Fotograf i parë autokton shqiptar

 

Nga Kristaq  BALLI/ Fshati Dardhë i Korçës është themeluar gradualisht  si qendër e përhershme banimi duke filluar  aty nga mesi i shekullit XVII. Ky shekull cilësohet si një prej periudhave më intensive të konvertimit të banorëve fshatarë nga të krishterë në islamë. Qëndresa për të mos ndërruar fenë shoqërohej me përdorimin e forcës nënështruese, konflikteve  fetare, rritjes së papërballueshme të taksave, masave e raprezaljeve të administratës teokratike otomane, deportimeve arbitrare, etj. Në të tilla kushte mjaft fshatra dhe qendra rurale u shkatërruan për hir  të këtij represioni në dëm të të krishterëve që ende përpiqeshin të ruanin identitetin e tyre fetar. Në një situatë të tillë të një anarkie e pasigurie ekzistenciale, të krishterët thuajse të rënuar u detyruan të lenë vatrat e tyre shekullore e të shtegtojnë drejt viseve malore, ku kontrolli e dominanca islame ishte ende e paarritshme e më toleruese. Në një lloj “fortese” të tillë u shndrrua edhe Dardha, e cila në mënyrë graduale u bë destinacioni i mbijetesës së fiseve të krishtere që migronin nga vendbanimet rurale të islamizuara dhe jo vetëm në perimetrin e pellgut të Moravës (Bozdovec, Qinam, Lerishtë, Linotopi,  më tej Nikolicë e Arzë), por edhe nga krahina të tjera më të largëta  si Çamëria, Suli, Vlora,  Kruja, e akoma më lart në Veri.(Këtë e dëshmon lista me rreth 140  mbiemrave të familjeve të Dardhës që kanë banuar aty qysh prej fillesave të saj). Një prej këtyre familjeve- Zengo, e përmendur sidomos për trashëgiminë e saj kulturore e  klerikale orodokse që jetonte në fshatin fqinj Arzë, (fshat i cili u islamizua), u detyrua të shpërngulej përfundimisht prej andej për t’u vendosur në Dardhë.

E tillë, familja  Zengo imponoi në rrjedhën e e zhvillimeve  historike e sociale të Dardhës vlera magnetizuese  të jetës shpirtërore edhe vetëm nga fakti se ajo ka rigjeneruar përgjatë gjithë ekziztencës së saj shumë klerikë ortodoksë, por edhe shumë artistë që, në një farë mënyre, e kanë mbajtur gjallë mjedisin dhe opinionin social në Dardhë. Por, gjithashtu, edhe sepse profesioni i klerikut fetar dhe ikonografit presupozonte një lloj shkollimi e kulturimi më të lartë kryesisht jashtë vendit, kjo familje ka atributin e prurjeve progresive sociale e shpirtërore në mjedisin e etur të banorëve të Dardhës e ky atribut gjendet në pasurinë e gjurmëve, apo brazdave  të thella që shumë breza të kësaj familjeve, në mënyrë të pandërprerë, madje edhe pasardhës gjenetikë të kohëve të sotme kanë lënë dhe vazhdojnë të kontribuojnë ende në fushën e  artit e kulturës. Nga kjo familje, të paktën qysh nga gjysma e dytë e shek. XVIII, pasi prifti i familjes së saj Nikolla Zengo (I vjetri) u zhvendos nga Arza (për shkak tëislamizimit të saj) për në Dardhë, ka filluar edhe një veprimtari shoqërore e “artistike” që lidhej sidomos me pikturën ikonografike, si dhe me disa përpjekje për  të predikuar në kishë gjuhën shqipe që flitej në Dardhë. Dihet, gjithashtu që, gjatë kësaj periudhe Dardha përfshihej gjeo-administrativisht në hapësirën periferike të Pashallëkut të Janinës që sundohej nga  Ali Pashë Tepelena (Madje, sekretari i tij Tërpo Pano dhe korieri këmbëshpejtë Ligor Dodani ishin nga  Dardha) në kuadrin e   Perandorisë Osmane dhe qysh nga vitet  1750 kishte shkollë plotore në gjuhën greke. Sa për gjuhën shqipe, ajo mbeti një gjuhë dominuese e folur komunitare, ekskluzivisht e masivisht si tipar komunikimi  e identiteti që nuk mund të bjerrej e të harrohej edhe për faktin se Dardha (edhe emri  saj është një fjalë shqipe)  ishte një vendbanim, apo një fshat që banohej nga racë e pastër shqiptare. Për sa kohë mësohej në shkollë greqisht (si në shumë shkolla të tjera të Shqipërisë jugore), ajo ishte si nevojë zyrtare e publike edukimi, kulturimi, emigrimi, shkëmbimi reciprok dhe kjo pasqyron pozitivisht një prej tipareve përparimtare të dardharëve për t’u arsimuar e për të nxënë kulture e edukatë. Dokumentet e vjetra të familjes Zengo, të cilat na i ka treguar në origjinal Androniqi Zengo Antoniu, njëra prej pinjolleve të shquara të kësaj familjeje në fushën e ikonografisë dhe pikturës laike shqiptare (interviste informale  me Androniqi  Zengo Antoniu, 1995) midis të tjerash tregojnë disa përpjekje për përshtatjen apo përkthimin, apo shkrimin e tyre në një variant “shqip” me shkronja të përziera latine, greke, apo cirilike, sigurisht e endur në një avlemend  akoma primitiv, por, të themi, si një alternativë që u integrohet përpjekjeve të tjera të njëkohshme për alfabetet sinonime shqipe. Këto përpjekje, sigurisht, inkuadrohen  kryeherit në dëshirën e kësaj familjeje klerikale e ariste për të predikuar liturgjinë në gjuhën shqipe, apo për t’i shkruar ikonat në po këtë gjuhë.

Jani Zengo, i njohur ndryshe edhe si Papa Jani Zengo (pasi ai u shugurua prift për të zëvendësuar Papa Andonin, babain e vet),  i përket kësaj familjeje unikale shqiptare, që mund të konsiderohet edhe si një dinasti prej 5 apo 6 brezash atistësh nga fillimi i shekullit XIX deri në ditët e sotme. Nga kjo familje kanë dalë artistë të ndjerë që jo rrallë kanë lënë gjurmë të dukshme e të qëndrueshme e që mbeten edhe si pika referimi në disa fusha të artit. Kështu në ikonografi 5 gjenerata piktorësh postbizantinë si Nikolla Zengo (i vjetri), i biri  Andon Zengo, Papa Jani Zengo, tre djemtë e tij  Vangjel, Nikolla, Evthim (Thimi) Zengo, Thanas Todi Zengo, Kristo Thanas Zengo, vajzat e Vangjelit – Thomaidha, Androniqi dhe Sofia, pra 11 artizanë ikonografë e freskografë të një trungu familjar, ku të bije në sy, veç të tjerash aktiviteti për herë të parë në artin e vështirë të dekorimit të institucioneve fetare ortodokse (madje edhe islame) e piktoreve femra (çka shpreh edhe shkallën e lartë të emancipimit dhe progresit të komunitetit dardhar) janë jo pak për të vlerësuar këtë plejadë si një prej familjeve të mëdha shqiptare me prurje të konsiderueshme artistike në disa fusha arti . Për më tepër Androniqi Zengo (Antoniu) dhe Sofia Zengo (Papadhimitri) e ngritën stekën e artit të tyre edhe në artin piktural laik, aq sa ato janë vendosur në historinë e artit pamor shqiptar në një podium të veçantë,  si piktoret e para femra shqiptare. Si simbiozë e tyre artistike qëndrojnë tenori i shquar shqiptar Kristaq Antoniu (bashkëshorti i Androniqi Zengos) dhe Akile Papadhimitri (bashkëshorti i Sofia Zengos), piktor, ksilografist e pedagog arti. Dhe degët gjenealogjke e artistike të këtij trungu të madh gjenealogjik e  artistik vijojnë me artistin e famshëm instrumentistin kontemporan Gjergj Antoniu (djali i Androniqi Zengos), si dhe me  dy djemtë muzikantë të Sofia Zengos – Evangjel dhe Jani. Brezi i fundit, i gjashti,  fëmijët e Evangjelit, pra stërnipërit e familjes Zengo janë gjithashtu muzikantë dhe vazhdojnë kësisoj traditën artistike të kësaj dinastie.

Jani Zengo u lind më 17 Janar 1832 në një familje, ku gjyshi Nikolla (I vjetri) dhe  babai Andon (vdiq më 1888), edhe ai prift dhe me  prirje artistke ndaj pikturës pasbizantine, të cilën e lëvruan kryesisht përtej Shqipërisë, që nga Mali i Shenjtë deri në Rusi, me gjasa i kishin transmetuar të birit gjenin e talentit artistik, por edhe të pasionit për erudicion e kulturë. Pas përfundimit të shkollës greke në Dardhë dhe gjimnazit grek në Korçë,  ai shkoi në Malin e Shenjtë e, më pas, në Korfuz, ku mësoi artizanatin e ksilografisë(gdhendje në dru) që, ndoshta, kishte lidhje edhe me mjeshtërinë e burrave dardharë të njohur si mjeshtër të përpunimit të drurit (kujto “e pret si me sëpatën e dardharit”), por edhe me trendin artistik të kësaj zejtarie që lidhej kryesisht me mobilimin e kishave me ikonostasë dhe paisje të tjera të interierit  të tyre kanunor. Rreth vitit 1855 zhvendoset në Larisa të Greqisë, ku mëson një profesion tjetër, atë të fotografisë, e cila, jo vetëm në Greqi, por thuajse në të gjithë Europën ishte në në periudhën e fillimeve të saj, por që evoluonte me shpejtësi. Pra viti 1855 shënon si rastësisht dhe po ashtu simbolikisht një datë të veçantë jo vetëm në jetën dhe veprimtarinë e Jani Zengos, por edhe në Historinë e Fotografisë Shqiptare. Reth vitit 1860 kthehet në Korçë, ku  emërohet si mësues i gjuhës greke në fshatin Ziçisht të Devollit dhe në Pisoder të Greqisë. Prej andej, në vitin 1876  transferohet për të punuar po ashtu mësues në shkollën e vendlindjes, Dardhë, ku ushtroi edhe profesionin e ikonografit (K.Balli, K.Naslazi: Icon Painters from Dardha, 2013, p. 34).  dhe fotografit. Ndërkohë ishte martuar me bashkëfshataren Tushe Gjerazi dhe në moshën 40 vjeç (pra rreth viteve 1870) kishte edhe 6 fëmijë. Profesionin e  fotografit ia mësoi edhe djalit të tij të madh, Vangjelit.

Pas vetëm pak vitesh, rifillon përsëri jetën e kurbetit, këtë herë në Volos (Greqi), i thirrur nga  vëllai i tij, sipërmarës pyjesh, të bëjë punën e sekretarit përfaqësues të tij. Më tej vendoset në krahinën e Thesalisë, ku punon si fotograf e ksilografist. Fatkqësisht nuk kemi gjurmë të profesionit të fotografit gjatë kësaj periudhe.

Në moshën 60 vjeçare (1892)  shugurohet prift, duke ndjekur kështu traditën klerikale familjare dhe me atë veshje  shfaqet në Dardhë, ku zëvendëson babanë e tij,  Papa Andon Zengon, tashmë të moshuar,  duke shërbyer deri në fund të jetës së tij në enori edhe si zëvendës mitropolit.

Sipas kujtimeve të mbesave të tij piktore, por edhe nga kujtimet e trashëguara  gojore të bashkëmoshatarëve të tij, Papa Jani Zengo konsiderohej e vlerësohej si njeri erudit, i kulturuar, i talentuar e  përparimtar për kohën. Kështu ai zotëronte disa gjuhë, si greqishten, turqishten e vjetër, sllavishten dhe rusishten; gjatë jetës së tij ai ishte  drugdhendës, rrobaqepës, fotograf, piktor, mësues, prift; i inspiruar nga përpjekjet për krijimin e alfabeteve shqipe,  ai u përpoq me pasion edhe për lëvrimin e saj. Në familjen Zengo (Antoniu) ndodhet sot një dokument i vitit 1866, i cili përfaqëson një dorëshkrim të tijin me rëndësi të veçantë. Në të vihen re  përpjekje për hartimin e një alfabeti shqip me 33 shkronja, pjesërisht latine, me të cilin do të përkthente letërsinë liturgjike.

Ndërroi jetë në vitin 1912.

Kontakti i  një vendi të vogël, të coptuar e të prapambetur në errësirën shekullore të otomanizmit me një nga shpikjet dhe zhvillimet më të bujshme teknologjike e humane universale, fotografinë, në periudhën kur ajo si një zhanër relativisht i ri edhe në botën perëndimore, prej nga vinin zbulimet e zhvillimet epokale, ishte një ngjarje e rëndësishme historike dhe kulturore për Shqipërinë. Dhe,  për fatin e saj të mirë lindja e fotografisë në Shqipëri vetëm pothuajse dy dekada pas promovimit të saj botëror,   përbën një prej vlerë të paçmuar pozitive  që do t’i  krijonte vendit një mundësi të pazëvendësueshme të pasqyrimit viziv të tablosë së fenomeneve të jetës shqiptare në shumë fusha ekzistencialiste të saj, duke filluar që nga autoktoniteti kombëtar e deri në situatën e përditshme ekonomike e sociale, apo edhe traditat etnokulturore.

Kur bëhet fjalë për  veprimtarinë e hershme fotografike të Papa Jani Zengos përmenden disa periudha në jetën e tij, kur ai ka ushtruar këtë profesion të ri, të panjohur deri atëhere: vitet 1855-1860 (Larisa, Greqi), vitet 1870-1880 (Korçë, Ziçisht, Dardhë), dhe vitet 1882-1890 (Thesali,Greqi). Sigurisht, periudhat më intriguese janë dy të parat. Viti 1855, pra ku ai ishte 23 vjeç është një datë e rëndësishme jo vetëm për jetën e tij, por edhe për historinë e fotografisë shqiptare, pasi ajo konsolidon datën që një një shqiptar, i pari i të parëve, ka vendosur një gur themeli në këtë histori të pafilluar deri atëhere. Periudha 5 vjeçare 1855-1860 kur ai ka punuar në Larisa, midis të tjerash duke “mësuar edhe profesionin e fotografit”, na lejon të nënkuptojmë se ai jo vetëm e ka mësuar, por edhe e ka ushtruar këtë profesion me shkrepjet e tij profesionale, pa ditur se do të ishte shqiptari autokton që do të përdorte i pari “kamerën obscura” dhe do të kish të drejtën morale të konsiderohej pas pothuajse  160 vitesh si pararendësi i fotografisë shqiptare. (Wikipeedia, Free Encyclopedia: Fotografia e  parë e italianit  Pietro Marubi në Shqipëri konsiderohet ajo e vitit 1858-59..) (Niko Kotherja: “Enciklopedi e Fotografëve Korçarë”, Tiranë, 2010, f.6: Jani Zengo, …i përket “ekuivalentit” toskë të Pjetër Marubit. Bile, nëse marrim në konsideratë  origjinën (kombësinë –K.B.) italiane të Marubit, pohojmë se Jani Zengo është fotografi i parë shqiptar.) (Qerim Vrioni:  Ars Poetica, 150 Vjet të Fotografisë Shqiptare, f.96: Deri tani, mund të thuhet se Jani Zengo mbahet si fotografi i parë shqiptar në kulturën tonë) (Gazeta “Shqip”, 7.9.2010 : Të panjohurat e fotografëve korcarë:  Po të shikojmë origjinën jo shqiptare te Marubit i bie që Papajani Zengo i cili ka fotografuar ne vitet 1860 te jetë fotografi i parë shqiptar…”)  (Qerim Vrioni, Albanovaonline: … Jani Zengo ka pjesën e vet në historinë e fotografisë shqiptare jo vetëm si një nga fotografët e parë, por edhe si  përhapës i kësaj mjeshtërie me shumë lidhje gjaku me artet e tjera pamore, duke e kthyer Dardhën në një nga vatrat e para të lindjes dhe zhvillimit të fotografisë shqiptare i krahasueshëm për vjetërsi vetëm me qytetin e Shkodrës.)

Para se të paraqitim disa prej fotove të realizuara prej tij, duke përhirë faktin se ai ka  punuar edhe si ksilografist dhe ikonograf, po sjellim të vetmen ikonë të tij “Rrethprerja e Krishtit” të vitit 1864  si dëshmi, e  cila e përfaqëson atë me të gjithë elementët identifikues ikonografikë edhe pse ajo është relativisht e  dëmtuar, por ruan, gjithsesi, shkrimet që e autorësojnë atë në gjuhën greke, pra Jo.(Joan) A. (Andon) Z. (Zengo), Dardha,1864.

Ndërkaq kjo korrespondon me periudhën që ai është kthyer për herë të parë nga Greqia, ku ka mësuar fotografimin dhe duhet ta ketë ushtruar atë profesion  në Dardhë e fshatrat përreth. Sidoqoftë puna e  tij e parë fotografike konsiderohet nga të afërmit e tij një foto e vitit 1862, e cila  paraqit pamjen e fshatit. Sipas studiuesit Q. Vrioni kjo foto “…është një nga peizazhet e para fotografike shqiptare…, gjithashtu mendohet  se qarkullon edhe një foto e vitit 1868 e realizuar me rastin e 100 Vjetorit të Shkollës në Dardhë…” (Qerim Vrioni: Jani Zengo, fotograf i Vjetër nga Dardha, 2009). Por, deri sot, ndoshta përveç se familjarëve të tij,  nuk ka dëshmitarë okularë  që t’i ketë konstatuar ato. Ne jemi në kërkim të tyre, sidomos në fondin e arkivit të vjetër të famijes së Androniqi Zengo Antoniut, e cila e ka trashëguar koleksionin e kësaj dinastie artistësh, por ky koleksion i madh artistik ndodhet në gjendje të vështirë, të ngushtë e kaotik akomodimi, i padigjiitalizuar dhe paraqet vështirësi gjurmimi, gjetjeje e identifikimi. Sidoqoftë, dëshmitë e mbesave të Jani Zengos, Androniqi e Sofia – dy piktoret e para femra shqiptare mund të konsiderohen të vërteta edhe për faktin se ato përfaqësojnë dy personalitete serioze në fushën e njohjes edhe të trashëgimisë së familjes së tyre. Le të shpresojmë se në të ardhmen, ne  do të bijem në kontakt me këto foto, që kanë të paktën  vlera të vërteta  historike.
Por le t’i referohemi  së pari një stende me disa fotografi të paraqitur në një aktivitet artistik “Zengo dhe Antoniu, 200 Vite Art”, në vitin 2013. Fotot janë realizuar nga pinjollë të familjes Zengo. Intriguese në kontekst të punës së Jani Zengos më duken 3-4 foto që mund të jenë shkrepur para vitit 1900, pra probabilisht nga Jani Zengo – e para majtas lart, ku paraqiten 3 ushtarakë(ndoshta andartë grekë); e dyta lart, një dasëm në Dardhë, e treta lart- një grua e veshur me xibun e stomnë,  dhe poshtë- djathtas, një komunitet i përzier romësh, në qendër të të cilit edhe një kalorës, pra prijësi i tyre.

Virtualisht, duke zhbiruar me vëmendje elementët etnografikë, sidomos veshjet tradicionale, kostumin  ushtarak, dollomatë e fëmijëve dasmorë dhe kostumin e kompletuar përsosmërisht të gruas dardhare, si normë e patjetërsueshme e veshjes së saj ceremoniale,  të tilla foto nuk i gjejmë tek fotografët e brezave të mëvonshëm të familjes Zengo, ç’ka na bën të përforcojmë bindjen se këto foto i ka realizuar Jani Zengo.

Ndër punët e konfirmuara nga burime konfidenciale, familjare dhe studiues të njohur të këtij autori,  konsiderohen autentike  dy  fotografi “binjake” që kanë të bëjnë me arsimin në Dardhë. Ato i përkasin vitit 1876 apo 1878 dhe paraqitin nxënëse dhe mësuese të shkollës së vajzave  në Dardhë. Nuk janë foto origjinale, por riprodhime të tyre, sidoqoftë edhe të tilla ato paraqitin një interes të veçantë qoftë për datën e realizimit të tyre, sikundër edhe për autorin, por edhe për disa elementë të tjerë që relatojnë situatën social-kulturore të fshatit Dardhë në dekaat e  fundit të shekullit XIX.

Vitii i realizimit të tyre koincidon ndoshta me 100 Vjetorin e çeljes së shkollës së vajzave në Dardhë (ajo e djemve ishte çelur disa vjet më parë, (Niko Çika: Përmes rrugës 200 vjeçare që ka ndjekur  arsimi ne katundin Dardhe, dorëshkrim, 1973), që edhe pse në gjuhën greke pasqyronte dëshirën që fëmijët e Dardhës  të mësonin shkrim e këndim, pra të mos mbeteshin analfabetë, të merrnin dituri për shkencat ekzakte, natyrore, historinë, gjeografinë,  edukatën, moralin, fenë, familjen, shoqërinë dhe ta kishin atë si një trampolinë për të studiuar më tej në vende të tjera, përderisa deri atëhere nuk kishte shkolla shqipe askund në Shqipëri dhe arsimi, në cilëndo gjuhë, ishte një dritë që influenconte pozitivisht  në nivelin e edukimit, kulturimit dhe progresit social.

Me interes të veçantë janë dy foto të tjera që na vijnë nga koleksioni e një dege  familjare të pasardhësve gjenealogjikë të familjes Zengo në SHBA. Randi Jeremy Yoang është gjenerata e gjashtë e familjes së Papa Jani Zengos. Ajo i ka gjetur fotot në shtëpinë e gjyshes së saj Barbara Tseka (Çika-K.B) ( Kortezi e  Znj. Adriana Kuruni Stefani, e cila ka mundur të shtier në dorë edhe 2 fotot e mëposhtme nga Randi Jeremy Yoang, Dardha.org.)

Në foton e parë paraqitet gruaja e Jani Zengos me tre nga  fëmijët e tyre. Ekspozimi është bërë në natyrë, ndoshta si  një përpjekje për të provuar pllakën negative të xhamit me  teknikë sepia. Edhe pse momenti psikologjik është shprehës, por  jo edhe aq optimist,  disa detaje të parapërgatitjes duken qartë, pasi që mjeshtri e ka vendosur zonjën e tij të ulur në karrike të veshur me xibun, pastaj dy djemtë më të mëdhenj, të veshur me  dolloma i janë ngjeshur nënës me duar të rregulluara në pozicion të përshtatshëm fotografimi dhe fëmijën  më e vogël, me salistër dhe një kryq  rrethqafës,  zbathur e me doçkat e saj të mbështjella me  pëllëmbët e nënës. Fotoja të krijon idenë e  një foleje zogjsh, ku nëna me fëmijët e saj heshtin të ndrydhur në një dilemë ekzistencialiste që e  bënin njeriun surrealist e  të mos  dinte asgjë për destinacionin. Fotoja duhet të jetë realizuar aty rreth viteve 1875.

Ndërsa në  foton e dytë kanë pozuar tre djem, dy më të mëdhenjtë të ulur këmbë mbi këmbë në karrike, njëri me kostum tradicional të zonës e me një tufë lulesh në dorë, ndërsa tjetri me kostum  “allafrënga” e me qostek, ndërsa më i riu qëndron mëkëmbë duke mbushur hapësirën midis dy të parëve. Kjo foto e realizuar në një verandë druri, rreth të njëjtës kohë  është e kompozuar me kujdes, ëshë më ekspresive, më lirike dhe e mbushur me elementë të shumtë etnografikë.

Edhe pse, deri sot, këto përfaqësojnë ekzemplarët e mjeshtërisë fotografike të Jani Zengos, ato nuk janë shteruese, pasi, me siguri, duhet të ekzistojnë edhe të tjera. Vështirësitë paraqiten, së pari, sepse ato janë  jo aq lehtë për t’u identifikuar, pasi Jani Zengo nuk kishte ndonjë simbol, vulë, datë apo shenjë të autorësisë së tij, së dyti sepse ato mund të jenë në arkiva e “sëndykë  stërgjyshorë” familjarë brenda e  jashtë vendit dhe, së treti, sepse fatkeqësisht nuk kanë mbijetuar klishe apo materiale negative prej qelqi, ato janë thyer, apo kanë humbur për shumë arsye, edhe për faktin se, ndryshe nga “Marubi”, Jani Zengo, si duket, nuk kishte ndonjë motiv mjeshtëror apo artistik sistemimi e arkivimi, pasi ai i ndërroi disa herë profesionet e jetës  dhe, kështu, ato mbetën në mëshirën e fatit.

Sidoqoftë, edhe këto pak foto që kanë mbijetuar, si dhe faktet e dëshmitë e pakontestueshme biografike të marra nga burime direkte okulare e dokumentare nga pasardhësit e tij familjarë, ashtu si dhe nga disa kërkues, kolesionistë e studiues me autoritet shkencor në lëmin e fotografisë shqiptare e konfirmojnë plotësisht dy  argumente: fotografia shqiptare i ka rrënjët të thella në kohë vetëm rreth dy dekada më pak se historia e  fotografisë botërore dhe se në këtë kontekst, Jani Zengo mbetet mjeshtri i parë fotograf autentik shqiptar që filloi lëvrimin e  kësaj gjinie kontemporane figurative, me rëndësi të veçantë historike, sociale e kulturore.

SHKARKO APP