Fisi i indianëve të Amerikës Komançi

Komançëve nuk u duhet më të bëjnë luftë me fqinjët, por duke marrë pjesë në takime këngësh dhe vallesh, ata ruajnë lidhjet me një të shkuar piktoreske dhe legjendare.

Frank Swift kërcen së bashku me djalin e tij 5-vjeçar, i cili është regjistruar në një program para-shkollor Komançi.

“Djali këndon disa prej himneve të Komançëve; di fjalët dhe të gjitha veprimet. Pra, ai i njeh më mirë se unë,” thotë ai.

Zoti Swift thotë se ai jeton dhe punon në botën moderne, por ruan identitetin e indianëve të Amerikës:

“Jam krenar për çfarë përfaqësojmë dhe për nga vijmë.”

Fisi Komançi i ditëve të sotme njihet si mikpritës dhe miqësor, por gjatë pjesës më të madhe të shekullit 18 dhe 19, Komançët dhe aleatët e tyre ishin zotër të Fushave Jugore, ku bizonët jetonin në tufa të mëdha.

Përparimi i civilizimit dhe industrializimi arriti të mposhtë gradualisht edhe Komançët, ashtu si edhe fiset e tjera. Por, S.C. Gwynne, autori i librit historik për Komançët, të titulluar Perandoria e Hënës Verore, thotë se ishte e vështirë të mundej ky fis:“Ngjasonin me Gjermaninë e shekullit të 19-të. Ishin një fuqi gjeopolitike. Ata vetë merreshin me zhdukjen dhe dëbimin e fiseve të tjera për gati 200 vjet.”

Përpjekjet e kolonizatorëve spanjollë për të kolonizuar zonat pyjore të Teksasit ndaluan në kufirin e asaj që quajt ‘Komançeri’.

Pas vitit 1821, kur Meksika fitoi pavarësinë, qeveria e re u hapi dyert kolonizatorëve nga Shtetet e Bashkuara, me shpresën se ata do ta zgjidhnin problemin, thotë zoti Gwynne:

“Ata po ofroheshin si një vijë mbrojtëse ndaj Komançëve. Ky ishte qëllimi.”

Njësia paraushtarake Texas Rangers mësuan se si t’i luftojnë Komançët gjatë betejave të vogla, por ishte Ushtria e SHBA-së që i mundi përfundimisht duke pushtuar tokën e tyre në vitin 1874.

Ushtarët vranë një numër të vogël Komançësh gjatë sulmit surprizë, por ata kapën dhe vranë mbi 1 mijë kuaj, duke i lënë kështu Indianët në këmbë dhe të uritur.

Udhëheqësi i tyre i fundit, i cili u dorëzua në For Sill të Oklahomës, ishte një burrë i quajtur Quanah, që rezultoi se ishte djali i një kreu të Komançëve dhe të një robine të bardhë të quajtuar Cynthia Ann Parker. Atij iu vu emri Quanah Parker.

Me qindra njerëz këtu identifikojnë origjinën e tyre me Quanah Parker, i cili nderohet ende për rolin e tij gjatë tranzicionit të vështirë drejt jetës në rezervate.

Duke krijuar raporte të efektshme me ushtarët, zyrtarët, blegtorët dhe udhëheqësit politikë, Qaunah ndihmoi popullin e tij të mbijetojë dhe të shikojë drejt së ardhmes.

SHKARKO APP