“Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve”

Shtëpia botuese Toena ka publikuar së fundmi librin e Bashkim Shehut,. “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve”. Ditën e hënë, datë 26 janar, ora 12.00, në sallën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë do të bëhet prezantimi i librit, ku do të jetë i pranishëm dhe vet autori.

Ky libër është si një labirint me shumë hyrje: mund të lexohet alfabetikisht nga fillimi në fund (si në leximin e kapitujve të njëpasnjëshëm të çdo lloj romani), ose nga fundi në fillim, ose duke filluar nga çdonjëra prej rubrikave që përmban (ose hyrjeve, nga anglishtja entry) dhe duke vazhduar pastaj me një nga rubrikat (hyrjet) e tjera ku të çojnë shenjat përkatëse, e s’andejmi te një tjetër, e kështu me radhë. Sikurse në të gjithë fjalorët, çdo rubrikë (hyrje) është e lidhur me një ose disa të tjera dhe, prandaj, leximi i tij i përngjan vërtitjes në rreth të mbyllur, ashtu si në një labirint. Dhe, sikurse në çdo labirint, shumëkund mund të marrësh një drejtim ose një tjetër (aty ku lidhja është me më shumë se me një tjetër). Shenjat lidhëse janë katër farësh, po aq sa ngjyrat e letrave të bixhozit dhe në ngjashmëri me to. Rrjedhimisht, janë paraqitur me këto simbole: ♠, ♣, ♥ dhe ♦. Përdorimi i një të tillë simboli është përcaktuar nga lloji përkatës i lidhjes së një rubrike (hyrjeje) me tjetrën ku të çon ai simbol. Kuptimi i llojit të lidhjes midis dy rubrikave (hyrjeve) është po ai që ka dhënë kartomancia (mjeshtëria e parashikimit të së ardhmes me anë të letrave të bixhozit) për çdonjërin prej këtyre simboleve. Kështu, ♠ shënjon vdekjen, ♣ shënjon armiqësinë, ♥ shënjon dashurinë (në përgjithësi, duke përfshirë edhe simpatinë, ose në veçanti dashurinë seksuale, ose thjesht seksin), ♦, që sipas kartomancisë shënjon pasurinë, këtu ka edhe kuptimin e fuqisë në përgjithësi (ose të një pushteti që nuk buron nga pasuria, por që është vetë pasuri). Në disa raste, kur një lidhje ka dy kuptime, ose tre, është shënjuar me dy simbole, ose me tre. Madje, në një rast (që i përgjigjet Xholit në lojën me letra) është shënjuar me të katër simbolet.

“… përmbajtja e dosjeve nuk njihet, është mister, që mund të zgjidhet vetëm duke u njohur përmbajtja e të gjithave njëherësh, në të njëjtin çast dhe si të ishte një dosje e vetme… Përndryshe, ky ‘Fjalor’ do të ishte i panevojshëm”. Në këtë libër, të shkruar në formë fjalori, lexuesit i paraqitet një galeri personazhesh e situatash: një ish-punonjës i çmendur i Arkivit sekret, një gazetar investigativ, një sozi i Enver Hoxhës dhe Pasardhësi i Enver Hoxhës, një projekti për ndërtimin e Bllokut të nëndheshëm, një biznesmen i çuditshëm nga Moska që vjen në Shqipëri për të kërkuar një baba të panjohur, një linjë ndërkombëtare korrupsioni, dy krime seksuale identike dhe të njëkohshme që shoqërojnë zhurmën për këtë linjë korrupsioni, një teori konspirative për një zyrë të fshehtë, reale ose imagjinare, për të cilën thuhet se lëviz çdo fije të ngjarjeve në Shqipëri… Të gjitha këto, ndërthurur me motive mitologjike nga më të ndryshmet, lidhen me njëra-tjetrën si shtigjet e një labirinti, në qendrën e të cilit është misteri i dosjeve, shprehje të marrëzisë së kontrollit totalitar.

 

Libri

Autor: Bashkim Shehu

Titulli: Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve

Lloji: Roman

14×20.5 cm

248 faqe

ISBN 978-99943-1-952-7

Çmimi: 1000 lekë

 

 

Libra të tjerë të shkrimtarit Bashkim Shehu të botuar nga Shtëpia Botuese Toena:

 

– Rrethi, roman, 2002

– Orfeu në Zululandën e Re, roman, 2003

– Udhëkryqi dhe humnerat, roman, 2003

– Mulliri që gëlltiste shpirtra, novela, 2004

– Gjarpri dhe heronj të tjerë, roman, 2004

– Angelus novus, roman, 2005

– Hija e gurit, tregime të zgjedhura, 2006

– Mozart, me vonesë, roman, 2009

– Loja, shembja e qiellit, roman, 2013

 

SHKARKO APP