Foto/ Kisha Orthodhokse Autoqefale pret Patriarkun e Moskës dhe të Gjithë Rusive, Kirillin

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë pret Fortlumturinë dhe Shenjtërinë e Tij, Patriarkun e Moskës dhe të Gjithë Rusive, Kirillin.

Kjo vizitë e parë paqësore dhe historike ka një rëndësi të veçantë, pasi të dyja Kishat kanë përjetuar një persekutim të egër komunisto-ateist.

I shoqeruar nga Kryepiskopi Anastas, si dhe nga anëtarët e Sinodit të Shenjtë, të dy Primatët e Kishave do të bashkëmeshojnë në Katedralen e Hirshme ‘Ngjallja e Krishtit’, në Tiranë, me pjesëmarrjen e klerikëve të të dyja Kishave.

Më pas, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do të shtrojë drekën zyrtare.

Pasdite, ora 18:00, do të jepet shfaqja festive në Qendrën Kulturore të Kishës Katedrale. Në fillim do të kryhet prezantimi i botimit në rusisht të librit të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, ‘Deri në skajet e dheut’. Në Liturgjinë Hyjnore dhe në shfaqjen festive do të marrë pjesë edhe Kori Sinodal i Patriarkanës së Moskës.

Në mbrëmjen e së dielës, Shkëlqesia e Tij, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, do të shtrojë një darkë në Pallatin e Brigadave.

Të hënën, më 30 prill, Patriarku Kirill do të ketë takime zyrtare, në Selinë e Presidencës, me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, si dhe në Selinë e Kryeministrisë Edi Ramën. Në fund do të vizitojë Manastirin e Shën Vlashit, Durrës dhe Akademinë Orthodhokse Theologjike ‘Ngjallja e Krishtit’. Largimi i vizitorit të lartë parashikohet në orën 14.00, nga aeroporti ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’.

SHKARKO APP