Fjalimi i rrallë i një shqiptari në universitetin e Harwardit

 Nga Thoma Nassi1 –

 Për një kohë të gjatë jam habitur pse disa shqiptarë më të aftë se unë nuk kanë lënë për historinë këto ngjarje fatale që ndodhën në Shqipëri pas Luftës së Parë Botërore. Unë tani ndodhem në mugun e vonë të jetës sime ndaj edhe po përpiqem të bëj një përshkrim sado pak të saktë e objektiv të këtyre ngjarjeve historike, ndonse mund të jenë tej fuqive të mia të mbrame, por akoma dikush mund të marrë përsipër këtë detyrë përpara turbullimit të plotë të kohës dhe kujtesës së ngjarjeve që filluan në vitin 1919, kur fati i Shqipërisë ishte në fillin e perit.

Me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, Italia dhe Greqia arritën një traktat sekret e vendosën ta ndajnë Shqipërinë sipas planit që Italia të vinte në zotërim portet dhe pjesën veriore të Shqipërisë, ndërsa Greqia pjesën jugore, duke përfshirë edhe Korçën. Kjo, pavarësisht nga deklarata e presidentit Woodrow Wilson për një politikë vetvendosëse të kombeve të vegjël. Për shkak të këtij traktati handikap, shqiptarët dhe amerikanët filluan një numur demonstrimesh kundër Italisë e Greqisë. Federata Vatra ishte më aktivja dhe, si rezultat i rritjes së protestave, një grup prej 120 luftëtarësh vullnetarë shqiptaro-amerikanë u organizuan për të shkuar në Shqipëri dhe banda shqiptare(e quajtur gjithashtu “Vatra”) u ftua t’u bashkohej atyre.

Banda Vatra është organizuar nën drejtimin tim në Shtator 19172 në Worcester, Mass. Anëtarët e saj ishin djem të rinj pa eksperiencë muzikore të mëparshme, shumica e tyre ishin punëtorë uzinash. Sidoqoftë ata u inkuadruan në bandë me dëshirën e madhe për të mësuar dhe, brenda një viti, ata ishin të aftë të merrnin pjesë në koncerte dhe parada në Boston, Worcester, New Bedford, Camp Devens në Massachussets dhe në Portland e Beddford në Maine dhe qytete të tjerë në favor të Kryqit të Kuq Amerikan,

 

Liberty Bond Drives dhe organizata të tjera shëndetsore.

E vetmja bandë tjetër në ShBA gjatë kësaj periudhe ishte ajo e James Town, New York, drejtuar nga bashkëqytetari im, Thomas Vishnja.3

Ideja e udhëtimit pelegrin në pranverën e vitit 1920 në Shqipëri për të ndihmuar kauzën kombëtare mori një formë konkrete dhe vullnetarët ushtarakë, banda dhe disa shqiptarë të tjerë të rëndësishëm u bënë gati për udhëtim.

Unë u lirova nga ushtria e ShBA gjatë këtyre ditëve, ku kisha shërbyer si bandmaster. Që atëhere unë u martova menjëherë dhe, natyrisht nuk do të veproja mirë në se lija nusen time të re por, meqë banda nuk mund të shkonte pa një drejtues – dhe unë isha i vetmi njeri i përshtatshëm – përfundimisht u binda e vendosa të marr pjesë.

Pas një qëndrimi të shkurtër në Brindisi të Italisë, u lejuam të zbarkonim në Durrës(ne ishim persona “non grata” për Italianët në Shqipëri dhe në Itali), ku njerëzit e shumtë na përshëndetën me entusiazëm të madh, edhe pse shiheshim me dyshim nga Italianët, të cilët në këtë kohë kishin pushtuar Durrësin, Tepelenën, Sarandën, Gjirokastrën dhe Vlorën.

Pas mbrritjes në Durrës udhëtuam me ca kamjona Fiat gjysmë të shkatërruar për në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë, ku populli, qeveria e përkohëshme dhe kleri e përshëndetën me entusiazëm ardhjen tonë. Në këtë kohë, një regjencë, e kryesuar nga Sotir Peci, qeveriste Shqipërinë. Qeveria shqiptare kishte siguruar fondet për një turne udhëtimi nëpër Shqipëri për të ngritur moralin e popullit shqiptar, kështu që u vendos të na dërgonin në të gjithë qytetet e mëdha.

Lamë Tiranën dhe vizituam Shkodrën, Elbasanin Delvinën, Sarandën, Gjirokastrën dhe, siç e thashë, u pritëm përzemërsisht nga popullsia, por jo nga Italianët që na shihnin me dyshim. Megjithatë, kundër urdhërave italiane ne u bëmë gati të shkoninm aty bashkë me ushtarët vullnetarë shqiptarë. Të udhëhequr nga dy ish gjeneralë që kishin sërbyer në ushtrinë turke, ne vendosëm të çlironim Tepelenën.

Pasi u përgatitëm të hynim në Tepelenë, armët italiane filluan të qëllojnë nga kështjella e vjetër e qytetit mbi ne dhe ky aksion përbën një luftë epike kundër pushtuesve Italianë, pasi edhe popullsia brenda Gjirokastrës, Tepelenës e Vlorës u ngrit të luftonte kundër italianëve. Vullnetarë shqiptarë nga gjithë Shqipëria filluan të arrijnë e t’i bashkohen betejës tjetër.

Ndërkohë, grekët kishin marrë sinjal nga italianët dhe filluan të mobilizohen gjatë kufirit greko-shqiptar. Banda Vatra dhe vullnetarët amerikanë morën urdhër nga qeveria të vijonin në Përmet, Ersekë, Korçë. Kështu, dy qytetet e para na përshëndetën me entusiazëm të “çmendur” por ovacioni më i madh na priti kur ne marshuam në Korçë. Banda Vatra duke luajtur triumfalisht dhe krenarisht ishte e rrethuar nga të dy anët me shqiptarë që na mbulonin me lule duke u gëzuar, duke thirrur e duke qarë. Korça nga brenda ishte përgatitur t’i rezistonte grekëve, të cilët ishin përqëndruar në kufirin grek, në një qytet pranë Bilishtit. Presidenti i bandës, Kosta Pano, kaloi netë të tëra pa gjumë duke u këshilluar me zyrtarë shqiptarë dhe mbrojtës në kufi për të evituar ndonjë konflikt të mundshëm.

Lidhja e Kombeve, duke u përpjekur të mënjanojë gjakderdhjen, dërgoi në Korçë, nën udhëheqjen e profesorit finlandez Sederholm një delegacion, duke i dhënë atij autoritetin të organizojë bisedime midis Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë mbi vijën kufitare të përherëshme.

Grekët deklaruan që Bilishti, Korça dhe Erseka populloheshin nga grekë, ç’ka ishte një pohim absurd.

Duhet shënuar që delegacioni i Lidhjes së Kombeve u impresionua veçanërisht nga Banda Vatra dhe vullnetarët nga Amerika. Banda filloi të luajë jashtë dy koncerte në javë tek Kopshti i Themistokli Gërmenjit. Programi ynë përbëhej nga muzikë klasike – një prej tyre ishte uverturë, një veprim simfonik, disa fragmente operistike(zakonisht Wagner), një Vals nga Shtrausi dhe, më pas, një përmbledhje këngësh që këndoheshin nga komuniteti. Popullsia e Korçës i përcillte këto koncerte “en famille” me mijëra, të veshur me dollomatë e mbrëmjes. Ata kënaqeshin me gjithë zemër me muzikën tonë dhe duartrokitjet e tyre ishin të stuhishme. Rrija dhe mendoja se sa mjeshtra bande në Amerikë po të guxonin të interpretonin programe të tilla klasike përpara një publiku amerikan, ky i fundit ndoshta do t’i kishte vërshëllyer ose, më keq, do të kishte braktisur sallën. Megjithatë, këta të ashtuquajtur shqiptarë të prapambetur i pëlqenin këto, i përpinin me sy fletpalosjet e shtypura duke u kënaqur me përshkrimet mbi pjesët muzikore. Është fare e vërtetë që qëndrimi ynë në Korçë është ndër kujtimet tona më të shtrenjta. Dashuria e njerëzve për muzikën e mirë ishte fenomenale.

Më kujtohet kur, për herë, të parë dhamë një pjesë të shkurtër nga Mesia e Hendelit. Nuk gjendeshin gjëkundi partitura përveç notave të mia personale. Kështu që e përktheva me shpejtësi tekstin e tyre në gjuhën shqipe dhe mblodha një kor prej 60 zërash. Banda do të luante pjesë orekestrale. Ky ishte ekzekutimi i parë i një oratorio-je në Shqipëri. Kori i mësoi pjesët në një kohë rekord dhe publiku në Kopshtoren e Mitropolisë kërkonte që çdo pjesë të përsëritej.

Gjatë kësaj periudhe Lidhja e Kombeve e kishte vëmendjen dhe ndiqte me koncertet tona ngrohtësisht, veçanërisht profesor Sederholm, i cili ishte një admirues i flaktë i Wagnerit. Ai dhe unë u bëmë shpejt miq dhe ai vinte në shtëpinë tonë, ku e kënaqnin orenditë tona dhe gëzohej nga leximi i disa librave që unë i kisha sjellë nga Amerika.

Gjatë takimeve tona, unë guxoja ta pyesja profesorin Sederholm si do t’i bëhej fati Korçës. Ai më këshillonte të isha i matur ndaj  kauzës kombëtare, dhe më informinte se, sa më shumë ai  bindej se një komb, që është i aftë të krijojë grupe të tilla si banda Vatra dhe që e do muzikën aq shumë sa mbush sallat plot, sigurisht që e meriton edhe lirinë e tij. Ai ndjente se ishte inspiruar nga roli i vet dhe unë jam i sigurt që rekomandimet e tij ishin kritike në lidhje me vendimin për ta liruar Korçën.

Ishte e qartë që më shumë organizata muzikore ishin të nevojshme për të shuar etjen e shqiptarëve për muzikën. Në pak javë u formua një bandë tjetër, “Banda e Korçës” me studentë të rinj dhe në një periudhë të shkurtër kohe, ajo filloi të japë koncerte. U organizuan një numur festivalesh muzikore meqë talentet e qytetit ishin të shumtë. U përgatit edhe një opera e shkurtuar, Trovatore. Drejtori shtetëror Vangjush Mio ishte një artist shqiptar profesionist. Kjo etje e popullit shqiptar për muzikë të re më dha mundësinë të kompozoj shumë këngë, fjalët e të cilave u shkruan nga shqiptarë të shquar si Kristo Floqi, Remzi Qyteza, Ali Asllani etj. Eshtë për t’u shënuar se këto këngë përhapeshin me shpejtësi drite në gjithë Shqipërinnë.

Nuk qëndruam shumë në Korçë, kur në Qershor 1920 ne morëm një ftesë frenetike nga forcat e luftëtarëve të Vlorës që na luteshin për një vizitë që të ngrinte lart moralin e tyre. Në këtë kohë ata kishin çliruar Tepelenën dhe Drashovicën, ishin 20 milje nga Vlora dhe po luftonin me Italianët në kodrat e Vlorës. Kjo betejë epike kishte përfshirë vëmendjen e gjithë opinionit të brendëshëm dhe midis korrespondentëve të huaj që mbulonin luftën ishte shquar Edsel Mowrer i “Chicago Daily News” dhe “Washington Post”. Dukej që gjithë korrespondentët ishin në anën e shqiptarëve trima, guximi i të cilëve u përshkrua në lajmet ditore. Duhet theksuar që luftëtarët shqiptarë kishin shtruar gunat e tyre të leshta mbi telat me gjemba të barrikadave dhe hidheshin mbi to për të terrorizuar italianët. Madje, sa më shpesh që italianët dërgonin avionët e tyre, shqiptarët gjuanin e rrëzuan shumë prej tyre.

Banda jonë ndodhej në Drashovicë dhe mbështetej nga Kryqi i Kuq Amerikan nën drejtimin e Charles Hollingshead, i cili, më vonë, organizoi Shkollën Teknike në Tiranë. Një herë ose dy herë në ditë ne shkonim në front për të luajtur për luftëtarët shqiptarë. Ne ndihmuam, gjithashtu, në spitalin e Kryqit të Kuq, i cili shërbente si për shqiptarët edhe për italianët e plagosur.

Shqiptarët kapën 400 italianë dhe i çuan për t’i mbajtur aty pranë tek Vaiza. Ata i thoshin gjeneralit të komandës italiane Piacentinit se ne nuk ishim në gjendje të ushqenim dhe vishnim robërit italianë dhe nëse ai mund të bënte diçka për ta. Duke dhënë një përgjigje pohuese u mundësua që Kryqi i Kuq Amerikan të sillte nga Vlora me kamiona transporti paisje të nevojshme për robërit. Unë bëra disa rrugë në Vlorë me z. Hollingshead dhe kuptoja se si ai shfaqte demoralizimin e ushtrisë italiane nga njera anë dhe luksin në të cilin jetonte general Piacentini në pallatin e tij. Gjenerali na ftoi të drekonim bashkë në mjediset e tij luksoze. Natyrisht, unë maskohesha si një prej personelit të Kryqit të Kuq Amerikan. Ta dinte gjenerali që unë isha shqiptar “spiun”, jeta ime do të ish në rrezik.

Gjatë kësaj kohe një nga prijësit e shqiptarëve, emri i tij, mendoj, ish Bajram Curri, shkrojti një vjershë të shkurtër të frymëzuar që më impresionoi aq shumë sa ta shndërroj atë në këngë. Titulli i saj ish “Vlora, Vlora, bjeri më të lumtë dora!”4 Kënga pati sukses menjëherë dhe për pak ditë u përhap në gjithë Shqipërinë. Sipas Dorothy Thompson në një prej transmetimeve të saj në radio “Shqiptarët këndonin “Vlora, Vlora…” ndërkohë që ata sulmonin italianët.” Qysh atëhere kënga u bë klasike shqiptare dhe këndohet deri sot. Gjëja që më çuditi më tepër ishte se si këngët që unë shkrojta përhapeshin në të gjithë vendin brenda natës dhe këndoheshin e orkestroheshin nga orkestra origjinale pa kopje partiturash. Kur ne ishim duke vizituar ndonjë qytet, njerëzit na përshëndetnin gjithmonë duke kënduar këto këngë.

Disa incidente, ndërkohë që ishim në Kryqin e Kuq në Drashovicë, e meritojnë të përmenden, sepse ato shfaqin karakterin e “labit”, siç quheshin shqiptarët në këtë zonë. Një ditë kur z. Hollingshead dhe unë po zbulonim gërmadhat e një teatri të bukur që italianët kishin ndërtuar në Drashovicë, ne pamë se si një shqiptar doli nga rrënojat me 4 copë orendi në shpatullat e tij. Z. Hollingshead e qortoi atë, duke i thënë se ai duhet t’i njihte ligjet dhe se akti i vjedhjes ishte krim, vepër për burg ose më keq. Shqiptari na i ktheu pa të keq se çdo njeri në qytezën e tij kishte marrë të tillë “plaçkë”, apo “plaçkë lufte”…

Kryqi i Kuq u përpoq të blerë drithë të freskët nga fermat aty pranë, por askush nuk mund të shiste, sepse fshatarët ishin duke luftuar në front. Si përfundim, z. Hollingshead dhe infermieret e tij mund të merrnin në fushë, edhe duke vjedhur, me shënimin: “Kur je në Romë, bëj ashtu si bëjnë romanët…”

          Më në fund forcat italiane të prapsura nga trimëria e shqiptarëve dhe opinionit botëror, vendosën të evakuohen nga Vlora dhe të gjitha pjesët e tjera të Shqipërisë, përveç ishullit të Sazanit. Më në fund kishte ardhur dita që të gjithë shqiptarët, të cilët kishin luftuar të hynin në Vlorë duke kënduar bashkë me Bandën Vatra në krye “Vlora, Vlora, bjeri më të lumtë dora!”. Ata u përshëndetën si çlirimtarë me entusiazëm të madh nga populli.

Pas disa ditësh festimesh e qëndrimi në Vlorë, ne u thirrëm përsëri në Korçë. Unë mora me vete disa instrumenta me tela që i kisha nxjerrë nga gërmadhat e teatrit të Drashovicës. Duke qenë edhe unë “shqiptar”, shkova aty për “plaçkë lufte”. Midis tyre ishin dy base të shkëlqyer me tela, të cilat, më vonë, u bënë bërthama e një orkestre të mirë në Korçë. Koncertet tona klasike vazhduan dhe u dhanë, gjithashtu, shumë festivale muzikore dhe ballo. Jeta shoqërore në Korçë lulëzonte me kontributin e të gjithë familjeve aty si edhe me familjet e tjera që kishin ardhur nga Rumania, Egjipti dhe ShBA, sepse tani Shqipëria ishte e lirë.

Sidoqoftë në këtë kohë nuk shkonte gjithçka mirë në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, ku po përgatitej një revolucion. Elementë progresistë shqiptarë dëshironin një qeveri krejtësisht demokratike. Pas disa konfrontimeve rrreth kryeqytetit, forcat progresiste morën komandën dhe vendosën një qeveri me peshkopin Fan S. Noli si kryeministër. Noli ëndërronte të krijonte një Zvicër shqiptare. Ai më thirri mua ta ndihmoja për të bërë planet për sjelljen nga Italia të një grupi muzikantësh “prima”, të cilët të jepnin mësim në një Konservator Muzike, ndërkohë që të përbënin edhe bërthamën e e Orkestrës së parë simfonike. Për shaka e çlodhje e mësova Nolin të luajë kornon franceze gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në kryeqytet.

Fatkeqësisht qeveria e peshkop Nolit nuk e kish jetën të gjatë. Një ushtri reaksionare e udhëhequr nga ambiciozi Ahmet Zogu, u bë gati të sulmojë forcat qeveritare dhe të pushtojë qytetin. Peshkop Noli u detyrua të shkojë në Itali tepër i dekurajuar. Kur e takova atë më vonë, ai desh të më thosh: “Tani më ka mbetur vetëm mjekra”

U organizua një qeveri shqiptare me kryeministër Ahmet Zogun dhe unë u thirra të vija në kryeqytet me bandën Vatra. Natyrisht na vinte keq të linim Korçën dhe popullin e tij të talentuar e të dashuruar pas muzikës, por, sidoqoftë, shpejt u vendosëm në kryeqytet me përfaqësuesit diplomatikë të tij dhe jetë sociale të nivelit të lartë. Jeta ime private në kryeqytet ishte e mbushur plot kënaqësi, zhgënjime e dështime, kryesisht më vonë. Për shembull, unë vizitoja disa ministra të qeverisë shqiptare me një listë kërkesash që më duheshin për hir të problemeve muzikore, madje, isha edhe shumë i shqetësuar. Por ministrat kishin ide të tjera dhe, kështu, unë kritikohesha se “amerikanët” ishin popull i paduruar!

Nuk desh shumë që Zogu të organizojë qeverinë e tij dhe të paqtojë vendin. Kuptohet, ai garantoi e arriti që Shqipëria të bëhej vendi më i qetë dhe më paqedashës në Ballkan në atë kohë. Kushdo mund të udhëtonte kryq e tërthor vendit për herë të parë pa frikë e rrezik dhe krimi të bëhej inekzistent.

Së pari Zogu veproi zgjuarsisht dhe u përpoq të tërhiqte gjithë shqiptarët progresistë e të kulturuar të ktheheshin në Shqipëri dhe të merrnin pjesë në qeveri. Unë u dërgova në Itali dy here si përfaqësuesi jozyrtar i Zogut për t’i mbushur mendjen Sotir Pecit, Peshkop Nolit, Faik Konicës, të cilët ishin asaj kohe në ekzil, të ktheheshin në Shqipëri, të zinin vendet në qeverinë e asaj kohe, por ata refuzuan. Harxhova shumë nga koha ime e çmuar me Nolin e Konicën në Romë duke ndjekur koncertet dhe ngjarjet e tjera kulturore.

Ahmet Zogu kishte një etje të pashuar për muzikën dhe njohuritë kulturore. Aty, kryekujdestari Hasan na sillte kafe dhe ne flisnim për muzikën, veçanërisht për Wagnerin, për të cilin Zogu kish një afeksion të madh. Ne planifikonim aktivitete muzikore për javën. Gjatë këtyre takimeve më kujtohet një ngjarje që më impresionoi fort dhe që tregon se si Zogu i kuptonte mirë bashkëpunëtorët e tij. Hasani erdhi të na lajmëronte se një delegacion bajraktarësh apo udhëheqësish kishin ardhur nga rrethi i Matit për t’i kërkuar atij një takim. Zogu ishte veshur me një kostum tërësisht zyrtar. Pa dëshirë e qejf, ai m’u lut ta prisja, ndërkohë që ai do të vishej me kostumin madhështor ushtarak, me të gjitha dekoratat, medaljet dhe thekët e florinjtë. Shkoi pastaj në dhomën ngjitur, ku prijësat po prisnin dhe u drejtua tek froni i tij. Ai ishte i gjatë dhe, sigurisht, shembull i njeriut të shkëlqyer. Sapo prijësat e panë atë, u përkulën mbi gjunjë sikur të ishin përpara një mbreti. Zogu iu lut atyre të ngriheshin dhe të shfaqnin problemet e tyre, të cilat konsistonin në disa pakënaqësi të vogla ndaj autoriteteve vendore. I dëgjoi e iu kërkoi atyre të bindeshin e të zbatonin ligjet dhe autoritetet. Pastaj urdhëroi Hasanin të organizonte një banket për miqtë. Më pas ai bëri një dalje dinjitoze ndaj udhëheqësve përsëri me një përkulje. E ndërroi përsëri kostumin dhe ne vijuam diskutimin tonë aty ku e kishim lënë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Fatkeqësisht, gradualisht, Zogu filloi ta shihte e konsideronte veten si një mbret dhe u bë ekstravagant dhe superambicioz që çoi në pasojat katastrofike, të cilat ne i dimë.

Në kryeqytet ne vazhdonim me koncertet dhe aktivitetet e tjera muzikore tonat. Nëpërmjet Ministrisë së Arsimit, unë isha në gjendje të organizoja mësimin e lëndës së muzikës në gjithë Shqipërinë, veçanërisht në shkolla. Disa nga muzikantët, të cilët unë i formova dhe i solla nga Shkodra e Korça ishin të rinj, si Juri Trebicka, Luigi Filai, Kristaq Antoniu etj., të cilët sot janë kokat e muzikës në Shqipëri. Mund të them që ata janë me të vërtetë prijës të merituar, të cilët kanë zhvilluar Shqipërinë muzikalisht në një shkallë të admirueshme.

Disa prej këngëve të mia u shkruan gjatë asaj kohe. Pas një udhëtimi nëpër qytetet malore, unë bëra një koleksion muzikor, temat e të cilave shpresoj që t’i rishikoj. Një kënga ime shumë e dashur për shqiptarët “Kënga e Mullirit” u shtyp për herë të parë në Vlorë. “Kënga e Bariut”, “Katër Valle” u bënë gjithashtu krijime klasike shqiptare.

Më 1926 vendosa të kthehem në atdheun e dytë, Amerikë. Arsyeja kryesore për rikthimin tim ishte dekurajimi që unë pësova kur pashë Zogun, një i ri brilant, i cili kishte drejtuar mirë demokratikisht, por që, më pas, u bë, fillimisht, një president ekstravagant i republikës dhe, pastaj, më vonë projektoi shenjat e bërjes mbret. Një arsye e dytë konsistonte në faktin që tri fëmijët e mi ishin rritur dhe kërkonin atë mënyrë shkollimi që nuk mund të sigurohej në Shqipëri. Megjithatë e ndjeja se kisha mbjellë farën e muzikës së mirë në vendin tim. Banda Vatra ishte stabilizuar mirë tani dhe ishin shfaqur edhe disa organizata të tjera.

Me zemër të thyer, ju dhashë lamtumirën shumë e shumë miqve, anëtarëve të bandës Vatra dhe Zogut(i cili nuk donte të më linte të shkoja). Unë e dija fare mirë që misioni im ishte ende në Shqipëri, por unë parapriva pasoja të këqija për familjen time, nëse unë qëndroja. Re të zeza po mblidheshin. Musolini kish hartuar programin e tij ambicioz të pushtimit dhe Shqipëria ishte një nga vendet e para që do të sulmohej pa mëshirë dhe do të pushtohej prej tij.

 

Fjalimi në organizatën e studentëve shqiptaro-amerikanë të universitetit të Harwardit, Cambridge Mass. Përktheu dhe përgatiti për botim: Kristaq Balli

1)Mbiemri i vërtetë është Nashi. Versioni Nassi është “i amerikanizuar” për lehtësi shqiptimi në ShBA. Ligjërata është mbajtur në vitin1960.

2) Data mund të jetë gabim shtypi. Në të gjithë publicistikën e kohës, themelimi i bandës “Vatra” i referohet Dhjetorit të vitit 1916.

3) Thomas Vishnja ishte, gjithashtu, nga Dardha e Korçës.

4) Në të vërtetë autori i tekstit të kësaj kënge është Ali Asllani.

 

SHKARKO APP