Flet infermierja, simbol i sakrificës kundër koronavirusit: Më falni isha e rraskapitur
Në përballjen me epideminë e koronavirusit të ri, ata që mund të konsiderohen heronjtë e vërtetë janë padyshim mjekët dhe infermierët që po jetojnë çdo minutë me rrezikun.
Në Itali, një infermiere e cila është fotografuar e përgjumur mbi një tryezë në ambientet e punës është kthyer në simbol të sakrificës.
Ajo është Elena Pagliarini, infermiere në spitalin e Kremonës, e cila në një intervistë për La Republika ka kërkuar ndjesë për këtë veprim të sajin, që në fakt në këtë situatë emergjence ka marrë mirëkuptimin e të gjithëve.
“Atë natë isha e rraskapitur, kërkoj ndjesë që po pushoja para se të mbyllja turnin. Por atë natë kishte ndodhur gjithçka. Salla ishte plot me pacientë të trembur, shumë prej tyre me vështirësi të rënda në frymëmarrje, njerëz të të gjitha moshave, me temperaturë që ngrihej me shpejtësi. Gjëja që më preku më shumë ishte se askush nuk ankohej për asgjë, rrinin në shtrat të heshtur, por në sytë e tyre mbizotëronte frika”.
Pagliarini shpjegon se në një situatë normale ajo do të ishte kritikuar shumë për këtë veprim, për neglizhencë në punë, por çuditërisht sot është kthyer në një ikonë.
Por kjo është njëra anë e medaljes pasi një tjetër mjeke italiane ka denoncuar në rrjetet sociale, se si disa të rinj e kanë tallur teksa kthehej nga puna me tren pas mbarimit të turnit në spital.
Me të drejtë ajo ngrinte shqetësimin nëse është kjo mënyra e duhur se si janë edukuar të rinjtë.
Këto janë disa nga modelet që shfaqen në media në këtë situatë emergjence botërore, ndaj ndoshta sot është momenti që të lutemi për mjekët që të mos dorëzohen sepse ata do të duhet të përballojnë jo vetëm sëmundjen por edhe rrezikun që i kanoset jetës së tyre. Ata janë heronjtë e vërtetë!