Fshati dhe politikat sociale për të të harruara nga qeveritë     

Nga Dhimitër Gegprifti

Menduam ta titullonim kështu shkrimin tonë, pasi në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të gjithë jemi Qytetarë të kësaj republike, pavarësisht, ku ndodhemi në fshatin aktual apo në ndonjë qytet. Në një farë mase është një pyetje retorike për të cilën letërsia na mëson se këto lloj pyetjesh nuk kanë përgjigje.  Ajo duhet nënkuptuar dhe është një nëntekst. Ky nëntekst në të shumtën e rasteve mbetet i padeklaruar, i pakuptuar, shpesh i debatuar dhe qytetarët e këtij shteti, që po  zvarritet për t’u bërë shtet i vërtetë, çdo ditë, pse jo edhe me netë të tëra i shtrojnë pyetje të tilla nga më të ndryshmet vetes dhe bashkëqytetarëve të tjerë. Pyetja e ditës: A do të bëhet ky vend? A do të bëhet Shqipëria? Shoqëria shqiptare e pasviteve ’90 ka parë, po shikon dhe do të shikojë ndryshime rrënjësore  në tërë shoqërinë, por kjo shoqëri është e paorjentuar: Ku do të arrij dhe si? Për gati tre dekada na është thënë e premtuar se do të shkojmë drejt Europës, do të jemi anëtarë të familjes së madhe Europiane. Me mënyrën si është punuar dhe me mendësitë

e “politikës” shqiptare nga fillimet e deri më sot me këto realitete, duket se po rrimë në vend numëro dhe duket se po bëjmë hapa prapa në shumë reforma ekonomike, strukturore, sociale, legjislacion, drejtësi e të tjera. Synime të tilla madhore nuk arrihen me data apo, me deklarata, me akuza dhe kundërakuza nga më të çudiçmet dhe më të pabesueshmet: korrupsion, vrasje aksidentale, por dhe krimi i ditës akoma më shumë. Me këto dukuri jemi bërë shqetësues për mbarë Europën dhe SHBA-ës dhe më gjerë. Gjithnjë e më shumë “politika” dhe “politikanët” po veniten, po bëhen edhe më të pabesueshëm. Këto janë fakte. I dëgjojmë çdo ditë në medja, në opinione, analiza, komente, deri sa nxjerrin nga emisioni me ofendime njëri-tjetrin, siç ndodhi në emisionin “ 360-gradë”. Analiza dhe opinione metafizike, nihiliste, mohuese, direkt dhe në rrjetet sociale, sa po vlerësohen jo njëherë si të turpshme nga Kryeministri i vendit në emisionin “Opinion”! Sa do të vazhdojë kështu Shqipëria?

Një përgjigje të tillë duhet ta kishin dhënë Qeveritë e këtij vendi, të “majta” apo të “djathta” në këto 28 vite tranzicioni, që ende zvarritet me dashje nga politika, “Rozafa” e saj, disniveli kulturor, politik, mentalitete të vjetra dhe të egra, por edhe nga mosdija dhe mungesa e objektivitetit. Qytetarët e këtij vendi e shikojnë të ardhmen e tyre këtu, ku kanë lindur, rritur, por edhe për trashëgimtarët e tyre, e ardhmja e vërtetë e këtij vendi, prandaj i shtrojnë këto pyetje. Në bisedat e tyre të bije në sy pesimizmi, si një formë proteste i theksuar dhe kjo më shumë dhe më e theksuar në qytetarët e fshatit, kryesisht të zonave të thella malore. I gjithë ky shqetësim i madh konkretizohet me pyetjen: Kush pyet për ne? Dhe kjo është mëse e qartë dhe e saktë. Në këto , gati tri dekada fshati me qytetarët e tij është harruar fare, është lënë në “shejtninë e tij”, siç shkruante Migjeni. Asnjë lloj politike sociale në perspektiv për fshatin, nga asnjë forcë politike. Braktisje totale në jo pak fshatra të Shqipërisë, një zë ky tepër shqetësues, që nuk e kemi dëgjuar as në një prej sondazheve të mediave serioze, por as dhe nga Instituti i Statistikave

Nisma e Qeverisë për 100 fshatra turistik është një kthim optimist te problemet e mëdha të fshatit shqiptar, por Shqipëria nuk ka njëqind fshatra?  Pushtet Vendore në raste sporadike bëjnë ndonjë lëvizje, ndonjë investim i thënçin, për ta nuk ekziston termi “fshat” nëpër formulare, vendime, plane, shkresa informacione për qytetarin e fshatit të braktisur. Modeli ekziston: Bashkia e Tiranës, edhe Bashki të tjera, por jo me këto përmasa. Na takon të shtrojmë pyetjen: Do të mbetet fshati shqiptar i tillë, ku nuk shikon asnjë llambë elektrike jashtë në rrugë, një natë e frikshme, me rrugë e shtëpi të shkatërruara, me njerëz, që rropaten gjithë ditën e deri natën vonë me ato copa toka dhe ato katër a pesë bagëti. Njerëz të kërrusur e të mpakur nga vuajtjet, në të shumtën e rasteve pa shërbime sociale, pa valë televizive, me shtëpi të braktisura e të shembura, me shkolla të tkurrura ose të mbyllura.

Në gjithë këtë vështrim panoramik social kam parasysh Mokrën dhe fshatin shqiptar në përgjithësi, Mokrën Sipër në veçanti në rrethin e Pogradecit e mbi të gjitha me njerëz të mirë e punëtor, por kanë humbur shpresë edhe në kushtet, kur po ndërtohet autostrada Qukës-Qafë-Plloçë, e cila sikur po rigjallëron shpresat për një të ardhme më të mirë e më të sigurt.

Së fundi na duhet të pyesim politikën shqiptare dhe qeveritë e dala nga kjo politikë: A do të vazhojë fshati shqiptar gjithnjë e më shumë të humbasë dinjitet, histori, a do të vazdojë të shkretohet dhe të gjithë  bëjnë sehir pa menduar dhe pa u kujdesur për politika sociale bindëse, shpresëdhënëse kushtuar fshatit shqiptar në përgjithësi.

SHKARKO APP