Frrok Çupi zëvendëson avokat Ngjelën: Amerika do të shpallte PD-në dhe LSI-në, Hamas dhe Hezbollah, dmth terroristë
Ditë edhe më të vështira po vijnë. Koronavirusi, sa vjen dhe po i trondit edhe më tej mendjet e shquara njerëzore.
Është pikërisht, analisti i njohur i emisionit të zonjës Eni, i dëshiruari për të qenë ambasador i Shqipërisë në Vatikan, por që siç thonë, nuk e ka pranuar Ilir Meta, vetë zotni Frrok Çupi, që në emër të vetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shpjegon prapaskenat e ethshme të katastrofës, që do t’i ndodhte PD-së dhe LSI-së, nëse do të vazhdonin protestat e dhunshme.
Ja fjalët që derdh zotni Frrok Çupi për gazetën “Fjala”, lidhur me këtë problem:
–Shtetet e Bashkuara iu kanë bërë me dije dy partive (PD-LSI) se edhe një shkrepëse po të ndezin në bulevard a mbi institucione, atëherë do të shpallen celula të dhunës. Por a e dini çfarë do të thotë kjo? – pyet, fill pas pyesjes së gazetares, Frrok Çupi dhe ashtu si avokati, po vetë përgjigjet:
– Ata të të dy partive e dinë shumë mirë, sepse e njohin mirë aromën e pushtetit: Që në atë moment PD do të quhej Hamas dhe LSI- Hasbullah, për shembull.
Pas këtyre deklaratave shumë të forta, ku zotni Frrok Çupi, e bashkon opozitën shqiptare me grupet terroriste, sigurisht që pritet edhe reagimi urgjent i ambasadores Yuri Kim, për vërtetësinë e këtyre fjalëve, thjesht për faktin, që ajo kohët e fundit, ka marrë trajtat e policit të medias online. Shquhet në këtë policim, veçanërisht media Lapsi.al, ku ambasadorja herë pas here, i tërheq fort veshin dhe po herë pas here, Lapsi.al, kthen përgjigje, duke e rikthyer veshin në pozicionin fillestar.
PS. Që të mos lodheni më shumë, me arsyetimet tona, meqë jemi edhe në prag festash, ju lutemi lexoni të plotë, pyetje-përgjigjen e parë, të zëdhënësit të parë, të avokat Ngjelës, vetë zotni Frrok Çupit!
Marrë nga TPZ.al. Rubrika satirike: “Tej e Këtej”
Intervista në Gazetën Fjala:
Vrasja e 25-vjeçarit Klodjan Rasha nga një punonjës policie solli reagime dhe protesta në vend, një protestë që zgjati gjashtë ditë, ku aktet e dhunës nuk munguan. Përse ndali kjo protestë, iu “sos durimi” të rinjve, apo policia mori masa të forta që ndaloi grumbullimet?
Ka disa arsye pse ‘protesta’ u fik shpejt, ndoshta shumë arsye. Një arsye, ndoshta kryesore, pse protesta nuk kishte frymëzim as kauzë. Si të thuash pse shuhet një zjarr që nuk ka as prush as shkarpa… Ata thanë se po protestonin për ‘vrasjen e Klodianit’…
Dhimbja e një vrasjeje, sidomos në ato rrethana, nuk është frymëzim për protestë. Ajo vdekje aq e dhimbshme, do të ishte frymëzim për procesion dhe amëshim, për miliona lule dhe qirinj, për qindra mijëra njerëz në shesh me heshtje e me ‘class stance’. Po kujt t’i thuash? Shoqëria jonë humbi edhe një rast për t’u ndarë nga ateizmi i këtyre që ndotën qytetin; kishte rast të manifestonte deontologjinë e mortjes dhe kodin tonë të lashtë të vdekjes. Po ja… Arsye tjetër është se këta, njëqind a dyqind vetë, i zunë ‘fronin’ popullit. Populli do të dilte të manifestonte Mesinë e vet. Por nuk lejuan popullin në fron, dhe lëvizja do të mbaronte si flaka e kashtës.
Arsye e tretë e shuarjes është se prapa këtyre ‘protestuesve qëndrojnë fshehurazi dy partitë politike që kanë humbur pushtetin dhe e kërkojnë pa vota. Kjo dëshmoi se populli nuk ka më lidhje me ‘pushtetin e vjetër’. Ka edhe një arsye, që për mua është prezent fatmirësisht: Shtetet e Bashkuara iu kanë bërë me dije dy partive (PD-LSI) se edhe një shkrepëse po të ndezin në bulevard a mbi institucione, atëherë do të shpallen celula të dhunës. Por a e dini çfarë do të thotë kjo?
Ata të të dy partive e dinë shumë mirë, sepse e njohin mirë aromën e pushtetit: Që në atë moment PD do të quhej Hamas dhe LSI- Hasbullah, për shembull. Dhe një arsye shumë e rëndësishme: Policia manifestoi forcën e duhur dhe profesionalizëm në mbrojtje të interesave të kombit.