FOTO/ Sanja, gjimnazistja durrsake që pikturon muret e shkollës

Sanja Shazivari është gjimnazistja e shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti”, e cila me pasionin dhe këmbënguljen e saj ka lënë jo pak të çuditur të gjithë trupën pedagogjike dhe të gjithë nxënësit e shkollës.

Nxënësja e vitit të dytë, klasa A, nisi në ditët e ftohta të dhjetorit një projekt që në fillim nuk u besua se do të realizohej nga ajo. Me penelin në dorë, gjimnazistja e talentuar dhe e apasionuar pas pikturës nisi të pikturojë muret e shkollës duke sjellë një atmosferë krejt tjetër në shkollë.

Ndërsa të gjithë nxënësit vrapojnë që në orët e lira të zënë kafenetë me kafe e biseda, Sanja merrte penelin e pikturonte, e mbështetur edhe nga nëna e saj. Pasioni i madh për të bërë një ambient të rrallë e të bukur nuk e pengoi të punonte në muret e shkollës, edhe pse nga suvaja e rënë duart e gishtat ju gjakosën.

Muret e dëmtuar dhe suvaja i vrisnin gishtat në të ftohtin e dimrit, por pasioni i vajzës mbetej shumë i fortë. Për të blerë bojërat, e ndihmuan vajzat e klasës së saj, që i mblodhën gurët në plazhin e Durrësit, i ngjyrosën dhe i shitën. Vajzat e klasës por edhe stafi pedagogjik dhe drejtoresha e shkollës “Gjergj Kastrioti” kanë qënë një mbështetje e Sanjës në realizimin e këtij projekti.

Sanja vazhdon me këmbëngulje të pikturojë duke u bërë shembulli i mirë i munguar i rinisë durrsake.

Ajo është përveçse një piktore e talentuar, edhe një nxënëse e shkëlqyer e model për të rinjtë. Sanja Shazivari ka një numër të madh pikturash të bëra në vite, në disa stile, por mbizotëron boja e vajit.

Të gjithë kohën e lirë të saj, Sanja e kalon me krijimet e saj ku shpalos botën e bukur dhe perspektivën e një vajze adoleshente. e cila vjen si model i shkëlqyer për rininë shqiptare.

/durresilajm

SHKARKO APP