Gazetari shqiptar në Belgjikë: Ja si e përjetova infektimin nga COVID-19
Gazetari shqiptar në Belgjikë, Albi Xhunga tregon historinë e tij se si e përjetoi infektimin nga koronavirusi.
Në një intervistë për Ora News ai shprehet se ka pasur simptoma të lehta, dhe se e kaloi pa pasur nevojë për ndonjë kurim.
Albi Xhunga: Nuk ishte rastësi por nuk isha pa simptoma. Simptomat ishin shumë të lehta. Filloi me një humbje të nuhatjes dhe një mbrëmje pak ethe e temperaturë. Për momentin e mora si një grip normal. Lexova që humbja e nuhatjes është dhe një simptomë e koronavirusit. Përfitova nga një studim i Universitetit të Mjekësisë të Monsit. Ata testonin vetëm ato persona që kishin këto simptoma për të bërë lidhjen e saj me koronavirusin. Testi doli negativ dhe mjeku më tha që ti e ke kaluar. Pas një jave bëra një analizë gjaku ku pashë nëse gjaku ka krijuar antitrupa kundër virusit. Testi rezultoi se unë kisha antitrupa që do të thotë se unë isha i infektuar por isha shëruar. Ishte më i thjeshtë se një grip i zakonshëm. Mjeku më ka thënë se nuk është problem për mua që t’i rikthehem jetës normale pasi nuk ka rrezik që unë të infektohem sërish.
Belgjika është një ndër vendet më të prekura nga COVID-19 në Europë ku numërohen 6,262 viktima dhe mbi 41 mijë të infektuar.
Xhunga shprehet se Belgjika javën e kaluar kishte përqindjen e vdekjeve për 1 milionë banorë më të lartën në botë.
Albi Xhunga: Belgjika është një vend shumë i prekur. Javën që kaloi Belgjika kishte përqindjen e vdekjeve për 1 milion banorë më të lartën në botë. Kanë vdekur 6200 persona dhe për një vend si ky me 11 mln banorë është shifër shumë e lartë. Por lajmi i mirë ishte se sistemi shëndetësor e përballoi fluksin ndryshe nga Italia dhe Spanja. Këtu vijon karantina e cila do të vazhdojë deri në 4 maj, pas së cilës do të fillojë hapja graduale e bizneseve.