Gara për vaksinën e Covid-19, 40 ekipe shkencëtarësh betejë me kohën

Koronavirusi po përhapet nëpër botë duke i lënë njerëzit të pambrojtur në mungesë të vaksinës. 40 ekipe të ndryshme shkencëtarësh po punojnë për gjetjen e ilaçit prej muajit janar dhe disa kanë nisur testimet e para te kafshët dhe njerëzit.

Edhe strategjitë më efektive të karantinimit dhe izolimit shtetëror arrijnë veç të ngadalësojnë përhapjen e sëmundjes respiratore, Covid-19.

Tani që është shpallur pandemi globale, shpresat për kurimin e të sëmurëve janë kthyer te vaksinat.

Gara për prodhimin e tyre vazhdon nëpër botë me ritme të përshpejtuara falë edhe përpjekjeve kineze që në muajin janar identifikoi materialin gjenetik të virusit për t’u studiuar nga shkencëtarët e tjerë.

“Qasja jonë është të riprodhojmë sintezën proteinike të virusit, duke injektuar një sasi të vogël vaksine në krah për të krijuar antitrupat pas disa javësh. Shpresojmë që këtë ta realizojmë me një injektim të vetëm për një popullatë të madhe,” tregon drejtuesi i një kompanie bioteknologjie amerikane.

Për shkak të kërcënimit të infeksionit Covid-19, disa laboratorë nëpër botë i kanë vënë vetes objektiva ambiciozë që ta kenë vaksinën gati brenda vitit.

Testet e para te njerëzit nisën të hënën me një paciente amerikane në Uashington.

Në stad të avancuar duket se është edhe firma gjermane, CureVac, e përfolur këtë javë për bisedime ekskluziviteti me Shtetet e Bashkuara për t’ua ofruar vaksinën fillimisht amerikanëve.

Këto raportime janë mohuar, dhe firma tani ka marrë një grant 80 milionë euro nga Bashkimi Europian për zhvillimin e vaksinës.

Produkti final synohet të jetë gati brenda vjeshtës nëse në verë nisin provat klinike me prototipet.

Rreth 40 kompani të tjera po studiojnë metodat më të frytshme për të luftuar koronavirusin, por prodhimi në masë i vaksinave para viti 2021 mbetet një sfidë.

Deri atëherë, OBSH-ja rekomandon që vetizolimi, shmangia e udhëtimeve dhe ruajtja e higjienës pas çdo kontakti me njerëzit e tjerë janë masat më imediate për mospërhapjen e infeksionit.

SHKARKO APP