Gazetarët e “Koha Jonë” urojnë djalin

Nga Edmond Arizaj

Ti je në botën tënde. Ndërsa unë çdo ditë zgjohem në një botë të re, edhe më të panjohur se një ditë më parë. Gjërat që ty të bëjnë për të qeshur, mua më duken të pamundura. Ndaj e kam vështirë që nga bota ime, të të udhërrëfej në botën tënde. Po ndoshta kështu është më mirë. S’do desha të ecësh në rrugë të hapura më parë. Hap një rrugë tënden. Ndiq ëndërrat, por jo në gjumë.

Gjithsesi, ka diçka që nuk ndryshon as në botën time e as në tënden. Vajzat. Ndaj m’i dëgjo dy fjalë, sepse ngado që t’i kthesh botët tona, ato janë gjëja më e bukur, më e dashur, më e gëzueshme, më e ëmbël edhe nëse vijnë si të dashura, nëse janë gra, motra, nëna apo gjyshe. Janë mrekullia e botëve. Do të njohësh shumë vajza. Me disa do dashurohesh. Me disa do ndahesh hidhur. Disa do i plagosësh. Disa do të plagosin.

Por kur të njohësh vajzën që të fshin supin e bërë pis kur ishe mbështetur pas një peme teksa flisnit, vajzën që buzëqesh edhe kur thua budallëqe, vajzën që nuk e ka problem të nxjerrë portofolin e saj kur ti sheh çmimet në restorant, vajzën që të mbron para të tjerëve edhe kur e ke gabim dhe të tërheq veshin kur jeni vetëm, vajzën që pyet për prindërit e tu, vajzën që di të flasë përtej thashethemeve-ngjarjeve-lajmeve të ditës, vajzës që i pëlqen të gatuajë edhe pse e lodhur, vajzës që ndonjëherë të kujton nënën, vajzës që të fal paudhësitë që ti do të bësh (dhe do të jenë ca😁) edhe pse me lot në sy, mos e lësho më…Duaje, respektoje, mikloje.

Në momentet e vështira të jetës, mos ardhshin kurrë, por nëse vijnë, ajo do të jetë shoku dhe miku yt i vërtetë, ndoshta ndonjëherë i vetëm. Edhe sikur të gjithë të të kthejnë kurrizin, ajo do jetë aty për të të mbështetur, sepse të do ty, jo dukjen, a pasjen tënde. Kjo është e vetmja gjë që do të ketë vlerë…

Nuk jemi ndarë nga njëri-tjetri, për njërin, apo tjetrin shkak, si shumë e shumë të tjerë. Të kam parë të rritesh, të hedhësh shtat, të burrërrohesh, jo nga fotot, por çdo ditë pranë teje, dhe kjo është kaq e mrekullueshme. Tani nisu në Botën e madhe dhe bëje vetë fatin tënd!
Edhe 💯!

Nga Manjola Arizaj

Deto, nuk mund ta besoj sa shpejt u rrite.
Më del përpara dy pëllëmbë mbi kokën time, me mjekrën sterrë të zezë, por unë kam para syve atë topthin e kuq të mishit, që kur ma vunë për herë të parë në krah në maternitet, nuk ngopesha së nuhaturi, së gugaturi e së qeshuri. Sepse ti qeshe sa linde. E vetëm gëzim na ke sjellë për 18 vjet rresht.
Jam kaq krenare për ty, për mendjen tënde të mprehtë! Për empatinë që shfaq, për dashurinë që nuk përpiqesh ta fshehësh, për sigurinë që dhuron! Për kujdesin që tregon karshi të tjerëve! Janë pjesë e karakterit tënd, vetëm forcoji zemër.. mos i braktis për asgjë në botë. Dallgët do të jenë të forta në jetë, unë ndoshta do të jem aty, ndoshta jo, ti mos u tremb. Ka aq forcë brenda teje sa të dalësh mbi çdo dallgë…
Besoji vetes! Mos u step përpara pengesave për të arritur qëllimet e tua. Sa herë të rrëzohesh, mëso! Sa herë të ngrihesh, kujtohu kush të dha dorën dhe mos e harro! Nëse një ditë suksesi do të trokasë në derën tënde, mos festo vetëm me miqtë e rinj! Hyr në këtë botën e re të të rriturve, plot të papritura, aventura, mundësi, përgjegjësi. Mos u nxito. Ke kohë për çdo gjë. Gëzoje këtë ditë! Vetëm lumturi dhe buzëqeshje pastë jeta jote e gjatë! Të dua zemra ime, ëmbëlsira e shtëpisë❤️❤️

SHKARKO APP