Gazetari i ekonomisë: Turizmi, industri e dembelave. Në Shqipëri mbivlerësohet
Qeveria shqiptare kërkon 16.2 milionë dollarë borxh nga Banka Botërore për testim të gjerë të popullatës për Covid-19.
Genc Çobani, gazetar shqiptar i ekonomisë që jeton dhe punon në Francë thotë se duhet bërë shumë kujdes me rritjen e borxhit pasi Shqipëria e ka tejkaluar tashmë aftësinë për të thithur borxhe të reja.
Çobani: Ka ndikime shumë negative. Vetë fakti që jepen 16.2 milionë dollarë, për një shtet nuk është shumë dhe po të kemi parasysh dhe deklaratat që kanë dhënë më parë drejtues të FMN apo dhe BERZH, Shqipëria e ka tejkaluar tashmë aftësinë për të thithur borxhe të reja. E gjithë kjo do të çonte në një kolaps të ri të ekonomisë, në rritjen e borxhit deri në atë masë sa do të ishte e pamundur të lahej ky borxh pa hyrë në borxhe të tjera. Borxhi do të ndihmojë në njëfarë mase për të mbuluar disa vrima.
Në një intervistë me skype për Ora News, Çobani thotë se e vetmja mënyrë për të ndihmuar në ringritjen e ekonomisë është stimulimi i biznesit të vogël dhe të mesëm për të mos lejuar rritjen e papunësisë.
Çobani: Ne nuk kemi industri të madhe, një pjesë e madhe janë të punësuar në sektorin buxhetor. Zgjidhja nuk është borxhi, por një ndihmë. Duhet përkrahja e biznesit të vogël dhe të mesëm për të dalë nga ky kolaps.
E ndërsa për qeverinë, turizmi shihet si varka e shpëtimit, nuk mendon kështu gazetari Çobani.
Sipas tij në Shqipëri turizmi mbivlerësohet, pasi një shtet nuk mund të pretendojë të mbështesë ekonominë kombëtare në 4-5 muaj të ardhura financiare nga turizmi bregdetar.
Çobani: E vërteta është se flasin shumë për turizmin dhe kam përshtypjen se e mbivlerësojnë më shumë nga çfarë e meriton. Shqipëria nuk ofron turizëm dimëror, vetëm turizmin bregdetar. Ka episode të vogla por pa ndikim në ekonominë kombëtare. Të pretendosh të ngresh ekonominë me 5 muaj turizëm është utopi. Këtu në Francë thonë se turizmi është industri e dembelave. Të pretendosh vetëm te turizmi do të thotë të pretendosh 3-4 muaj të ardhura në vit.
Turizmi është një ndihmë shumë e madhe, duhet stimuluar, ndihmuar dhe zhvilluar por nuk duhet konsiderohet si varka e Noes për ne, me atë do të shpëtojmë. E shoh me dyshim një boom turistik për Shqipërinë gjatë 2020 sepse shumica e turistëve nuk janë gjë tjetër vetëm shqiptarët që janë jashtë dhe kthehen për pushime. Baza në ekonomitë e botës është prodhimi dhe vetëm prodhimi sepse ai punëson njerëz në mënyrë permanente.
Lidhur me nismën më të re të qeverisë për heqjen e tatim-fitimit për biznesin e vogël për një periudhë 10-vjeçare, ai thotë se mund të ketë efekt vetëm nëse ky tatim i falur futet në investim.
Çobani: Teorikisht do ta ndihmojë biznesin e vogël por praktikisht, sa është evazioni fiskal në Shqipëri? A do të ndikojë kjo në rritjen e rendimetit dhe punësimit te biznesit të vogël? Biznesi i vogël kryesisht në Shqipëri është familjar, me tatime apo pa takime janë katër të punësuar dhe katër do të mbeten përsëri. Do të ishte më efikase që tatimi i falur i qeverisë nëse rifutet në investim vitin tjetër do të sjellë përsëri një mospagim. Po ta lësh në vend nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do ta mbajë gjallë biznesin por pa gjeneruar resurse të reja ekonomike.
Ai vlerësoi se projektet e qeverisë për energjinë por shprehu rezerva mbi financimin.
Çobani: Është pozitive. Njihen problemet e Shqipërisë me furnizimin eenergjisë elektrike, kemi qenë të detyruar të importojmë, çka do të thotë valutë, humbje e financave. Nuk ka asgjë të keqe, me çfarë fondesh do të ndërtohen, sa dhe si mbeten për tu parë. Koncesionet nuk janë të këqia por varet si interpretohen. Të investosh me fonde 100% shtetërore te Hidrocentrali i Skavicës duket sikur lufton korrupsionin siç ka ndodhur me PPP e famshme por nga ana tjetër është një barrë shumë e rëndë për ekonominë kombëtare. Nuk është zgjidhje të kalojmë nga një eksperiment në tjetrin.