra e Naim Frashërit, i cili i këndonte me aq dashuri gjuhës amtare. Në fund të shekullit të 19-të, në Frashër u hap dhe një shkollë për vajza, por meqenëse nuk kishte mësues, paria e vendit solli një mësuese arvanitase me emrin Vasilika nga Atika (Greqi), e cila u martua me mjekun Nikolla

Ninka. Alfabeti i përdorur në Frashër gjendej edhe në shkolla të tjera të vendit. Gazeta “Dituria” shkruante se në Manastirin e Shën Gjonit në Elbasan, prapa altarit të kishës ishin gjetur dorëshkrime të një mësuesi me emrin Andrea Pina, që “shkruante me alfabetin e Frashërit si dhe me alfabetin e vjetër të Elbasanit”. Kjo tregon se tradita e Frashërit ishte bërë shembull për kërkimet alfabetike të gjuhës sonë. Mihal Grameno e cilësonte Frashërin vend të bekuar për Shqipërinë, “se andej dolën leçitësit e gjuhës shqipe, që ndriçuan kombin e vet”. Përpjekjet për hartimin e një alfabeti kanë filluar herët. Gazeta “Dituria” përpiqet të sqarojë shkakun përse Jani Vreto u mor me hartimin e gramatikës së greqishtes. Sipas tij, Stefan Postenani, “paska lënë një shkronjëtore të gjuhës greqishte ndë shqipe”.Ky dorëshkrim besohej të kishte rënë në dorë të Vretos, në kohën kur qe djalë i vogël dhe ai kishte ndikuar, që kohë më vonë, të punonte dhe të zotëronte mirë gramatikën e greqishtes. Në Hotovë të Përmetit gjallonte një shkollë alilodidaktike qysh në fundin e shekullit të 18-të. Vlerë të jashtëzakonshme ka puna e Naum Veqilharxhit që në vitin 1844 botoi në Bukuresht një abetare me 48 faqe, e cila shërbeu si bazë për mësimin e fëmijëve. Ai qe ndihmuar nga sekretari i mitropolitit me origjinë nga Përmeti që i shkruante Veqilharxhit, më 22 prill 1845, se abetarja ishte shpërndarë në Korçë, Përmet e Berat dhe qe pritur mirë. Por jo pak ndihmesë në zhvillimin e shkollës ka dhënë Apostol Arsaqi. Sipas historianit S. Adhami, Arsaqi, Vangjel Zhapa, N. Veqilharxhi e të tjerë, bënë shumë përpjekje për shkrimin dhe mësimin e gjuhës shqipe, pavarësisht nga alfabeti që përdornin. Me ngritjen e xhamisë, në vitin 1889, u hap shkollë shqipe edhe në Kajcë, me shpenzimet e Nexhip Pashait. Mësimi këtu zhvillohej në gjuhën turke, por “fshehurazi mësohej dhe gjuha shqipe”.Për shumë vite mësimi në shkollë jepej nga vet Nexhip Pashai. Më vonë erdhi si mësues Arif Sabri Gallanxhi nga Gjirokastra. Përpjekje u bënë edhe në fshatin Pavar, ku xhamia qe ngritur rreth vitit 1880, nën kuijdesin e Haxhi Efendi Gjirokastrës dhe më vonë Sulo Dukës nga Pavari.

Megjithëse në Përmet njihet si shkollë e parë shqipe ajo e Frashërit, themeluar në vitin 1908, në fakt, mësimet në gjuhën amtare kanë nisur shumë kohë më parë. Mjafton të përmendim që Sami Frashëri hartoi alfabetin e shqipes në pranverën e vitit 1879, për të kuptuar se arsimi dhe kultura shqiptare datojnë kohë më parë. Ndonëse përpjekjet e fillimeve arsimore në atë trevë nuk kanë një datë të unifikuar dhe të gjithëpranuar nga historianët, gjurmët e arsimimit të hershëm nuk mungojnë. Kristo Frashëri flet për një shkollë kishtare të njohur me emrin “Oftoqios”, në gjysmën e parë të shekullit të 16-të. Evlia Çelebiu tregon për rrënojat e një shkolle të vitit 1671, gjë që dëshmon se Përmeti ka pasur tradita të lashta në këtë drejtim. Rrënojat e asaj shkolle pohojnë ekzistencën e arsimit, të paktën 450 vjet më parë. Edhe pse mësimi zhvillohej në gjuhë të huaj, dobia që ato sillnin ka qenë e madhe sepse njerëzit fitonin dituri.

Tradita shqiptare ka binjakëzuar luftën për liri e pavarësi me luftën për arsim e kulturë. Është kjo arsyeja që pushtuesit e ndryshëm për të realizuar synimet, të parët njerëz që kanë vënë në murin e pushkatimit kanë qenë mësuesit. Papa Kristo Negovani punoi si mësues në një shkollë fillore greke në Leskovik dhe pasi u njoh me veprimtarinë atdhetare të patriotëve shqiptarë të Rumanisë, mësoi dhe gjuhën shqipe. Më 1897 u kthye në fshatin e lindjes, u sigurua prift dhe vazhdoi punën si mësues, duke e kthyer shtëpinë e vet në shkollë, për t’u mësuar mbi njëqind fëmijëve shkrim e këndim në gjuhën amtare. Për këtë, si dhe meshën që mbante në shqip, ai u masakrua në shkurt të vitit 1905 nga mbrojtësit e errësirës. Petro Nini Luarasi u përndoq nga xhonturqit dhe Patrikana e Stambollit për veprimtarinë e tij arsimore e shoqërore dhe më 17 gusht të vitit 1911 u helmua prej tyre. Nuk ishte rastësi që pas vrasjes së pabesë të At Stath Melanit, atdhetarit të mirë dhe meshtarit në gjuhën amtare, në torbën e tij së bashku me fishekët u gjetën edhe abetare. Ai ra në pritën e udhëtarëve të pabesë të Mesjetës apo të shërbëtorëve të regresit, në kohën kur përcillte mesazhin e përparimit bashkëkohor.

 

 

Thoni që shkolla e parë shqipe u hap në Korçë, por duke iu referuar materialeve historike të viteve të fundit flitet edhe për shkollën e Kurbinit -1632, të Velës -1634, të Pllanës -1635, të Stubullës – 1636. Ju ç’mendim keni për këto dokumente?

Pyetja juaj është interesante. Kur flasim për shkollën e parë shqipe, nuk kemi parasysh shkollat në të cilat mësohej edhe shqip, por shkollën e parë me frymë e program kombëtar në gjuhën amtare, ku zhvillohej mësimi i gjuhës, historisë dhe gjeografisë së Shqipërisë. Shkollat në Shqipëri njohën një farë zgjerimi, veçanërisht pas dekreteve të Tanzimatit, kur filloi të forcohej ndjenja për ruajtjen e identitetit. Në ‘to mësoheshin dhe elemente fillestare të matematikës dhe të gramatikës. Si shkollat fetare turke dhe ato kishtare katolike e ortodokse nuk përgatisnin njerëz me botëkuptim shkencor, pasi i kushtohej rëndësi “forcimit të botëkuptimit dogmatik feudal”.

Shkolla e parë shqipe njihet ajo e Korçës e vitit 1887. Edhe shkolla e parë për vajza u hap po në Korçë prej motrave Qiriazi, në vitin 1891. Ato patën nxitje dhe nga poeti përmetar, Naim Frashëri, i cili shprehej kundër shtypjes së të drejtave të grave. Sipas tij, nuk kishte se si të shkonte përpara një komb, kur “gjysma e njerëzisë rrinë mbyllur si në kuvli”. Madje, Naimi shkonte edhe më tej, pasi gruaja duhej të ishte më e mësuar se burri, nga që ajo ishte “mëmë e fëmijës, zonj’ e shtëpisë dhe krejt njerëzisë”. Ndërsa për Sami Frashërin gratë ishin gjysma e njerëzimit dhe prandaj një komb quhet i përparuar, “kur krah për krah me burrat ecën dhe gjysma tjetër, gratë”. Ndaj Naim Frashëri e këshilloi Sevasti Qiriazin që të hapte shkollë shqipe, sepse arsimi ishte arma më e mirë për të zhdukur errësirën.

Të paktën kështu është shprehur deri tani historiografia shqiptare, por kjo nuk do të thotë që s’ka vend për thellim në studime të mëtejshme. Nuk mungojnë dokumentet arkivore për shkollën e Kurbinit, të Velës, Pllanës, Stubullës, që i takojnë shekullit të 17-të, por për t’u përfaqësuar kombi me shkollën e parë shqipe, edhe nëse mund të konsiderohet njëra prej tyre, është e nevojshme të vihet vula kolegjiale nga historiografia shqiptare.

 

Në libër shpreheni që shkalla e emancipimit në shkollat e Përmetit ka qenë më e lartë se në trevat e tjera. Ku e bazoni një pohim të tillë?

 

Zhvillimi i arsimit deri në vitet 30-të të shekullit të 20-të ka qenë në nivel më të lartë në trevat e Korçës, Përmetit dhe Gjirokastrës e pastaj në Shkodër e gjetkë. E veçanta e arsimit të përmetar që tregon dhe shkallë të lartë emancipimi, ka të bëjë me numrin e nxënësve në raport me popullsinë dhe mbi të gjitha me numrin e vajzave në shkolla. Në vitet 1920-1930, nëse në shkallë vendi vazhdonin shkollën 3% e popullsisë, në Përmet kjo shifër shkonte në 5%. Nëse vajzat përbënin 17% të numrit të nxënësve, në Përmet kjo shifër kalonte 28%. Kjo vihej re në gjithë trevën, si në qytet ashtu edhe në fshatra. Emancipimi i shoqërisë në këtë fushë shihej veçanërisht te banorët e besimit ortodoks.

Në dokumentet arkivore tërheq vëmendjen një mësuese përmetare, Elpiniqi L. Qamo, e cila në vitin 1921 dha dorëheqje për pabarazi midis mësueses dhe mësuesit. Ky rebelim vinte nga një vajzë me dinjitet, e cila nuk mund të pajtohej me metodat e vjetra të pabarazisë midis burrit dhe gruas. Deri atëherë askush nuk kishte reaguar zyrtarisht për një çështje të tillë. Veprimi i saj u vlerësua si akt dinjiteti dhe rritje e prestigjit të gruas shqiptare, në kërkim të barazisë me burrin. Dorëheqja u bë për shkak të pagës së saj, që ishte më e ulët se e kolegut të vet, me të njëjtën shkallë kualifikimi. Ajo kishte zhvilluar një korrespondencë të dendur me inspektorin e arsimit, të cilit i kërkonte që paga e saj të barazohej me atë të mësuesve të tjerë, me të njëjtën shkallë kualifikimi. Inspektori i premtonte se çështjen do ta paraqiste në instancat më të larta, i linte afate të ndryshme kohore, herë 15 ditë dhe herë një muaj, por nuk e zgjidhi problemin asnjëherë.

Në dhjetor të vitit 1921, ajo iu drejtua me një letër Ministrisë së Arsimit, në të cilën ankohej për pagën e saj që ishte 120 franga ari, ndërsa kolegu i vet, Q. Themistokli, paguhej me 140 franga ari. Midis të tjerave mësuesja shkruante: “Dëshiroj të di, se ç’gjë tjetër, veç dokumenteve, është marrë parasysh gjer më sot për të klasifikuar nëpunësit? Jam e sigurt se dokumentet nuk janë marrë parasysh aspak, se po të ishin marrë nuk do të qe e mundur të bëhej një padrejtësi e tillë… Fillimisht besova se ishte ndonjë gabim pa dashje. Tre muajit që kam punuar nuk e kam marrë rrogën, duke mos dashur të pranoj padrejtësinë. Inspektori më ka premtuar se do të rregullohet sot e do të rregullohet nesër, dhe asgjë s’është bërë, ndaj dhashë dorëheqjen si mësuese…”. Pas kësaj, Elpiniqi Qamo u transferua mësuese në Kolegjin “Kenedi” në Korçë, ku punoi për shumë vite. Ajo ka qenë dhe një aktiviste e njohur, bashkëpunëtore e afërt me revistën “Rilindja”, ku shkruante shpesh dhe trajtonte probleme të emancipimit të femrës shqiptare. Më pas ajo shkoi në SHBA.

Për të shuar kuriozitetin e lexuesit, më duhet t’ju pyes, me ç’vepër të re – ndoshta të 16-n në radhë – do ta kënaqësh lexuesin në të ardhmen?

 

Kam dy vëllime në shtyp që i kushtohen trevës së Përmetit. Njeri bënë fjalë për veprimtarinë atdhetare dhe politike nga Lidhja e Prizrenit deri në vitin 1914 dhe tjetri, për zhvillimet politike dhe atdhetare të përmetarëve midis dy luftërave botërore, 1914-1939.                                                                              

 

SHKARKO APP