Franko Dine, artisti i rrugës që po i ndryshon faqen Tiranës

Nga Fatjona Mejdini, BIRN

Artisti Franko Dine. Foto: Loreta Cuka via BIRN

Franko Dine, një 24-vjeçar nga Vlora, nuk e besonte kurrë që një ditë grafitit e tij do të mbulonin ndërtesa kyçe në kryeqytet, përpara syve të miliona personave.

Artisti i rrugës ka punuar fort për t’ia dalë në një vend ku grafiti nëpër mure zor se kuptohet si art dhe thuajse nuk ka traditë të ekzistencës.

Ai është tani një nga të parët artistë të punësuar nga bashkia e Tiranës dhe zyrtarisht i lejuar të pikturojë muret e qytetit, duke hapur një rrugë për praktikën e mirënjohur botërore të artit urban që të lulëzojë edhe në Shqipëri.

Franko e zbuloi këtë rrugë instinktivisht. Ai ka qenë përherë i mirë në vizatime, la pas letrën dhe filloi të pikturonte muret e shtëpisë së tij kur ishte 16 vjeç dhe pa disa grafiti në internet për herë të parë.

“Nuk isha i sigurt se çfarë po bëja por pikturimi i mureve u bë një fiksim. Prindërit ishin të befasuar, dhe jo vetëm që më lanë të vizatoja në mure, por më liruan të gjithë dhomën që të mund të shprehesha lirshëm,” tha ai për BIRN.

Pasi gjeti një emër për pasionin e tij, ai vendosi të studiojë në Akademinë e Arteve në Tiranë ku mësoi më shumë për artin e grafitit të mureve.

“Por shpejt e kuptova që kjo ishte e pamundur… grafiti në mure nuk ishte lëndë në Akademi, ndaj vendosa të studioj dizajn,” kujton ai.

Një grafiti nga Franko Dine në rrugët e kryeqytetit. Foto kortezi: Franko Dine.

Ndërkohë, ai filloi t’i kërkonte miqve që jetonin jashtë t’i blinin libra për të përmirësuar teknikën e tij dhe për t’i dërguar edhe mjetet e nevojshme që nuk mund të gjendeshin në Tiranë.

“Ishte e vështirë sepse po praktikohesha duke përdorur materiale ndërtimi në vend të bojërave profesionale që përdoren në botë për grafiti. Ato janë shumë të rrezikshme për shëndetin ngaqë përmbajnë shumë kimikate,” kujton Franko.

Sot ndërsa beson se studimi në Akademi nuk e ndihmoi shumë në aspektin e pasionit të tij të vërtetë, zhvendosja në Tiranë ia vlejti barra qiranë.

Ai njohu qytetin kur shumica e banorëve ishin në gjumë.

“Gjatë vitit të parë, dilja nga dhoma në orën 1 të natës për të lëvizur nëpër qytet për disa orë që ta njihja,” tha ai.

“Eksplorova cepat më të errët të qytetit, fasadat më të rrënuara dhe caktova ato mure që mund të vizatoja,” shtoi ai.

Në Tiranë, ai gjithashtu gjeti vendin e vet, që ishte puna me fëmijë të pambrojtur, – jetimë, të varfër, me nevoja të veçanta dhe të përjashtuar.

“Shihja sa shumë lypnin në rrugët e Tiranës dhe ndjeva se mund ta përdor artin tim për të protestuar në emër të tyre,” tha ai.

Një nga grafitit e tij më të rëndësishëm në muret e qytetit u bë në mars, ditë kur në Shqipëri festohet dita e nënave dhe mësuesve.

“Vizatova një fëmijë me rroba të leckosura, që mbante në dorë një lule pa pasur askënd kujt t’ia jepte,” kujton ai.

Ajo që ai bënte netëve në rrugët e qytetit nuk është më e paligjshme, megjithatë.

Franko kujton “aventurat” e pafundve kur në përpjekje për të vizatuar një mur, përfundonte duke u përballur me pronarë të zemëruar ndërtesash, policinë dhe madje edhe tufa qensh rruge.

“Por gjeta aleatë të mirë mes të pastrehëve,” tha ai.

“Krijova shoqëri të mirë me ta dhe i kërkoja të mos mi shkatërronin grafitit. Në fund të fundit, janë ata që e ‘sundojnë’ qytetit natën”, thekson ai.

Një grafiti nga Franko Dine në rrugët e kryeqytetit. Foto kortezi: Franko Dine.

Këta “njerëz të natës” jo vetëm e ndihmuan të punonte i pashqetësuar, por i mbrojtën grafitit e tij nga të tjerët që mund të donin t’i shkatërronin.

“Por për të hapur artin e tij në shkallë të gjerë, ai kishte nevojë për aleatë më të fuqishëm.

“Doja të kisha në krah bashkinë e Tiranë dhe u përpoqa fort për t’iu qasur atyre dhe për t’i prezantuar me artin tim. Por shpejt kuptova se ata kishin nevojë për mua dhe fuqinë e artit urban gjithashtu,” kujton Franko.

Dy vite më parë, bashkia e njohu atë zyrtarisht si një artist rruge dhe prej një viti ai punon pranë departamentit të dekorimit.

Gjatë kësaj kohe ai ka mundur të pikturojë disa nga veprat më të thella të tij si pjesë e planit të bashkisë për ta bërë qytetin më tërheqës.

“Jam shumë i lumtur që kam Vëllain e Madh [bashkinë] në anën time. Pres projekte të tjera,” shtoi ai.

“Ëndrra ime është të vizatoj një grafiti sa më të madh të jetë e mundur. Do të doja shumë të bëja dizenjo të mëdha sa 10 kate – ose edhe më shumë,” tha ai për BIRN.

Franko synon të bëhet një frymëzim për të rinjtë që të çojnë përpara këtë rrugë që ai po ndjek, duke theksuar gjithsesi se pavarësisht suksesit të tij, Shqipëria mbetet një vend ku kultura e grafitit është në fazë shumë të hershme.

“Kemi shumë për të bërë,” tha ai. “Tirana ka ende shumë mure të zbrazëta,” përfundoi ai.

SHKARKO APP