FOTO/ Çfarë të veshim dhe si t’i rregullojmë flokët për natën e Vitit të Ri?

Nata e Vitit të Ri është një nga mbrëmjet që shumë njerëz e presin me padurim.

Ndërrimi i mot-moteve festohet në forma të ndryshme, si formë shënimi për sukseset e arritura gjatë 12 muajve që lihen pas, shkruan Syri Kosova.

Duke qenë se është festë, si femrat, ashtu edhe meshkujt kujdesën që të duken sa më bukur dhe më stil.

Mirëpo, në këtë mes, ka edhe shumë dilema për zgjedhjet e rrobave, materialit të tyre, ngjyrës dhe formës së prerjes.

Për t’ua bërë më të lehtë zgjedhjen, Syri Kosova në mënyrë ekskluzive sjell intervista me dizajnere dhe parrukier, që kanë treguar pak a shumë se çka të vishni në natën festive dhe si t’i rregulloni flokët dhe grimin.

Këshillat e tyre janë edhe për njerëzit që festojnë në shtëpi edhe për ata që zgjedhin të festojnë në ambiente tjera.

Dizajnerja Valdete Mustafa për Syri Kosova tregoi se çka duhet të veshin femrat.

Por, duhet edhe flokët për t’i rregulluar! Prandaj, ndiqini këshillat e parukierit Art Bylykbashi.

Këshillat e Valdete Mustafës:

Syri Kosova: Çka duhet veshur femrat që festojnë në shtëpi?

Valdete Mustafa: Këto dilema besoj që do t’i ketë çdo femër që do ta festojë Vitin e Ri brenda shtëpisë ose në ndonjë lokal me miq.

Në këtë rast, ato vajza që kanë vendosur të festojnë në shtëpi, iu sugjeroj të veshin  veshje më të rehatshme, siç janë pantallona, jumpsuit, këmishë e punuar me ndonjë detaj në dantella, triko që mundemi ta kombinojmë me ndonjë minifund, ku mund të ketë  ndonjë detaj që simbolizon festën e Vitit të Ri, për shembull,  të bardhë të borës, brirët e drenushës apo ndonjë fiongo.

Syri Kosova: Po femrat që festojnë jashtë, çka i këshilloni të veshin?

Valdete Mustafa: Vajzat të cilat kanë vendosur që këtë natë ta festojnë jashtë me miq, ju sugjeroj fustane me ngjyrë të forta, sidomos atyre me propocion të shkurtër, sepse, sa më i shkurtë të jetë propocioni, aq më shumë duhet të bie në sy fustani, si dhe aq më shumë duhet të jetë i rëndë fustani. Shkëlqimi dhe glamuri janë dy elementet që shoqërojnë moden. Në rast se fustani është mat aq më vezullues dhe më shkëlqim duhet të jenë aksesorët që e shoqërojnë atë. Në rastin e kundërt, kur veshja ka shkëlqim, duhet që aksesorët të mos përdoren fare apo të minimizohen.

Ngjyrat më perfekte për këtë natë janë vjollce, oro, e kuqe, argjend, bronz. Ndërsa, ngjyra e kaltër klasike nuk u sugjerohet zonjave dhe sipas specialistëve të modës, nëse e pëlqeni këtë ngjyrë, atëherë do ishte më mirë të zgjidhni të kaltër marinën, pasi është më luksoze.

Me këto këshilla veshjeje, për femrat vijnë edhe dy këshilla nga parukieri Art Bylykbashi.

Syri Kosova: Si të rregullohen femrat që festojnë në shtëpi?

Art Bylykbashi: Këto femra le të bëjnë grim të lehtë dhe një fenirim, që shkon më shumë si valëzim.

Syri Kosova: Po femrat që festojnë në restorant apo ambiente tjera?

Art Bylykbashi: Grimi preferohet të jetë më i theksuar, pse jo edhe një përshtatje me ngjyrat e veshjeve. Ndërsa, flokët të jenë më kaçurrele të cilat formohen prej figaros.

Urojmë që këto këshilla të jenë të dobishme për ju.

SHKARKO APP