Fushata për universitetet, Xhemollari: S’ka vetting për plagjiaturat, por vetëm vetëdeklarim

Procedurat për kandidimin dhe nisjen e fushatës për drejtuesit e rinj të universiteteve kanë nisur jashtë afateve. Në një intervistë për RTV Ora, përfaqësuesi i ‘Qëndresës Qytetare’ Rigels Xhemollari, shprehet se kjo do të cënojë të gjithë procesin, ndërsa thekson se emergjente mbetet vetting për plagjiaturat.  

Fushata për zgjedhjen e kupolës drejtuese të universiteteve në Shqipëri ka nisur me parregullsi dhe shkelje afatesh. Në një intervistë për RTV Ora përfaqësuesi i qëndresës qytetare Rigels Xhemollari, shprehet se veprimet, do të cënojnë cilësinë e përzgjedhjes.

Rigels Xhemollari: Duhet të kishin publikuar rregulloret e zgjedhjeve në Universitete. Me përjashtim të Universitetit të Tiranës të gjitha universitetet e tjera e kanë shkelur këtë urdhër duke mos nxjerrë rregulloren në afat. Kjo do të përbëjë një shkak që aktet e mëpasshme që do të shoqërojnë procesin zgjedhor mund të jenë të pavlefshme.

Një tjetër problematike e evidentuar është dhe vetting i premtuar për plagjiaturat, që sipas Xhemollarit, nuk po eliminon askënd nga sistemi.

Rigels Xhemollari: U premtua se do të bëhej vetting akademik por nuk do të bëhet asgjë. Do të bëhet thjesht vetëdeklarim që secili kandidat nuk ka plagjiaturë. Nuk do të ketë një kërkim dhe një evidentim të plagjiaturave, por do të ketë thjesht një deklarim si rasti i dekriminalizimit.

Tarifat e përgjysmuara për studentët, sipas tij mbeten vetëm të shkruara te Pakti për Universitetin.

Rigels Xhemollari: Nga njëra kemi studentët që ankohet se universitetet ju kërkojnë tarifë të plotë dhe nga ana tjetër kemi universitetet që shfajësohen se po u kërkojnë gjysmë tarife. Çdo student që ka mesatare mbi 6, pavarësisht se mund të ketë lëndë të mbartura, përfiton gjysmë tarife.

Zgjedhjet për drejtuesit e universiteteve do të mbahen më 8 maj, por edhe këtë vit studentët do të kenë vetëm 10% të vendimmarrjes në përzgjedhjen e kryesuesve.

SHKARKO APP