Folklori bashkon komunitetin shqiptar në New York

Festivali Folklorik Mbarëkombëtar ka mbledhur në New York , SHBA qindra solistë, valltarë, grupe muzikore dhe ansamble nga komuniteti shqiptaro-amerikan, si dhe nga trojet mbarëshqiptare.

Mesazhi i këtij festivali, që këtë vit i dedikohet 550 vjetorit të heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut është ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë të prekshme dhe asaj shpirtërore. I organizuar nga Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” me seli në Hartsdale në New York, edicioni i 27-të i këtij festivali zhvillohet në Qendrën e Arteve të Kolegjit Lehman në lagjen Bronks të Nju Jorkut.

Një rol qëndror në këtë organizim kishte grupi i parë artistiko-kulturor brenda komunitetit amerikan “Rozafati”, i themeluar para tri dekadash pranë Qendrës Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” në Nju York. “Në fakt është Rozafati pothuaj organizator i këtij festivali dhe Angjelina Nika është ajo që u mëson qindra fëmijëve vallen shqipe në sallën e Qendrës Kulturore Shën Nënë Tereza. Dhe, nuk ka çmim që e paguan kontributin e Angjelinës dhe rolin e saj në ruajtjen e këtyre vlerave tona kulturore”, tha për RTK-në Marjan Cubi, kryetar i Qendrës Kulturore Nënë Tereza, pranë Kishës Zoja e Shkodrës në Hartsdale.

Fëmijët e këtij grupi nga tre shtetet: Nju Jork, Nju Xhersi dhe Konektikat nga mosha 5 deri ne 23 vjeç çdo javë ushtrojnë vallet shqiptare në qendrën “Shën Nënë Tereza”, në Harsdale nga koreografja Angjelina Nika, ish valltare e Ansamblit Shtetëror të Shqipërisë e dekoruar nga presidenti Nishani me çmimin, “Mjeshtër i Madh”.

“Këtu çdo vit nëpër duart tona kalojnë me qindra fëmijë, të cilëve u mësojmë vallet dhe kostumet nga Kosova, Shqipëria, Çamëria dhe të gjitha trojet mbarëshqiptare dhe ç’është më e rëndësishmja, këtu fëmijët kur vijnë flasin shqip. Ne përkujdesemi që vallet tona t’i dinë fëmijët tanë që ata t’ua mësojnë fëmijëve të tyre dhe kështu këtë trashëgimi kulturore ta bartim në brezat që vijnë se, nëse ne e harrojmë fëmijët tanë nuk do të dinë fare për të…”, tha për RTK-në koreografja Angjelina Nika.

Misioni i këtij Festivali gjithëshqiptar është përpjekja për të identifikuar, dokumentuar e prezantuar folklorin mbarëkombëtar shqiptar, të mbajë të bashkuar komunitetin shqiptar, pa dallim feje apo krahine. Festivali ka si qëllim edhe ruajtjen dhe përkrahjen e traditës muzikore dhe folklorike autoktone shqiptare, si dhe siguron që ato të vazhdojnë të ekzistojnë, të përcillen dhe të kenë domethënie për brezat e ardhshëm.

SHKARKO APP