Fronti antifashist dhe “lufta e ftohtë”

 

DOSSIER

Nga Safet N. Ramolli

Lufta II Botërore startoi si revansh i forcave fashiste dhe arriti në finish si triumf i forcave përparimtare. U zhvillua në 2077 ditë (1 shtator 1939-8 maj 1945)si një përleshje e përgjithshme midis 61 shteteve, që përbënin 80 % të popullsisë të globit. Veprimet luftarake u kryen në territoret e 40 shteteve në Evropë, Azi dhe Afrikë. Më 8 maj 1945 njerëzimi mbylli siparin e tragjedisë më të përgjakshme në historinë e tij: 32 milionë njerëz të rënë në fushëbetejat, nga të cilët 27 milion i përkasin popullsisë ruse. Më shumë se 20 milion u vrarë nga goditjet e avionëve, artilerisë dhe ato bërthamore. Çdo ditë shuheshin më shumë se 24 mijë njerëz. 500 miliardë franga ari zvicerane llogaritet dëmi ekonomik, por i vlerësuar tashmë duhet çmuar i qindfishuar. 1.126.000 ton pleh i krijuar nga djegiet e trupave të njerëzve, etj.etj…

  Nuk kishin kaluar as 21 vjet nga përfundimi i Luftës I Botërore; ende punohej me konkluzionet; ideatorët, drejtuesit (politikanë e shtetarë), dhe komandantët ushtarakë më së shumti, ishin në moshën e mesme, ndërkohë luftëtarët e thjeshtë ndoshta 40-50 vjeçarë… Nënat ishin ende me veshje të zeza. Në mjaft vende ishin prezente pasojat e luftës paraardhëse… Bijtë e bijat, nipat e mbesat nuk kishin gjetur akoma varret e prindërve apo gjyshërve të tyre… Disa vende, edhe pse fqinjë, ndodheshin në gjendje lufte… Por politikanët me “koka të nxehta” në kulisat e fshehta kishin sajuar ideologjinë helmatuese për të futur në përleshje vrasëse grupime shtetesh me njëri-tjetrin, por edhe popullsinë e të njëjtit komb.

   Shpërthimi i kësaj lufte asesi s’ mund të jetë ngjarje e rastit, por rrjedhojë e një varg rrethanash të ndërlikuara politike, ekonomike, strategjike me përmasa ndërkontinentale. Disa nga shkaqet mund të jenë: padrejtësitë e traktateve të nënëshkruara pas përfundimit të Luftës I Botërore; paaftësia e Lidhjes së Kombeve të Bashkuara për të menaxhuar rruzullin toksor; kontradiktat midis shteteve të ndryshme, luftrat me karakter çlirimtar; kriza e thellë e përgjithëshme ekonomike, e sidomos papunësia e madhe në vitet 1931-’35, etj. etj.

   Historiografia botërore ka fiskuar si datë fillimi 1 shtatorin 1939, kur Gjermania në zbatim të teorisë për të “Siguruar hapsirën e nevojshme jetike”, nën thirrjen histerike “Të jemi të pamëshirshëm nëse duam të ardhmen”, sulmoi Poloninë. Por realisht lufta kishte filluar më 1931, kur Japonia pushtoi Mançurinë. Mandej, në vitin 1939 u pushtua fillimisht Etiopia më 1935, Spanja më 1936, Kina më 1937, Austria e Çekosllovakia më 1938, dhe Shqipëria më1939. Viti 1940 vendosi në teatrin e luftimeve disa shtete të Azisë Juglindore, Greqinë, Francën, Hollandën dhe Belgjikën. Vendet Skandinave e Danimarka u pushtuan në vitet 1940-‘41. Duke u gdhirë 22 qershori 1941, edhe pse ekzistonte një pakt Ish-Bashkimi Sovjetik-Gjermani për paqe, u sulmua edhe ish-B.S, duke marrë kështu lufta karakterin e një katastrofe të përbotëshme të paparë në të shkuarën, por as edhe deri tani.

   Si datë e përfundimit të Luftës II Botërore është fiksuar 9 maji 1945, një ditë pas kapitullimit të Gjermanisë, por në fakt veprimet luftarake vijuan disa muaj më pas. Më 6 dhe 9 gusht 1945, Shtetet e Bashkuara, për të mposhtur Japoninë lëshojnë dy goditje atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, të cilat kanë mbetur goditjet e fundit deri tashmë të këtij lloji. Ish-B.S më 9 gusht 1945 deklarohet për luftë me Japoninë.

 

Koalicionet Ushtarake gjatë Luftës II Botërore

    Luftën II Botërore u parapri nga aleanca politiko-ushtarake mes Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë, nën emërtimin “Boshti Berlin-Romë-Tokio”. Kësaj lidhjeje iu bashkangjitën shtete të tjera, që zunë vend dhe luajtën rol të ndryshëm.

   Fillimi i luftës u shoqërua me negociata, marrëveshje dhe traktate të ndryshme, të cilat shpesh kanë ndryshuar edhe kahun e lidhjeve e të ndërveprimeve. Më 3 shtator 1939 Anglia e Franca i shpallën luftë Gjermanisë. Italia si partnere e Gjermanisë, më 10 qershor 1940 deklarohet për luftë me Anglinë dhe ish-B S. Më 7 dhjetor 1941 Sh.B.A i shpallin luftë Japonisë. Pas katër muajsh Gjermania deklarohet për luftë me Sh.BA. Duke u gdhirë 22 qershor 1941 Gjermania në mënyrë të njëanëshme prish paktin me ish-B.S duke e sulmuar në befasi. Ngjarja e fundit vuri në lëvizje seriozisht diplomacinë botërore, që të mendonte dhe vepronte për të gjetur rrugët për të shpëtuar njerëzimin nga kjo katastrofë me shtrirje në tre kontinente (Evropë, Azi dhe Afrikë). Fuqitë e Mëdha dhe forcat progresive në vende të ndryshme, angazhohen në tratativa diplomatike duke krijuar Koalicionin Antifashist Botëror. Pas sulmit mbi ish-B.S kryeministri anglez Çërçill dhe presidenti amerikan Ruzvelt, në emër të qeverive të tyre, u artikuluan botërisht qartë dhe prerazi për mbështetje morale dhe materiale ndaj ish-B.S. Në gusht 1941 u zhvillua Konferenca Anglo-Amerikane, që shpalli dekretin, i cili ka hyrë në histori me frazeologjizmin “Karta e Atlantikut”. Në shtator 1941 në Londër mbahet Konferenca e Përfaqsuesve të Ish-B.S, Çekosllovakisë, Belgjikës, Greqisë, Polonisë, Hollandës, Norvegjisë, Luksemburgut dhe “Francës së Lirë” (kjo e fundit e drejtuar nga De Goli me qëndrim rezident në Angli S.R. Më 29 shtator dhe në tetor 1941 u mbajt në Moskë Konferenca e Tre Fuqive të Mëdha: Angli, ish-B.S dhe Sh.B.A, e cila u shpreh për ndihmë konkrete ndaj ish- B.S, i cili edhe mbante peshën kryesore të luftës. Përfshirja e Japonisë në veprime luftarake në Port Herber, bëri që në krah të Sh.B.A të rreshtohen Australia, Zelanda e Re, Kanadaja, Bashkimi Jugafrikan, India, Egjipti, Kina, dhe disa vende të kontinentit Amerikano-latin. Këto më 1 janar 1942 në Uashington nënëshkruan Deklaratën e Kombeve të Bashkuara, përmes së cilës konfirmojnë pjesëmarrjen e gjithë forcave të tyre ushtarake, ekonomike e sociale kundër fashizmit. Në këtë mënyrë konsiderohet e organizuar rezistenca kundër nazifashizmit, e cila do të çojë happashapi, por me siguri, në shëmbjen e makinës ushtarake agresive, më e egra dhe më gjaksorja që ka parë njerëzimi deri në ditët e sotme, për t’u krijuar shteteve dhe popujve të ndryshëm kudo në botë mundësi reale për të jetuar në liri dhe prosperitet.

   Në analizë të kësaj masakre domosdoshmërisht duhet të nënvizojmë faktin që globi u nda në dy pjesë:në njërën anë u pozicionuan shtetet luftënxitës: Gjermania, Italia e Japonia, dhe disa shtete të tjera, duke krijuar një lidhje ushtarake mënxyrrëndjellëse. Në anën tjetër u grupuan shtete, popuj dhe forca përparimtare, që krijuan Koalicionin Antifashist Botëror, të kryesuar nga Sh.B.A, ish-B.S dhe Anglia, i cili udhëhiqej nga “Treshja e Madhe” Ruzvelt, Stalin, Çërçill. Në teatrin e stërmadh botëror, ku u luajt drama më tragjike e popujve deri tashmë, këta tre Burra Shteti, menaxhuan me mënçuri dhe ndjeshmëri të thellë zhvillimet, të cilat si në çdo luftë, ishin sa të ashpra aqë edhe gjakderdhëse.

   Ky Koalicion, ku për fat të mirë u rreshtua edhe vendi ynë, në sajë të vullnetit dhe vendosmërisë së duhur të këtyre Burrave të Mëdhenj, funksionoi në mënyrë perfekte dhe efektive, sidomos në vitet 1941-1943, për t’u krijuar disa të çara më vonë, por që nxorrën krye më qartë më 1944, e sidomos pas përfundimit të Luftës II Botërore, për të degjeneruar më vonë në një ndarje makabre të globit midis dy blloqeve apo kampeve me prirje ideologjike dhe vullnet diametralisht të kundërt.

Ja pak a shumë si funksionoi ky koalicion i komplikuar, i vështirë, por edhe mirorganizuar dhe kontrolluar. Dy ditë pas sulmit nazist mbi ish-B.S presidenti Ruzvelt zhbllokoi disa pasuri ruse me vlerë totale prej 39 milion dollarë. Tre muaj më pas Sh.B.A angazhoheshin të dërgonin në ndihmë të ish-B.S 1 milion dollarë gjatë 12 muajve në vazhdim. (Dërgimi i ngarkesave dhe furnizimeve të para filloi në tetor 1941 S.R. Uzinat e paralizuara ruse u pajisën me makineri dhe lëndë të parë, përfshi edhe pajisje të blinduara për tanket. Ushtria Ruse merrte furnizime së paku në 4 mijë aeroplanë dhe 500 tanke në muaj; 5 mijë makina të tjera në muajtë pasardhës, sasi të mëdha armatimi kundërtank, armë kundërajrore të kalibrave të ndryshëm, ushqime, veshmbathje, etj. etj. Vetëm në tetor u dërguan 5500 kamionë. Në verë 1942, përveç pajisjeve të tjera të miratuara, ish-B.S do të furnizohej çdo muaj me 500 xhipe, 10 mijë kamionë, 200 mijë mitraloza etj. Dihet tashmë, që më shumë se 400 mijë kamionë u dërguan në ish-B.S. Sipas protokollit të dytë, çdo muaj do të dërgoheshin 100 aeroplanë gjuajtës, 100 aeroplanë bombardues të lehtë, 12 aeroplanë bombardues mesatarë. Gjatë 1943 u transportuan 360 mijë tonë ngarkesa. U porosit dhe u realizua prodhimi i 1900 lokomotivave me avull, 66 të tjera me naftë, 9920 vagonë-çisternë etj.

   Pra, mund të gjykohet qartësisht, se në këtë koalicion kanë dhënë kontribut me vlera të pallogaritëshme ish-B.S me resurse njerëzore, ndërsa Sh.B.A dhe Anglia me armatim, municion dhe pajisje luftarake, por edhe me ushqime e veshmbathje, aqë të domosdoshme për veprime luftarake të suksesshme. Natyrshëm s’duhet mohuar edhe kontributi i shteteve më të vogla e më pak të fuqishme, por që, përpos të tjerash, gjithësesi, shërbenin edhe si prapavijë e besueshme e Koalicionit Antifashist Botëror. Ndër ‘to është vlerësuar edhe ndihmesa e popullit shqiptar, i cili ndër të parët në Ballkan dhe Evropë organizoi qëndresën e armatosur kundër pushtuesit të huaj, duke krijuar Çetën e Parë Partizane në rrethinat e Tiranës, në fshatin Pezë. Lufta Antifashiste e popullit shqiptar shkoi në një linjë me motivin e përcaktuar nga Fuqitë e Mëdha, për të çliruar vendin nga pushtuesit e huaj. Në bilancin e Luftës II Botërore çështja shqiptare u kualifikua si vijon: pati 12 mijë viktima në njerëz; 20 mijë shtëpi u shkatërruan; 90 mijë bagëti të trasha dhe 150 mijë të imta u asgjësuan; 25 mijë kv. drithra u dëmtuan; si dhe shumë të holla të vjedhura në bankat dhe nga plaçkitjet. Me gjithë devijimet në disa raste nga kjo vijë, gjithësesi ajo mbetet një kontribut i çmuar në luftën e përbashkët të popujve për të shpartalluar forcat regresive të bllokut militar Berlin-Romë-Tokio, po të mbajmë parasysh numrin e popullsisë të kufizuar si dhe gjëndjen ekonomike dhe organizative mjaft të dobët të vendit tonë, si një ndër viktimat e para të kasaphanës së përbotëshme.

 

“Lufta e Ftohtë” e pranishme atëmot e sidomos në të pastajmen

   Historiografia botërore shprehet qartë se “Lufta e Ftohtë”, që do të vijonte gati për gjysëm shekulli, nuk lindi brënda një dite. Përkundrazi, e ka zanafillën nga fundi i dhjetëvjeçarit të dytë të shek.XX, pikërisht kur bota u nda në dy pjesë për shkak të ideologjive krejt të kundërta. Por ishte rasti i fillimit të Luftës II Botërore, e sidomos kur ajo mori karakter botëror, që si domosdoshmëri të krijohej një lidhje midis shteteve dhe popujve përparimtarë për të ndalur murtajën nazifashiste. Ideatorët dhe krijuesit e Koalicionit Antifashist Botëror, mbeten Franklin D. Ruzvelt, udhëheqësi i Sh.B.A; Josif V. Stalin, udhëheqësi prej gati 20 vitesh i ish-B.S, dhe Uinston Çërçilli, udhëheqësi mjaft brilant i Anglisë. Të tre kishin formim dhe vizion të ndryshëm, për zhvillimin dhe prosperitetin e popujve të tyre dhe të botës, jo vetëm në kushtet aktuale, por sidomos në të ardhmen. Por, gjithësesi, gjetën gjuhën e arësyes si dhe muarën përgjegjësi të mëdha, duke pranuar të bashkëpunojnë në harmoni dhe me transparencë, për të menaxhuar teatrin e stërmadh të zhvillimeve luftarake në gjithë globin, të paparë për nga egërsia dhe intensiteti në atë mot dhe deri në ditët e sotme.

   E njihnin mjaft mirë njëri-tjetrin (edhe pse Stalini e Ruzvelti u takuan vetëm dy herë: në nëntor 1943 në Teheran, dhe në shkurt 1945 në Jaltë S.R), si përsa i përket formimit dhe karakterit individual, por sidomos për ideologjinë që i udhëhiqte në drejtimin e shteteve të tyre. Kështu Ruzvelti, së paku deri në shkurt 1940, përpos të tjerash, për zhvillimet në ish-B.S, rezervon mendimin se ky shtet udhëhiqet nga një sistem po aqë absurd sa çdo sistem tjetër diktatorial në botë. Njëherësh, Ai me Çërçillin, për Stalinin kishin mendimin se ai “.. nuk ishte i vetmi i burgosur i pashpresë i ideologjisë leniniste”, por gjithësesi ishin të vetëdijëshëm se demokracitë e vendeve të tyre i detyroheshin shumë Ushtrisë së Kuqe për disfatën e ardhëshme të Adolf Hitlerit. Ata shkojnë edhe më tej, kur pohojnë me sinqeritet se, dita e zbarkimit në Normandi nuk do të kishte ardhur kurrë, nëse Stalini nuk do të kishte ndalur ushtrinë naziste në Frontin e Lindjes. Shprehimisht ata pranojnë se, “… në kohën kur Treshja e Madhe u mblodh në Jaltë, (shkurt 1945 S.R) Ushtria e Kuqe ishte vetëm 17 km. larg Berlinit”. Kësisoj na kthjellohet sado pak mendimi se, kemi të bëjmë jo vetëm me transparencë si çështje karakteri, por edhe me përgjegjësinë, aqë të nevojëshme për ata që e quajnë veten “Burra Shteti”.

Për domosdoshmërinë e krijimit të Koalicionit Antifashist Botëror, Ruzvelti, natyrisht jo vetëm praktik por edhe mjaft parashikues i së ardhmes, pati rekomandimin edhe të Xhozef E. Dejvis, ish-ambasador i Sh.B.A në ish-B.S më 1936-1938, i cili e këshilloi në fillimvitin 1939 se, nëse kryeministri anglez Nevill Çambërleini vazhdon të ruajë paqen me Gjermaninë, kur Hitleri marshon fitimtar nëpër Evropë, atëhere Stalini, i lodhur duke mbajtur shpresa të kota nga Perëndimi, do ta vendoste, në mënyrën e tij, paqen me Gjermaninë, e cila si për ironi, u realizua në gusht të po këtij viti, me nënëshkrimin e paktit sovjeto-nazist për paqe.

Midis “Treshes së Madhe”, Ruzvelti veçohet për kontributin për ta ruajtur këtë aleancë botërore. Është rasti të sjellim në vëmëndjen e lexuesit se, në fundviti 1943, kohë kur kanë filluar “të krisurat” e para në aleancë, Ruzvelti urdhëron në mënyrë të prerë, që të plotësohen deri në një porositë e sovjetikëve për pajisjet, edhe pse kjo do të thoshte një sakrificë më tepër për Sh.B.A. Njëherësh jepte porosi të formës së prerë, që mos abuzohej me këtë fakt, pra e thënë më shqip, kjo ndihmë kurrë të mos keqpërdorej si mjet manipulimi për të nxjerrë informacion nga ish-B.S, ose për atë. Me këtë Ai njëkohësisht synonte edhe që t’i tregonte Stalinit kapacitetin e habitshëm prodhues dhe qëndrueshmërinë e fuqinë industriale të një shoqërie demokratike.

   Edhe pse kjo Aleancë nga analistët është konsideruar perfekte dhe padyshim efektive, ajo nuk mundi t’u shpëtojë ndikimeve ideologjike të drejtuesve të Fuqive të Mëdha, krejt të kundërta këto. “Plasaritja” e parë shfaqet në tetor 1943, kohë kur Stalini shprehet me tone mjaft të ashpra se gjoja, qeveria sovjetike nuk është mbajtur në korrent të ngjarjeve e të negociatave anglo-amerikane me italianët, pas kapitullimit në shtator 1943, çka nga dokumentat arkivore nuk rezulton kështu. “Plasaritja” e dytë vjen në mars 1945, kur nga pala sovjetike merrte vesh një plan që bën fjalë për dorëzimin e gjermanëve në Itali pa prezencën e përfaqësuesit rus. “Plasaritja” më serioze vjen pas Jaltës, kur sovjetikët, për gjërat që nuk duken, (si zakonisht që e kanë zakon, veprojnë sipas mëndjes së tyre, pra ata nuk u përmbahen më detyrimeve që rrjedhin nga të qënët në koalicion. Por për këtë çështje ka të dhëna që dëshmojnë se, që para zhvillimit të Konferencës së Jaltës, Stalini kishte vendosur t’i jepte fund bashkëpunimit të pasluftës. Këtë na e dëshmon Zhak Dëkloja, zyrtari përgjegjës i Kominternit për partitë komuniste perëndimore, kur në prill 1945, referuar homologut të tij Uilliam Z. Foster në Sh.B.A, pos të tjerash shkruan se, administrata e Ruzveltit edhe pas luftës do të vijonte të ishte e njëjtë ashtu si deri atëherë, pra, thjesht një qeveri imperialiste. Por gjykuar në zhvillimin e ngjarjeve dhe, sidomos në qëndrimet e Ruzveltit, mendojmë se ky përfundim nuk qëndron. Në mjaft dokumente pohohet se, Ruzvelti në periudhën 1943-1945 kishte vënë si detyrë vendimtare që, së pari, të përfshinte Sh.B.A në strukturat e paqes të pasluftës. Detyrë tjetër të rëndësishme, Ai konsideronte bashkimin e forcave sovjetike në luftën kundër Japonisë, dhe, së fundi, arritjen e një marrëveshjeje me sovjetikët për të gjetur një zgjidhje për synimet e tyre në Evropën Lindore, dhe më tej, për ndarjen e zonave të kontrollit në Gjermani, por gjithësesi në mënyrë që popujt të kenë të drejtë të zgjedhin formën e qeverisjes që do të administrojë jetën e tyre.

   Ruzvelti udhëhiqej nga bindja se, pasi të fitohej lufta, paqja do të vendosej nga “Katër Policët”: Ai, Stalini, Çërçilli dhe Çian Kai Shia, të cilët do t’i jepnin formën dhe do të mbikqyrnin botën e pasluftës, me legjimitetin se, ata përfaqësonin popujt më të fuqishëm (as më shumë e as më pak por kishin 1 miliard banorë S.R. Kjo aspiratë nuk ka lindur në vitin 1945, as më 1944 apo më 1943, por në qershor 1942, kur Ai këtë plan ia pati transmetuar Vjashesllav Molotovit, atëmot komisar i punëve të jashtme të ish-B.S. Më 5 janar 1945, vetëm fare pak ditë para se të ndahej nga jeta, Ai porosit që të bëhet çdo përpjekje për të vazhduar ndihmën e plotë dhe të pandërprerë ndaj ish-B.S, por që fatkeqësisht me vdekjen e tij, ajo u ndërpre si me thikë pas ditës së fitores në Evropë më 8 maj 1945, për të vazhduar e tillë, por tashmë e pagëzuar me emrin ndjellakeq “Lufta e Ftohtë” për gati gjysëm shekulli. Pasojat e kësaj ndarjeje mizore dhe po aqë të hidhur do t’i vuante edhe populli shqiptar për shkak të vendosjes së tij në kampin e drejtuar nga ideologjia marksiste-leniniste.

SHKARKO APP