Foto/ Shkatërrohen 13 mijë lodra me substanca toksike dhe kancerogjene të rrezikshme për fëmijët

Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut shkatërroi 13 mijë lodrave të rrezikshme  për fëmijët. Lodrat e bllokuara për kategorinë e fëmijëve të moshës 0 – 36 muaj mbartnin substanca toksike, elementë alergjenë, mutagjenë dhe kancerogjenë, duke u bërë rrezik real për jetën dhe shëndetin e fëmijëve.

Këto lodra u bllokuan nga ISHMT, pas inspektimeve të kryera në subjektet e importit dhe tregtimit me shumicë dhe pakicë të produkteve lodra, gjatë periudhës nëntor 2019- janar 2020.

Bllokimi i produkteve lodra nga ana e ISHMT erdhi pas konstatimit se :

  • Ka pasur substanca toksike në nivele tepër të larta të përbërësve të plastikës dhe metaleve të rënda, ku përmendim:  ftalatet, boronin, plumbin, etj..(Testet laboratorike janë kryera në laboratorë të akredituar në Itali).
  • Lodrat kanë qenë jashtë standardit,nuk kanë qenë në përputhje me direktivën europiane të lodrave dhe legjislacionin shqiptar, për sa i përket testeve fizike dhe mbartin rrezik të lartë për kategorinë e fëmijëve të moshës 0 – 36 muaj.(Testet laboratorike janë kryera në laboratorë të akredituar në Itali).
  • Lodrat kanë pasur mungesë të markimit CE dhe dokumentacionit përkatës nga prodhuesi i produktit, që provon se lodra është në përputhje me standardet europiane të sigurisë dhe nuk rrezikon jetën dhe shëndetin e fëmijëve.
  • Lodrat janë raportuar nga sistemi i shkëmbimit të shpejtë të informacionit (RAPEX) i Komisionit Europian, si produkte me përmbajtje të lartë të elementëve toksikë, kancerogjene, etj.
  • Lodrat janë raportuar nga vendet e rajonit, si produkte të cilat sipas testeve laboratorike rezultojnë të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e fëmijëve.

Testimet laboratorike të kryera në mostrat e lodrave të marra në 34 importues i janë vënë në dispozicion operatorëve ekonomikë brenda afateve ligjore të parashikuara në ligjin për inspektimin.

Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut u bën thirrje të gjithë subjekteve që operojnë në tregun e importit dhe tregtimit të produkteve lodra, që tëtë zbatojnë legjislacionin, i cili është tërësisht i transpozuar dhe në përputhje me standardet europiane për prodhimin, importin dhe tregtimin e produkteve lodra.

SHKARKO APP