Gënjeshtrat dhe dredhitë liberale
Liberalizmi dhe marketingu politik, sëmundjet vdekjeprurëse që po shkatërrojnë popujt
Dr. Bledar Kurti
Kërko në Google emrin Donald Trump dhe menjëherë do paraqiten lajmet më negative mbi Presidentin e SHBA edhe pse gjatë tre viteve të administratës së tij Amerika ka përjetuar rritjen më të madhe ekonomike dhe një përmirësim të ndjeshëm të standardeve të saj të jetesës në dekadat e fundit. Lajmet pozitive gjenden në fundin e listës ose shumë rrallë. Përse ndodh kjo? Sepse Google është liberal i thekur dhe e orienton kërkuesin sipas qëllimit të vet dhe jo sipas kontekstit real.
Kërko informacion në internet për vrimën e ozonit dhe do habitesh që gjatë administratës liberale të Obamës vrima e ozonit rezulton se u hap dhe befas gjatë administratës Trump ajo u mbyll. Përse ndodh kjo? Sepse edhe çështja e ngrohjes globale është politike dhe fsheh një agjendë të fshehur liberale. Kërko emrat apo lexo postimet në rrjetet sociale të disa krerëve të shteteve në të cilat shpalosen arritje të lavdishme ndërkohë që popujt që ata qeverisin jetojnë në skamje dhe habitesh përse kanë aq ndjekës dhe përse shumë komente me përmbajtje konservatore apo tradicionale nuk lejohen nga facebook madje as të postohen. Mos u çudit aspak. Edhe facebook është liberal.
Një njeri i thjeshtë inteligjent zemërohet se përse diktatorët më të ashpër të historisë promovohen si heronj dhe heronjtë e vërtetë damkosen si tradhëtarë. Edhe kjo ndodh pasi të gjitha mjetet e komunikimit, përfshirë televizionet, gazetat, revistat më prestigjioze në botë, si edhe Hollywood (tashmë i shndërruar në një institucion politik dhe social me ndikim ndërkombëtar), janë liberalë ekstremë.
Të gjitha mediat kanë si moto lirinë dhe asnjanshmërinë dhe kanë si shtyllë të kredos së tyre të vërtetën, ndërkohë të gjitha lajmet e botës merren vetëm nga katër burime: United Press International, Associated Press, Reuters dhe Agence France Presse. Gjeje se kujt kahu dhe filozofie u përkasin ato?! Po, e gjete, edhe këto liberale. Këto burime drejtojnë opinionin publik mbarë botëror. 90% e lajmeve në mbarë botën për çdo gazetë apo televion merren nga këto katër burime. Dhe në këtë mënyrë filozofia liberale shpërndahet shumë lehtë anëembanë globit.
Liberalizmi kontrollon levën edhe në arsim dhe politikat sociale. Teksa njerëzimi mendon se ka arritur stadin e vet më të emancipuar dhe me nivelin më të lartë të arsimimit, në mbarë botën po asgjesohen degë studimore si shkenca, filozofia, historia, letërsia, arkeologjia, gjuhët e huaja, dhe shumë programe që prodhojnë njerëz që mendojnë, e ndërkohë bota po prodhon vetëm ekonomistë, juristë, dhe ekspertë të teknologjisë së informacionit, robotë që i shërbejnë sistemit pa menduar ose njerëz që krijojnë robotikë. Përse ndodh kjo? Sepse prej disa dekadash liberalët kanë marrë kontrollin e katedrave të universiteteve më të rëndësishme të botës në të cilat Marksi dhe Komunizmi ka pësuar një rikthim të lavdishëm. Sot në universitete perëndimore shkruhen teza doktorale me prirje majtiste ekstreme, të cilat me shumë fanatizëm dhe pa logjikë akademike thjesht kërkojnë të injektojnë majtizmin liberal në çdo faqe që shkruhet apo lexohet, si për shembull: Aspektet komuniste në veprat e Shekspirit, e sajesa të tjera absurde si kjo.
Përqendrimi dhe investimi më i madh i liberalëve ka qenë në arsimin parauniversitar duke promovuar ide të tilla si “mendo në mënyrë kritike,” “nxënësi është qendra e klasës,” “të nxjerrim studentë që përshtaten me tregun e punës,” e broçkulla të tjera si këto të cilat janë thjesht kurthet e mirëmenduara dhe të vëna në zbatim nga liberalët për të larguar botën nga arsyeja, disiplina, tradita, institucioni i familjes, shteti dhe qeveria e përgjegjshme, detyrimet e qytetarisë, etj, dhe për të ngritur një brez të pastërvitur për betejat e jetës por vetëm të thyeshëm dhe kontrollueshëm lehtësisht.
Ja një prej pasojave të shumta të kësaj fryme liberale degraduese për shoqëritë e botës: muajt e fundit Bordi i Edukimit Suedez ka sugjeruar që historia e Greqisë së Lashtë, Romës së Lashtë dhe madje epokës kur vetë Suedia ishte një fuqi e madhe gjatë viteve 1611-1718, duhet të fshihen nga librat shkollorë. Kjo është idea më absurde pasi qytetërimi i sotëm modern është ndërtuar mbi Greqinë dhe Romën e lashtë. Çdo brez që nuk mëson për ato është një brez pa inteligjencë historike, pa logjikë moderne qytetërimi. Propozime të tilla ka pafund e pritet të ketë edhe më shumë në vazhdim.
Edhe në Shqipëri, duke kopjuar sistemet liberale të kontinetit, përshtatja e degëve të studimit me tregun e punës po asgjeson inteligjencën e kombit pasi tregu i punës në Shqipëri përbëhet vetëm nga Call Centers dhe disa mundësi të tjera të vogla të kushtëzuara, si pasojë artistët, muzikantët, filozofët, historianët, shkrimtarët, matematicienët, fizikantët, biologët, gjuhtarët, etj, asgjesohen nga viti në vit pasi sipas politikave moderne liberale për ata nuk ka treg pune.
Fryma liberale, triumfatore gjatë tre dekadave të fundit, ka prodhuar fenomenin më parazit të kohërave: OJQ-të. Me miliona euro qarkullojnë ndër OJQ në mbarë botën, të cilat, përveçse shfrytëzojnë krisjet dhe hapësirat burokratike qeveritare, qarkullojnë miliarda nga viti në vit, pa prodhuar asgjë. Ndaj edhe shprehjet, “ngritje kapacitetesh” “ndërgjegjësim i popullatës” “trajnim” “sensibilizim” “raport” “vlerësim” “krahasim” janë më të përdorurat ndër ato, por që në fund të fundit nuk janë në gjendje të vërtetojnë as edhe një punë konkrete. Dhe për ironi këto organizata ndërhyjnë në punët e brendshme të shteteve, diktojnë politika tek ligjbërësit, dhe raportojnë çështje që fundja i takojnë një qeverie qendrore apo vendore t’i kryejë. Në një sistem kapitalist, ku paguhesh për atë që jep apo prodhon, OJQ-të janë shpikja më fitimprurëse e liberalizmit dhe globalizmit të cilat mbështeten financiarisht kryesisht nga institucionet qeveritë majtiste dhe liberale, duke krijuar një rrjetë sigurie politike kontinentale apo ndërkombëtare për këto qeveri apo institucione sa herë që ato kanë nevojë të shpërndajnë një ide apo politikë të caktuar.
Marketingu politik – të shesësh të zezën për të bardhë.
Megjithatë, kryevepra më e madhe e liberalizmit është marketingu politik, i cili sot, si kurrë më parë, po i çon popujt e botës drejt humnerës. Ky marketing është: Të flasësh për arritje pa punuar as edhe një ditë; Të gënjesh e të votohesh; Të shesësh formën dhe jo përmbajtjen; Të argëtosh turmat pa ua mbushur barkun; Të shesësh të pavërtetën si të vërtetë; T’u tregosh diçka me gisht përpara syve por t’i bësh të ndihen fajtorë që nuk arrijnë ta shohin; Të luash me emocionet e popujve dhe jo t’u japësh shpjegime logjikës së tyre; Të injektosh një realitet të rremë aq utopik sa që qytetari të nisë e ketë dyshime se ai i vërteti nuk është edhe aq i hidhur; Të propagandosh mendjen e njerëzve në cdo sekondë të ditës; Të ngjitësh në pedestal injorantin që të zhvlerësohet i dituri e kështu turma bëhet e menaxhueshme; e të tjera si këto.
A ju duken familjare? Jam i sigurtë që po.
Propaganda ka ekzistuar prej shekujsh: për këtë arsye u ndërtua Koloseumi që të harrohej varfëria, në shumë vende u legalizua prostitucioni dhe marjuana që të harrohej korrupsioni, e shumë e shumë raste të tjera. Por marketingu politik modern, kjo sëmundje vdekjeprurëse për popujt e sotëm, për çudi nisi vetëm prej cigares.
E gjitha kjo nisi vetëm nga fakti që femrat nuk pinin cigare dhe dikush donte që ato të pinin në mënyrë që ai të fitonte më shumë miliarda dollarë.
Në vitet 1920-të, gratë nuk pinin duhan. Madje një gjë e tillë ishte tabu. Kjo përbënte një problem të madh për industrinë e duhanit pasi ishte 50 për qind e popullatës që nuk pinte cigaret e tyre. Kjo s’mund të pranohej. “Është një minierë ari në baçen tonë,” tha George Washington Hill. Industria e duhanit u përpoq disa herë t’i bënte marketing cigareve për gratë, por asgjë nuk dukej se po funksiononte. Paragjykimi kulturor kundër duhanpirjes ishte shumë i rrënjosur dhe shumë i thellë. Por, në vitin 1928, Kompania Amerikane e Duhanit punësoi Edward Bernays, një ekspert të zotë marketingu me ide të çmendura dhe madje me fushata edhe më të çmendura marketingu.
Ja si i bëri Bernays femrat e botës të pinin duhan. Ai shfrytëzoi një paradë në New York. Gjatë paradës, në momentin e duhur, gratë e paguara prej tij do ndalonin të gjitha dhe do ndiznin cigaret në të njëjtën kohë. Ai kishte punësuar fotografë që të bënin fotografi joshëse të grave që pinin duhan, të cilat më pas ai ia çoi gazetave kryesore kombëtare. Ai i tha gazetarëve se këto zonja nuk po ndiznin thjesht cigare, ato po ndiznin “pishtarët e lirisë.” Bernays e bëri të dukej sikur ishte një protestë politike. Ai arriti me sukses të transmetonte mesazhin se “pirja e duhanit është e barabartë me lirinë.” Dhe funksionoi. Gratë nisën të pinin duhan, fitimet u dyfishuan, dhe që nga ajo kohë, ne kemi patur kancer mushkërie me barazi gjinore.
Ky ishte fillimi i asaj që njihet si Public Relations (Marrëdhënie me Publikun), që do të thotë të bindësh njerëzit me manipulime, propagandë, dhe t’i ushqesh me të pavërteta të cilat shpreshherë janë edhe vdekjeprurëse për kombet dhe popujt.
Mbi këtë parim u ndërtua propaganda e Nazizmit, Fashizmit, Komunizmit, Liberalizmit dhe sigurisht qeverisjes së viteve të fundit në Shqipëri. Mbi këtë parim bota ka rënë pre e filozofisë liberale dhe propagandistike e cila në thelb të saj ka vetëm marketingun dhe asnjë të vërtetë.
Marketingu politik është fakt. Një fakt i frikshëm me ndikim tejet të jashtëzakonshëm në qeverisje, edukim, media, kulturë, histori, teologji, financa, ligje, filozofi, etj. Pra në çdo sektor të jetës. Me qëllimin e krjimin e një realiteti imagjinar në të cilin mund të kontrollosh masat, por që nuk përputhet aspak me realitetin e vërtetë në të cilin masat jetojnë.
Propaganda e sotme aq shumë ka avancuar sa që njerëzit e thjeshtë e kanë të vështirë të dallojnë të vërtetën nga gënjeshtra. “Shteti do të ta marri tokën sepse do ja japim një investitori të madh i cili do zhvillojë turzimin apo bujqësinë në vend, ku do punësohen shumë njerëz, do vijnë shumë turistë, do krijohet një zhvillim i qendrueshëm, do rritet ekonomia, etj. Bëhu pjesë e ndryshimit të vendit. Bashkohu me të ardhmen moderne.” Dhe ti si qytetar nis pa dashje ta besosh atë propagandë dhe harron sakrificën që të parët e tu kanë bërë për ta fituar atë tokë, harron që është pronë e jotja dhe se ti e di më mirë se çdo njeri tjetër, se çdo drejtues apo politikan, se çfarë është më e mira për ty dhe familjen tënde. Dhe qeveria nis e merret me edukimin e fëmijës tënd, me orientimin e tregut të punës se ku duhet të drejtohen fëmijët e tu, në orientimin e tyre seksual, dhe ti si prind konsiderohesh i prapambetur nëse vë në dyshim politikat moderne dhe largpamëse të një qeverie që as ta di emrin ty e as fëmijëve të tu, por që thjesht po bën propagandë.
Liberalët nuk i apelojnë logjikës. Ata i apelojnë emocioneve. Edward Bernays, babai i të gjitha këtyre dredhive ishte nipi i Sigmund Frojd-it, ndaj, i frymëzuar nga teoritë e psikologut të madh, ai perdori mjetet manipulese për emocionet njerëzore duke i ushqyer genjeshtra masave. Këtu e ka origjinën edhe marketingu politik modern që prej disa dekadash po shkatërron popujt, dhe pritet një përkeqësim edhe më i madh në vitet në vazhdim për shkak të varësisë së madhe që kanë njerëzit nga rrjetet sociale.
Sot kemi shumë pak shtetarë burra të mençur, ata të stilit old school, me integritet dhe që e duan vendin, familjen dhe shoqërinë, por fatkeqësisht kemi shumë lolo dhe gaztorë rrjetesh sociale që vishen e sillen si palaço dhe leshko. Të cilët flasin pa fund dhe nuk kanë asnjë produkt të prekshëm që mbështesin gënjeshtrat e tyre. Fjalë, fjalë, fjalë ofrojnë liberalët dhe gaztorët mediatikë të shtyrë nga këshilltarët e tyre të marketingut politik. Fjalë të bukura, të rralla, shpresëdhënëse, poetike, lirike, plot patos dhe pasion, por që mbeten vetëm fluska sapuni që nuk ngjisin në asnjë sofër të familjeve që nuk sigurojnë dot ushqimin, punën, të ardhmen.
Ju erdhi ndër mend ndonjë emër? Sigurisht që po.
Sot një njeri i zakonshëm nuk ka nevojë për një telefon smart, apo televizor smart, por është shumë jetike që të tregohet vetë smart. Të jetë smart dhe të mos bjerë pre e gënjeshtrave të marketingut politik. Që të mos besojë realitetin virtual të gaztorëve liberalë që vetëm bëjnë propagandë dhe përshkrime të gjata me fjalë pa ju bërë të prekni diçka konkrete, diçka që është në të mirën tuaj.
Liberalët e kanë të mbartur në filozofinë e tyre të shënjestrojnë kombin, shtetin, sistemin, traditën, familjen, arsimin, rendin shoqëror, tregun e punës, biznesin duke propozuar eksperimente për të gjitha këto sektorë. Mjafton që një qytetar sot të pyesë veten se a po rrezikohet kombi im përmes ekperimentesh, siç janë kufijtë, shpopullimi, etj? A funksionon shteti tradicional apo po ekperimentohet të shkelet balanca e pushteteve? A flitet gjithnjë e më shumë për sisteme të reja qeverisëse, drejtësie, parlamentare, etj, por që në fakt askush nuk e kupton dhe askush nuk ka të prekshme diçka konkrete? A po harrohet tradita jonë duke promovuar fenomene të reja të panjohura më parë? A po cënohet institucioni i familjes duke tentuar ndërhyrje në kodin e familjes? A po eksperimentohet me arsimin? A kemi një zhbërje të rendit shoqëror? A është i lirë apo i orientuar tregu i punës? A kontrollohet biznesi nga pak duar, shumica prej të cilëve janë të panjohur dhe që qëndrojnë në hije, ndërkohë që bizneset e vogla familjare dhe ato tradicionale shkojnë drejt falimentimit? Dhe a ndihesh i fyer brenda vetes që dëgjon në çdo media për një realitet të mrekullueshëm utopik por që në realitet ti dhe familja jote po vuan më shumë sesa kurrë?
Mendo për përgjigjet e këtyre pyetjeve dhe filozofia, propaganda, dhe marketongu politik liberal do të të shfaqet përpara syve më kuptueshëm dhe më i qartë.
Por së fundmi, gënjeshtra e të gjitha gënjeshtrave që ka prodhuar liberalizmi është bindja tek qytetarët se ata nuk kanë asgjë në dorë, që çdo gjë kontrollohet nga qeveria, se ajo fiton gjithmonë, dhe se qytetarët humbasin gjithmonë pavarësisht çdo përpjekje. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Historia botërore na mëson se aspiratat e kombeve triumfojnë gjithmonë dhe se ato shuajnë çdo propagandë dhe filozofi qeverisëse që i bëhet pengesë zhvillimit të vendit dhe lirisë që qytetarëve.
Epoka e fjalëve boshe është drejt fundit. Aspirata e flaktë e popullit për të prekur Evropën, mirëqenien, lirinë, drejtësinë, dhe rendin e duhur shoqëror, shumë shpejt do përmbushet. Ky është një fakt i pashmangshëm.