Garda pretoriane dhe Skënderbeu

Nga Safet Ramolli- Viti 2018 nga qeveria shqiptare është vendosur si Viti i Skënderbeut. Kjo duke marrë shkak nga 17 janari i vitit 1468, kur prijësi i shqiptarëve ndërroi jetë në Lezhë. Fatkeqësisht, Atij dhe disa të tjerëve, të cilët i kanë bërë nder jo vetëm popullit shqiptar por edhe më gjerë, u dimë vetëm ditëvdekjen. Udhëhoqi vendin për gati një çerek shekulli kundër sulmeve osmane, duke u shndërruar në një barrierë të pa pakapëxyeshme të ushtrisë turke, nga më të fuqishmet e kohës, drejt Evropës, e cila është deklaruar haptazi dhe me zëplot mirënjohëse. Skënderbeu mbetet themelues i të parit shtet shqiptar, por sidomos strateg ushtarak me përmasa më tepër se sa rajonale. Ai njihet si ideator, themelues dhe komandues i Gardës së Shtetit, për të cilën, po bëj përpjekje të hedh dritë sadopak përmes këtij punimi. Në lëmin e strategjisë ushtarake mbetet midis të përkorëve, duke zënë vend meritueshëm në kulmin e piramidës drejtuese.

Shekulli  XV, “Shekulli i Lavdisë së Madhe

Këshilli i Ministrave me vendimin nr. 562 datë 6.12.1993 si datëlindje të Gardës së Republikës ka përzgjedhur 24 qershorin e vitit 1928. Edhe pse korigjon një vendim të mëparshëm, i cili si datë krijimi përcaktonte 12 shkurtin e vitit 1944, personalisht mendoj se ka mjaft dokumente që hedhin dritë për praninë e Gardës së Shtetit së paku nga viti 1923, problem që kërkon trajtim të veçantë.

Megjithatë, gërmimi në retrospektivë na çon në përfundimin se elementë të besueshëm të funksionit të Gardës së Shtetit i gjejmë edhe më herët, duke datuar me shekullin e pesëmbëdhjetë në shtetin e krijuar nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Qarqet studimore e shkencore, në lidhje me “problemin shqiptar” sa i përket origjinës, evoluimit, rrugëve të përshkuara, etj.kanë arritur në pohimin se ilirët janë popull autokton dhe se shqiptarët janë pasardhës të drejtpërdrejtë të tyre. Njoftimet e para dokumentare për ilirët vijnë nga thellësitë e shekujve VII-VI-të p.e.r, për të qënë më prezente në të pastajmen. Por krejt natyrëshëm Shek. XV do të mbetet “Shekulli i Lavdisë së Madhe”, sikurse e epiteton enciklopedisti Jeronim de Rada më parë, “Dijetari” (Sami Frashëri) më vonë, dhe mjaft të tjerë deri në ditët e sotme. Harkun kohor të lulëzimit të Principatave Shqiptare, kur u realizua bashkimi i shqiptarëve nën Balshën dhe Shpatën, poligloti Fan. S. Noli, do ta stigmatizonte si një meteor të ndritëshëm, që shkoi në qiellin shqiptar pas furtunës, por që gjithësesi do të zhdukej duke lënë pas një errësirë të thellë. Perandoria Osmane në vitet 1385 – 1479 do ta pushtonte “de facto” gjithë Shqipërinë. Dëshira për të jetuar në liri dhe për të ruajtur nderin “e  armëve të bardha” nuk mjaftoi.

Mandej kombi konsolidohet dhe Flamurin e Lirisë e muarën të tjerë kapedanë si  Kastriotët, Topiajt, dhe të tjerë. Kjo qëndresë do të jetë e suksesëshme sidomos, kur në krye të saj u vu Gjergj Kastrioti, Skënderbeu. Ajo hyri në histori si legjendë sepse u përballua ushtria më e madhe e kohës; u vunë para provave të vështira sulltanët famozë otomanë; u fituan 23 beteja nga 25 të tilla në përballje me dy sulltanët më të mëdhenj (Murati II dhe Mehmeti II) dhe me 50 pashallarë, tre prej të cilëve ishin shqiptarë (Ibraim Beu, Jakup Arnauti, Ballaban Badera – pasha S.R); u kapën robër dymbëdhjetë pashallarë turq; i shkaktoi kundërshtarit 160 mijë  të vrarë etj.

  Në këto zhvillime të suksesëshme, krahas forcave të tjera ushtarake, veproi edhe Garda Pretoriane (roje pretoriane, roje mbretërore, që i përket Mbretit, që ruan Mbretin etj. S.R) për të cilën domosdoshmërisht duhet hedhur dritë.

 

Cili është vendi i Gardës Pretoriane në Ushtrinë e Skënderbeut?

Shqiptarët duhet të jenë të një mendimi se, Shteti Shqiptar rezulton i organizuar përpara fillimshekullit XX. Natyrëshëm ai do të kishte edhe institucionet përkatëse, të cilët mundësonin administrimin e shtetasve, mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe të interesave të larta të shtetit, si dhe ruajtjen dhe sigurimin e Personaliteteve të Larta Shtetërore. Hulumtimet në shkrimet edhe jashtë trojeve shqiptare hedhin dritë të mjaftueshme në thellësinë e historisë së vendit tonë; ato natyrëshëm ndriçojnë edhe çështjen e lindjes dhe të evoluimit të Gardës Shqiptare, si një komponent bashkëshoqërues i zhvillimeve në gjithë fushat jetësore të popullit tonë. Gjykuar mbi këto fakte, mund të vlerësohet e çmohet se, nocioni “GARDË”, si konceptim apo si veprimtari praktike, ekspozohet jo në pak raste që në shekullin  XV.

Historishkruesi i Skënderbeut, humanisti i parë shqiptar Marin Barleti, në veprën e mirënjohur për vlerat e veçanta historike dhe mesazhet e ngrohta atdhetare që përcjell, “Historia e Skënderbeut”, me titull të plotë “Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut, princit të epirotëve”, botuar në vitet 1508 – 1510, vetëm dyzet vjet pas vdekjes së Skënderbeut, disa herë pohon me krenari dhe i referohet konceptit “Gardë“. Ai na prezantohet i mirëinformuar dhe i përkushtuar, por edhe i aftë e argumentues për interpretimin e kësaj çështjeje. Gjithësesi, ka meritën e veçantë sepse na jep emërtimin e saktë e të plotë: “Garda Pretorine” (Praetoria Cohors S.R).  Ai ruan mendimin se Skënderbeu, i pregatitur si ushtarak i kompletuar në shkollat e Perandorisë Osmane, por edhe në veprimet praktike ushtarake të përherëshme të vendlindjes së Tij, e dinte shumë mirë vlerën e një ushtrie të rregullt, të përherëshme dhe në gatishmëri të plotë, prandaj edhe organizoi një ushtri efektive, e cila parapëlqente veprimin dhe  ndeshjen me kundërshtarin. Kryekomandanti do të kishte edhe një bërthamë ushtarake të përbërë nga trupa të zgjedhura, numri i së cilës nuk i kalonte  2 000. Kjo trupë kishte si cilësi kryesore: trimërinë, besnikërinë dhe disiplinën. Ky Repart Special kryente detyra luftarake të zakonëshme, si edhe repartet e tjera, por nënvizojmë, se  përmbushte edhe detyrën e ruajtjes së kryekomandantit, të gjeneralëve e të kapedanëve të tjerë. Pra është tejet e qartë, se ky efektiv plotësonte detyrën e një truprojeje për titullarët, për të garantuar e siguruar jetën e tyre. Barleti fare qartë e ndriçon këtë fakt disa herë në veprën e tij madhore. Kur Skënderbeu u vendos përfundimisht në trojet e të parëve të Tij, pasi mori besën e Prijësve të tjerë shqiptarë si dhe lidhi fjalën me Ata, përveç  Ushtrisë së Rregullt, të cilën e organizoi, e përgatiti dhe e mbajti në gjëndje gatishmërie të përherëshme, njëherësh do t’i kushtonte kujdes të veçantë edhe organizimit, pregatitjes dhe përdorimit me efektivitet të Gardës Pretoriane.   Konkluzioni është i qartë, Skënderbeu duke qënë kreu dhe përfaqësuesi i Lidhjes Shqiptare, e cila përfaqësonte Shtetin e kohës brenda e jashtë vendit, në përbërje të gjithë strukturave të FA-ve që dispononte apo organizonte dhe mblidhte, kishte edhe një repart special, i cili kishte detyrë parësore, Ruajtjen e Kryekomandantit dhe të Prijësve të tjerë. Pra, Ai kishte në veprim të përherëshëm Gardën Pretoriane.

Ja disa nga veprimet e Gardës Pretoriane.

Garda Pretoriane rezulton e pranishme në të gjitha veprimet luftarake midis forcave shqiptare dhe atyre osmane. Historishkruesit dhe analistët, në disa nga këto beteja, evidentojnë dukshëm veprimet e këtij Reparti Special. Kështu në Betejën e Torviollit (29 qershor 1444 S.R), në rendimin luftarak dhe përgjatë gjithë teatrit ku u zhvilluan veprimet luftarake, bije në sy dukshëm vendi i veçantë dhe roli i rëndësishëm që zinte e luante Garda Pretoriane. Në këtë betejë komandimi e drejtimi i Gardës i ishte besuar Ajdin Muzakës, një nga gjeneralët më në zë të Ushtrisë së Skënderbeut. Si zakonisht, falë besimit që kishin komanduesit, Reparti i Gardës ishte vendosur në qëndër të forcave shqiptare. Në këtë betejë efektivi i Gardës Pretoriane u dallua për veprime të shpejta, taktikisht të drejta, si dhe, duke e përqëndruar kryesisht synimin e çdo veprimi në ruajtjen dhe sigurimin e drejtuesve ushtarakë, dhe në radhë të parë të Kryekomandantit. Në mes të formacionit vepronte fuqia e përbërë nga kalorës, shigjetarë, mburojtarë, heshtëtarë, e komanduar nga vetë Skënderbeu. Në mburojë të Tij, për ta mbrojtur nga afër, si dhe për të vepruar si forcë shpërthyese në rast rrethimi, ishte Reparti Special nën komandën e Ajdin Muzakës, si Roje Personale e Kryekomandantit, i cili njëherësh ishte edhe përfaqësuesi nr. një i shtetit.

Një truproje të tillë personale Skënderbeu nuk do ta ndante asnjëherë nga vetja në gjithë betejat që ai ideoi, pregatiti dhe komandoi e drejtoi. Më 23 korrik 1448, u informua se një ushtri e madhe otomane nën komandën e Mustafa Pashës, kishte arritur në kufijtë arbërorë nga drejtimi i Maqedonisë. Si strateg ushtarak vlerësoi drejt situatën: është më e lehtë ta rrethosh e ta mbash në gjëndje të tillë një kështjellë, sesa të synosh për të fituar një lavdi të vështirë e të kushtueshme, duke u përgjakur fyta-fyt me një ushtri më të madhe në numër. Mbi bazën e këtij arsyetimi, Skënderbeu la të rrethuar Danjën me forca të mjaft nën komandën e gjenerali Hamza Kastrioti, ndërsa vetë u nis drejtim kufijve lindorë për të zhvilluar betejën e re që e priste. Beteja u zhvillua në Oranik në mes të muajit gusht. Si ushtarak i mirëfilltë që ishte, për të realizuar suksesin, llogariti saktësisht forcat si në aspektin e resurseve njerëzore, materiale dhe moralo-luftarake. I prirur nga ideja se, më parë duhet prerë koka, pasi pastaj bije me lehtësi edhe trupi, vendosi që vëmëndjen kryesore ta përqëndronte në rajonin ku ishte vendosur çadra e Prijësit Otoman, ashtu si, forcat më të specializuara e më të përkushtuara t’i angazhonte pikërisht këtu. Ai ishte krejt i bindur se çadra dhe vendi i qëndrimit të Prijësit turk, sigurohej me mjaft forca, të cilat arrinin në shtatë mijë, e përbërë prej elitës së ushtrisë, e aftë profesionalisht dhe e përkushtuar deri në vetësakrifikim për të përmbushur detyrën.  Edhe kjo betejë përfundoi me triumfin e arbërorëve, prandaj e  epitetoi si më të bukurën dhe më të përkrahurën nga Perënditë për epirotët. Komandantin turk, Mustafa Pashën, e rrënoi moralisht sepse ai kishte kaluar pabesisht nga shqiptarët në anën e osmanëve i ushqyer nga lakmia për lavdi të pamerituar, dhe për më tepër, kishte synuar të rrënonte edhe kohortën (Gardën Pretoriane S.R) të Skënderbeut.

Nga hulumtimet rezulton shpesh herë, se ishte Garda Pretoriane ajo, që mundësonte ruajtjen fizike të Prijësit Arbëror, por edhe të oficerëve të tjerë madhorë sipas nivelit hierarkik. Vetëm gjatë zhvillimit të Betejës së Beratit (13 qershor 1455 S.R), do të ekspozohen disa herë veprime me karakter thjesht për ruajtjen e Kryekomandantit. Historia e shkruar dhe e përcjellë pohon se në këtë betejë Skënderbeu do të sulmonte në drejtimin ku ndodhej komandanti turk. Veprimet e Gardës Pretoriane për të ruajtur e siguruar Skënderbeun janë tepër të dukëshme në këtë betejë. Kështu, kur Ai u gjend i rrethuar tërësisht nga forcat  kundërshtare, hyri në veprim rrufeshëm Garda, e cila siguronte ruajtjen e afërt të Tij në formë mbrojtjeje rrethore. Nën drejtimin me kompetencë profesionale dhe të zgjuar të Ajdin Muzakës, gardistët, le të shprehemi kështu, mundën të zmbrapsin turmën osmane dhe të shpëtojnë jetën e Kryekomandantit nga një rrezik imediat dhe real.

Prijësi i arbërve e njihte shumë mirë mentalitetin në përgjithësi të arbëreshëve, po aqë mirë edhe sipas krahinave të ndryshme. Atij në asnjë rast nuk i është refuzuar dhe as që i ka munguar ndihma e krerëve të krahinave apo principatave të ndryshme. Gjatë Betejës së Beratit, për shkaqe subjektive të vetë arbërorëve, kundërshtari osman pati sukses. Por në këtë moment të tensionuar, kur rreziku ishte prezent, Prijësit e krahinave të ndryshme patën mençurinë dhe atdhetarizmin e duhur, që të vetëorganizohen. Dy vëllezërit Dhimitër e Nikolla Berisha nga  familja e lashtë e Berishajve, kur mësuan për fatkeqësinë e ushtrisë shqiptare, dhe sidomos për pabesinë dhe rrebelimin e Moisiut, u organizuan dhe zunë pozicionin kryesor të Mbretërisë pikërisht tek Roja dhe Kryeporta e saj, duke inkurajuar me këtë akt të lartë trimëror e fisnik forcat e Gardës Pretoriane në roje të kështjellës. Por si këta dy trima, kanë vepruar shumë të tjerë në raste të shumta.

Krejt natyrshëm, Skënderbeu do t’u ishte mirënjohës luftëtarëve të tij, përfshi edhe dy të sipërpërmendurve, të cilët i përgëzoi për veprimin trimëror e atdhetar që kryenë, u premtoi liri, paqe e pasuri në të ardhmen.

Gardën Pretoriane, si pjesë të strukturës së FA-ve, Skënderbeu do ta përdorte me efektivitet dhe brenda kuadrit të misionit të saj, edhe gjatë veprimeve luftarake jashtë kufijve territorialë të shtetit të tij. Për shkak të aleancave që Ai kishte me fqinjët e përtej detit, mori pjesë në Betejën e Apulit në Itali. Ishte një betejë detare, prandaj organizimi dhe shpërndarja e mjeteve detare do të bëhej sipas parimit të zhvillimit të luftës në det. Midis mjeteve detare do të jetë edhe “Anija Pretoriane”, e cila ishte e pajisur me mjete sinjalizimi e bashkëveprimi specifike nga mjetet e tjera detare. Vetë Kryekomandanti qëndronte, komandonte dhe drejtonte pikërisht nga kjo anije. Për ruajtjen dhe sigurimin e Anijes Pretoriane do të planizonin dhe kryenin veprime luftarake mjetet e tjera detare, të organizuara në formacion luftimi dhe të komanduara nga ushtarakë në zë si Gjon Muzaka, Andrea Zaharia, Moisi Golemi, dhe të tjerë.

Skënderbeu si strateg ushtarak, midis të tjerave, dallohej edhe nga veçoria e të qënurit krijues në organizimin, drejtimin dhe analizën e veprimeve luftarake. Por kjo cilësi shfaqet edhe në mënyrën e përdorimit të Gardës Pretoriane. Gjatë zhvillimit të Betejës së Medaçit (qershor-korrik 1465 S.R), i ndodhur përballë një kapedani të aftë e trim me origjinë shqiptare, Ballban Baderës, (Pasha), Ai përllogariti gjithëçka me seriozitet dhe përgjegjësi. Forcat që dispononte i ndau në katër pjesë, duke vënë në krye të tyre kapedanët më të zotë dhe më besnikë si: Goiko Stresi, nip prej motre; Tanush Dukagjini, dhe të përherëshmin Ajdin Muzaka. Me interes është të pohojmë, se pjesën e katërt e mbajti si kohortë për vehte. Zhvillimi i luftimeve do të tregojë se, masat e planizuara dhe të zbatuara ishin krejt të domosdoshme dhe efektive. Veçanërisht trupa e mbajtur si kohortë (truproje personale S.R) do të rezultonte shumë e domosdoshme dhe po aqë e dobishme, sidomos në këtë betejë. Është i njohur fakti se në këtë betejë atij iu plagos kali, dhe bashkë me atë u rrëzua edhe vetë duke u plagosur rëndë në krah pas një përplasjeje me një trung peme. Osmanët këtë moment e gjykuan si më të pështatëshmin për të larë hesapet një herë e mirë me komandantin arnaut, me “jezitin”, sikurse e quajnë ata, prandaj u grumbulluan në numër të madh me synimin, që sejcili të vepronte me gjithëçka për të fituar më vonë shpërblimet e majme. Ky është momenti kur kryekomandanti shqiptar ka qënë më i rrezikuar se çdo herë tjetër. Por njëherësh, po këtu do të spikatë në mënyrë specifike edhe përmbushja e misionit me profesionalizëm, me besë dhe dinjitet nga efektivi i Gardës Pretoriane. Ata do të vërsuleshin me tërbim, si një trup i vetëm duke rrezikuar jetën e tyre, mjafton që jeta e kryekomandantit të mos cënohej. Osmanët u shpartalluan tërësisht, dhe Skënderbeu do të gjente edhe një herë rastin e mirë të falënderonte me mirënjohje të ndjerë të gjitha forcat e tij ushtarake, e sidomos Gardën Pretoriane.

Skënderbeu u përball me gjeneralët më në zë, që kishte Perandoria Osmane. Në Betejën e Vajkalit (prill 1465 S.R), komandonin dy gjeneralë me origjinë shqiptare, Ballaban Badera (Pasha) dhe Jakup Arnauti. Pas analizës së elementëve për palët ndërluftuese, gjykoi që forcat t’i ndante në katër pjesë, dhe të vinte në krye komandantët më të aftë si, Tanush Topia, Zaharia Gropa dhe Pejko Emanueli . Kushtet ishin të tilla që i impononin të mbante vetë një pjesë të forcave të ushtrisë dhe të Gardës së vet. Zhvillimi i veprimeve luftarake në këtë betejë, e cila njihet si nga më të përgjakshmet, do të evidentonin vendosmërinë dhe këmbënguljen e të gjithë forcave pjesëmarrëse, e sidomos të efektivit të Gardës Pretoriane.

Këtë Repart Special, Skënderbeu e përdorte edhe në veprime të tjera të mirëfillta si Truproje Personale. Pas përfundimit me sukses të plotë të Betejës së Sfetigradit, pasi pati kryer të gjitha veprimet etike, u nis me 200 burra nga të Gardës Pretoriane, si një trupë shoqërimi, në rrugëkalimin nga Sfetigradi në drejtim të kufijve lindorë, që të vëzhgonte përqëndrimet dhe veprimet e forcave kundërshtare.    Kundër Skënderbeut dhe Gardës Pretoriane nuk kanë munguar edhe veprime të tërthorta, djallëzore e të pabesa, jo vetëm nga armiqtë por edhe nga të vetët. Kështu, pasi ushtria e sulltan Mehmetit, e komanduar nga Ballaban Badera (Pasha) u thye për të tretën herë, sulltani, infiltroi në mjediset e Skënderbeut dy ndërmjetës, të cilët zotëronin shumë mirë gjuhë të huaja. Natyrisht, Skënderbeu, edhe pse e kishte zakon që të besonte, por me që ishte kohë lufte dhe e ngarkuar me pusira e pabesira, dha porosi që dy “miqtë” të mbaheshin nën vrojtim të plotë. Dy “mysafirët”, me sa duket nga mania se kush do të merrte më shumë merita apo shpërblime, u grindën me njëri-tjetrin duke dekonspiruar edhe misionin djallëzor e armiqësor.

Vetëm duke iu referuar veprës madhore të Marin Barletit, mund të arrijmë në përfundimin logjik se, në strukturën e Ushtrisë së Përhershme të Skënderbeut, vend të veçantë do të zinte edhe Garda Pretoriane me mision parësor e kryesor: Ruajtjen e jetës së kryekomandantit dhe të ushtarakëve të tjerë të lartë, sipas vendit që zinin në shkallën hierarkike të ushtrisë, jo vetëm gjatë zhvillimit të veprimeve luftarake, por edhe gjatë gjithë veprimtarisë së përditëshme.

SHKARKO APP