Fituesja e Çmimit të Bashkimit Europian për letërsinë, vjen në shqip

Fituesja e Çmimit të Bashkimit Europian për letërsinë në vitin 2009, MILA PAVIÇEVIÇ, tashmë vjen dhe në gjuhën shqipe. Shtëpia botuese IDK ka hedhur në qarkullim librin, “Vashëza prej akulli dhe përrallëza të tjera”.

 Ky libër i është botuar për herë të parë në Kroaci në vitin 2006, është fitues i Çmimit të Bashkimit Europian për Letërsinë në vitin 2009. Përfshin trembëdhjetë rrëfime, që përbëjnë një kombinim të zgjuar mes të mrekullueshmes dhe të mbinatyrshmes, gërshetuar me realitetin e sotëm. Është shkruar në një mënyrë të tillë sa që në fakt është vërtet e vështirë të bësh dallimin mes ç’është reale e ç’është e sajuar, midis të mundurës dhe të pamundurës. Me një fjalë, është një libër i bukur që i drejtohet sigurisht fëmijëve, por që mund të lexohet dhe nga një publik i rritur.

 Mila Paviçeviç e lindur në vitin 1988 është një shkrimtare kroate. E lindur dhe e rritur në Dubrovnik, studioi në universitetin e Zagrebit për Gjuhë dhe Letërsi greke.

 Aktive në të shkruar që në moshë të vogël, ajo është fituese e Çmimit të Bashkimit Europian për Letërsinë (2009) për librin ‘Vashëza prej akulli dhe përrallëza të tjera’.

SKEDA E LIBRIT

Titulli: Vashëza prej akulli dhe përrallëza të tjera

Autori: Mila Paviçeviç

Përkthyes: Virgjil Muçi

Numri i faqeve: 50 fq

Çmimi: 400 lekë

Botues: Botimet IDK

ISBN: 978-9928-136-41-1

PJESE NGA LIBRI

Qyteti  ligatinë

 Njëherë e njëkohë sikur të kishit marrë udhën e të kalonit shtatë livadhe në drejtim të veriut, do të shihnit se, si e qysh, dielli ndërron ngjyrë pas çdo hapi të hedhur dhe merr një jeshile të errët. Në vendin ku kryqëzohen livadhi i shtatë me të tetin të zinte syri një ferrishte jo fort të madhe. Në atë vend dikur kishte pas qenë Qyteti Ligatinë. Quhej “Ligatinë” ngase banorët e kishin ngritur mbi një moçal dhe qyteti kishte marrë ngjyrën e blertë të moçalishtes.

Banorët e tij ishin sirenat dhe karkalecat, të cilët qenë mjaft të pakënaqur ngase në këtë vend ishte vazhdimisht ditë. Si karkalecat ashtu dhe sirenat strukeshin në hijet e shtëpive për të marrë një sy gjumë, por edhe kur flinin nuk mund të ëndërronin sepse drita ishte tepër e fortë dhe, kësisoj, karkalecat s’mund të kërcenin dhe sirenat të fluturonin.

Më e bukura ndër sirenat ishte një sirenë që ia thoshin emrin Java. Jetonte në një pus të vjetër e të braktisur në rrethinat e qytetit, pikërisht në vendin ku fillonte ligatina. Java ishte guximtare e madhe. Ligatina ishte vend i rrezikshëm. “Natën” prej saj dilnin ca krijesa të çuditshme të gjelbra – Thonjtë, të cilët, siç thoshin karkalecët, zotëronin fuqi magjike. Thonjtë ishin jashtëzakonisht të këqinj ngase qenë të shëmtuar, por jo fatkeq, duke qenë se nuk u hynin në punë ëndrrat për të notuar e bredhur në ligatinë.

Një natë përvëluese Javën nuk e zinte gjumi, kështu që u ul dhe u rrek të ëndërronte. Ndërkohë prej ligatinës dolën e u shfaqën Thonjtë më të shëmtuar. Javës nuk i bëri tërr syri, ndonëse nuk i erdhi mirë kur ato krijesa me dymbëdhjetë palë sy ia ngulën sytë. Mbasi u panë një copë herë të mirë sy më sy, Thonjtë i thanë se çfarë donin prej saj. Dëshironin flatrat. Në këmbim i dhanë fjalën se do t’i kthenin ëndërrimet Qytetit Ligatinë – atyre vetë nuk u hynin në punë.

Java e vrau mendjen dhe, tekefundit, siç ngjet në kësi rastesh, vendosi. Thonjtë u bënë me flatra, ndërsa ajo u bë – njeri. Dhe të gjithë sa qenë ëndërruan e u gëzuan përngaherë. Pothuajse të gjithë. Java ishte më e lumtura nga të gjithë – vasha e vetme në Qytetin Ligatinë. Kurrëmë s’ia kish ënda të fluturonte. Por as Thonjtë nuk fluturuan dot, sepse flatrat nuk iu erdhën pas trupit. Ka të ngjarë ngase qenë mjaft rondokopër.

SHKARKO APP