Françeskanët: Turp, të dekorosh hetuesin e At Zef Pllumit

 

Përgjegjësi i Bibliotekës Françeskane, Pader Vitor Demaj e ka quajtur të turpshëm dekorimin e Shyqyri Çokut, hetuesit të At Zef Pllumit dhe ka kërkuar tërheqjen e qeverisë prej një akti të tille.

“Është një akt vërtet i turpshëm, sepse është ende e freskët ndjeshmëria, tortura, vrasjet e asaj kohe dhe të dekorosh hetues të tillë, të dekorosh persona të tillë si vlera është të vendosësh antivlerën si vlerë kombëtare. Libri i Padër Zef Pllumit është pikërisht dëshmi e kësaj. Njeriu ndonjëherë rrezikon ta harrojë të kaluemen. Bahet ndonjëherë edhe me dëshirë, edhe me qëllim që e kaluemja të harrohet, por kurrsesi dëshmia e At Zef Pllumit nuk e len që e kaluemja të mbizotërojë edhe sot e kësaj dite. Dhe të dekorosh persona të tillë, që ishin antivlera të asaj kohe, është me të vërtetë një akt i çuditshëm dhe janë 25 vjet, nuk është se kaloi një shekull dhe kujtesa duket sikur po zbehet. Libri i At Zef Pllumit ndihmon që të rizgjojmë edhe njëherë kujtesën tonë historike të asaj kohe. Ky akt që asht ba me dekorimin e këtyre njerëzve që ishin pjesë e kësaj makine vrastare ndaj popullit shqiptar, ndaj të pafajshmëve, jo vetëm ndaj klerit katolik, por ndaj të gjithëve është një akt që vërtet duhet të rimendohet, që të mos përsëritet më”, – tha Pader Vitor Demaj.

Për këtë arsye, ai kujton edhe kremtimin 25-vjetorit të meshës së parë para një muaji ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama.

“Para një muaj kemi kremtuar 25-vjetorin e meshës së parë, meshës së lirisë në vorret e Rrmajit dhe në kuadër të kësaj dite të çmueshme e cila solli edhe lirinë fetare, lirinë e shprehjes, lirinë e mendimit në Shqipëri ne si provincë françeskane menduam që të ribotojmë në tri vëllime veçmas veprën e Pader Zef Pllumit “Rrno vetëm për me Tregue”. Eshtë një ndër veprat që kishte disa kohë që i mungonte publikut shqiptar dhe e menduam me këtë rast për me e paraqit para publikut edhe njëherë atë kohë e cila ishtë vërtet shkatërruese për kuturën shqiptare për Klerin, për shtetin shqiptar. Për të gjithë ajo ishte vrastare”, – tha ai.

Botuesi i veprës kujtoi edhe njëherë mesazhin që mbart libri.

“Libri nuk është shkru me inate, me urrejtje, me hakmarrje. Eshtë shkru thjesht që e kaluemja të mos harrohet. Sepse nëse harrohet e kaluemja, ajo mund të përsëritet”, nënvizoi ai.

SHKARKO APP