Filmi “Bota” nominohet nga Shqipëria për Oscar

Flonja Kodheli, Fioralba Kryemadhi, Tinka Kurti, Artur Gorishti janë aktorët kryesorë të filmit

“Bota” me regji të Iris Elezit, është filmi që Shqipëria sivjet nominon për ceremoninë e 88-të të Oscars, gjegjësisht për kategorinë e filmave në gjuhë të huaj.

Kësisoj ka vendosur Qendra Kombëtare e Kinematografisë sot, pas një mbledhjeje ku juria ka vendosur këtë vendim. E gëzuar me lajmin është vetë regjisorja, e cila ka shkruar në Facebook se i falënderon të gjitha ata që kanë bërë të mundur realizimin e filmit.

Flonja Kodheli, Fioralba Kryemadhi, Tinka Kurti, Artur Gorishti janë aktorët kryesorë të filmit  .

“Bota” është një kafene. Personazhi Juli, e cila mban kafenenë, kujdeset për gjyshen e sëmurë dhe ka shumë probleme financiare, ëndërron të largohet nga ky vend. Mikja e saj Nora, është e përfshirë me pronarin e kafenesë, Benin, i cili është i martuar. Kur pranë kafenesë fillojnë ndërtimet, duket se gjërat do të ndryshojnë për këto personazhe. Historia ndodhë në një rajon të harruar ku gjatë regjimit diktatorial, armiqtë e regjimit u internuan me familjet e tyre.

Ndërkaq që ky film ka marrë pjesë dhe në disa festivale filmi që janë zhvilluar jashtë. Në festivalin ndërkombëtar të filmit në Çeki, “Karlovy Vary”, ai u shpall fitues në programin “East of the West”. Filmi me produksion kosovar, shqiptar dhe italian, “Bota” nga regjisorët Iris Elezi dhe Thomas Logoreci, mori çmimin “Fedeora”.  /KultPlus.com

SHKARKO APP