FOTOT/ Shqipëria e 1917-ës – Nga “prezenca ruse” tek betejat austro-hungareze

Gazetari dhe studiuesi Armand Plaka sjell së fundmi në vëmendjen e publikut shqiptar tri foto të pabotuara më parë, si pjesë e një fondi marrë nga arkivat austriake, që lidhen me frontin e Luftës së Parë në Shqipëri.

Por ajo që është më interesantja në këtë set fotografish është dëshmia e prezencës ushtarake ruse në Shqipërinë e vitit 1917.

Prezenca ruse e raportuar edhe më parë nga studiuesi Plaka, tashmë plotësohet me një tjetër foto, e cila daton katër vite më vonë nga ajo e sjellë prej tij pak kohë më parë , e cila dëshmonte prezencën e oficerëve caristë në vitin 1913, si pjesë e Prezencës Ndërkombëtare në Shkodër.

Më poshtë fotot të shoqëruara nga shpjegimi përkatës i secilës prej tyre nga gazetari Armand Plaka.

1917 – Kompania e vullnetarëve shqiptarë në Tiranë, e cila luftonte përkrah austro-hungarezëve dhe trajnohej prej tyre gjatë periudhës së Luftës së Parë Botërore. Marrë nga arkivat austriake. Botohet për herë të parë.

Një tjetër dëshmi e prezencës së rusëve në Shqipëri. Këtë radhë si robër lufte në vitin 1917. Fotoja e marrë nga arkivat austriake, në diçiturën origjinale shënon: “Robër lufte, rusë, duke u larë në brigjet e Lumit Mat”. Botohet për herë të parë.

Ura e Tabakëve në vitet e Luftës së Parë. Marrë nga arkivat austriake. Në diçiturën origjinale shkruhet: “Urë mbi lumin (në fakt: përroin) LANA”

Shënim: Fotot e publikuara nga “Koha Jonë” janë botuar në dijeni të studiuesit Armand PLAKA, pasi “Të gjitha të drejtat e autorësisë janë të rezervuara”.

SHKARKO APP