Gazeta dhe gazetaria

Nga Sadedin Çeliku

Gazetat dhe gazetaria dhe media në përgjithësi janë përçuesit e lajmit dhe informacionit pa të cilën nuk mund të bëjë përpara një shoqëri demokratike pse jo dhe një qeveri dhe një shtet.  Gazetaria në kohët e sotme vlerësohet si një punë e vështirë sepse nuk është aq e lehtë të marrish informacion ta përpunosh dhe aq më shumë lajm të vërtetë e të pa deformuar.  Por shpesh duhet të përballesh me presione të mëdha që vijnë nga politika dhe qeveria, por nganjëherë dhe nga çdo drejtim.  Sigurisht që figura, personaliteti, etika, integriteti, profesionalizmi i gazetarit, dhe përvoja janë disa nga vlerat që duhet të ketë gazetari.  Në Shqipëri mediat kanë marrë një zhvillim të madh që do ta quaja mjaft pozitiv për një vend si e jona e dalë nga një diktaturë e egër.

Sot, media shqiptare është kthyer në një industri të fuqishme e cila mund të krahasohet me vënde të mëdha e të zhvilluara. Mjafton të përmendim numrin mjaft të madh të gazetave dhe televizioneve. Kemi media televizive, radiofonike, median e shkruar dhe së fundi atë të rrjeteve sociale pra të internetit e cila numëron një numër të madh portalesh gazatarie on line, pavarësisht se një pjesë e popullsisë dhe sidomos pjesa e moshës së tretë nuk i lexon për shkak se nuk e njohin dhe e përdorin kompjuterin.  Media virtuale edhe pse s’ka probleme siç kanë mediat e tjera si, kryeredaktor, redaksi, përgjegjës transmetimi, moderator, përsëri edhe ajo ka problemet e saj që lidhet me edukimin publik.  Rast pas rasti media virtuale jep foto e video me karakter degjenerues të cilat shpesh i shfrytëzojnë brezi minoren. Kësisoj gjykoj se duhet të ketë një ligj për disiplinimin e tyre kjo edhe për shkak se zhvillimi i saj është kaotik dhe nganjëherë jo i dobishëm.  Media e shkruar dhe ajo televizive kanë marrë një hop cilësor dhe sasior dhe në saj të këtij zhvillimi ato kanë mundur ti sjellin lexuesit e dëgjuesit lajme të mëdha, si lufta e Ballkanit dhe veçanërisht atë të Kosovës, rast pas rasti zgjedhjet në SHBA, lufta në vendet e Afrikës Veriore, ngjarjet e mëdha të vitit 1996-1997, zgjedhjet vendore dhe ato të përgjithshme në Shqipëri por dhe mjaft evente të tjera me interes publik.  Sigurisht që media është pushtet i fuqishëm dhe si e tillë nuk mund ti shpëtojë ngjarjeve që ka përshkuar vendin në këto 27 vjet dhe kësisoj ajo është refleksion dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë nga politika, qeveria dhe reformat që sjell ajo përmes ligjvënësve. Kështu krizat përmanente që ka përjetuar Shqipëria dhe shoqëria shqiptare ka bërë që edhe media të zhvillohet me zigzake pse jo dhe nganjëherë dhe në mënyrë kaotike. Pavarësisht punës mirë vërej dhe shumë parregullsi e gabime që në gjykimin tim duhen ndrequr. Gazetat dhe televizionet e pavarura jo të gjitha janë ashtu sepse ndonjë gazetë mban anën e një partie, i shërben asaj por dhe paguhen nga ata.  Materialet, informacionet nuk verifikohen, nuk përpunohen, redaktohen, por shpesh nuk janë të vërteta dhe shkak është se nuk kërkohet burimi. Disa gazetarë që duan të bëjnë emër përmes investigativit marrin rolin e prokurorit, gjykatësit apo avokatit dhe s’mbajnë asnjë përgjegjësi për ato që thonë e për vërtetësinë e informacionit. Të tjerë gazetarë por nuk janë pak janë pa arsimin përkatës, disa jashtë profilit kurse disa të tjerë quhen gazetarë vetëm se mbajnë mbi supe një aparat fotografik apo një kamera edhe kur ato nuk kanë sens gazetarie.

Çdo gazetë apo televizion ka një objekt, qëllim apo objektiv se ç’kërkon të realizojë. Disa televizione kanë si objekt lajmin, disa të tjera kanë profil tjetër. Në mjaft gazeta mungojnë analizat e opinionet dhe natyrisht duken sikur janë shkëputur nga hallet që shqetësojnë opinionin publik, disa e kanë më të qartë misionin e tyre dhe janë bashkëudhëtarë të problemeve që ka populli por ka dhe gazeta që edhe pse në krye lexohet fjala e pavarur, ajo i shërben ose biznesit ose partisë së tij. Mjaft gazeta mbushin faqet me kronika të cilat janë bërë një makth i vërtetë për njerëzit, dhe të tjera me reklama fotosh femrash të zhveshura, modelesh dhe prostitutash, kjo më e theksuar tek portalet on line. Edhe pse e dimë se sa i ka shërbyer politika popullit, edhe pse e kemi të qartë se vettingu dhe dekriminalizimi nuk bëhet për popullin, përsëri faqet e para janë të mbushura me intervistat e politikanëve disa prej të cilave të korruptuar.

Media që nuk i shërben interesit publik por vetëm urdhrave të padronit dhe politikës është automatikisht e korruptuar. Qytetarët kanë humbur besimin edhe tek media dhe kjo është një arsye më shumë pse tirazhet e gazetave janë simbolike dhe pse mjaft programe e spektakle televizive nuk ndiqen nga masa e gjerë e publikut. Një problem tjetër është pirateria dhe dublimi i programeve.

Disa moderatorë ftojnë njerëz inkopetent në emisione të ndryshme por dhe miqtë e shokët e tyre, disa të tjerë shfaqen me gjithë familje dhe të krijojnë bindjen se bëjnë dokumentar. Dhe në kësi rastesh nuk arrihet qëllimi në përputhje me objektin. Kodi i gazetarit më duket se nuk ju kushtohet rëndësi sa duhet, mënyrës së sjelljes, paraqitjes së jashtme, etj. Kështu në disa nga televizionet kombëtare moderatorët dhe gazetarë që shoqërojnë ato, dalin përpara ekranit me kanotiere ose bluzë që mund vishet vetëm në gjumë ose përdoret plazheve, disa të rruar e të parruar, të qethur ose jo, por ka që dalin dhe me pantallona të grisura. Te tjera moderatore femra me veshje të papërshtatshme dhe aspak të hijshme. Në disa nga televizionet më ka qëlluar të lexoj rregullore rreth kësaj çështje por gjërat shkruhen mirë por në praktikë nuk gjejnë zbatim.

Media ka rëndësi të veçantë dhe ndofta është pushteti më i fuqishëm se të tjerat.  Ato përmes lajmit dhe investigimit të tyre, kontrollojnë qeverinë, aferat dhe korrupsionin që ato bëjnë, objektivat, programet dhe politikat qeverisëse. Për të realizuar misionin e vet, media duhet të reformohet në vazhdimësi, duhet të përmisojë metodologjinë e menaxhimit dhe të informojë publikun për interesat që prekin direkt ata. Por që të realizohet me sukses misioni i tyre duhet dhe ndihma dhe ndërhyrjet e qeverisë me qëllim rritjen e efikasitetit saj.

SHKARKO APP