Gentian Demaliaj, një Det mirënjohjeje nga qytetarët e Lezhës

Nga Albina Gjergji

 

(Në një ceremoni, zhvilluar pranë Pallatit të Kulturës, me pjesëmarrës të afërm, miq, personalitete dhe qindra fansa, Bashkia e Lezhës nderoi me Titullin, “Mirënjohje e Qytetit”, vokalistin dhe grupin “Djemtë e Detit”…)

 

“Mirënjohje e qytetit”, këngëtarit që shkroi me gërma të arta emrin e tij në historinë e muzikës moderne shqiptare, duke i dhënë emër qytetit të Lezhës në hapësirën mbarëkombëtare”, me këtë motivacion, Këshilli Bashkiak i këtij qyteti, me kryetar z. Viktor Tushaj ka vlerësuar mbrëmjen e martë liderin e grupit “Djemtë e Detit”, të ndjerin Gentian Demaliaj.

Në një ceremoni të zhvilluar në zemër të qytetit, pranë Pallatit të Kulturës, ku Genti bashkë me anëtarët e tjerë të grupit kaloi pjesën më të madhe të rinisë së tij, kreu i Bashkisë Tushaj vlerësoi maksimalisht kontributin e lezhjanëve, të cilët me muzikën e tyre sollën një frymë të të bërit art në rininë e viteve ’90, kohë kur shoqëria shqiptare përjetonte trancizionin post-komunist. “Është një ceremoni e jashtëzakonshme kjo. Për dy gjëra është njohur qyteti I Lezhës; për Hotelin e Gjuetisë dhe për “Djemtë e Detit”, kështu që është kënaqësi e nder për mua që u jap titullin “Mirënjohje e Qytetit” Gentit dhe “Djemve të Detit”, të rinjve, të cilët me muzikën që bënë sollën një frymë të re në shoqërinë tonë. Ndër shumë vlera historiko-kulturore që qyteti ynë gëzon, me muzikën që “Djemtë e Detit” bënë i dhanë edhe më shumë vlera Lezhës, duke u bërë kështu edhe ndër promovuesit tanë më të mirë në art”, u shpreh kryetari i Bashkisë, z. Tushaj në fjalën e tij, ndërsa më tej shtoi se, pavarësisht ikjes së parakoshme të liderit të këtij grupi, Gentian Demaliaj do të vazhdojë të jetojë në mendjet e gjithë artdashësve shqiptarë, si një nga perlat e gjerdanit të artë të qytetit të Lezhës, Shqipërisë e më gjerë.

Të pranishëm në këtë ngjarje shumë domethënëse për familjarët e të ndjerit, Gentian Demaliaj, si dhe për fansat e “Djemve të Detit” ishin shumë personalitete të njohura nga bota e artit, politikës, medias dhe sportit, disa prej të cilëve ndanë me të pranishmit copëza kujtimesh dhe vlerësimet maksimale për “rebelët” e qytetit, që bënë revolucion në muzikën tonë. Pas fjalës së kryebashkiakut Tushaj, ish drejtori i Pallatit të Kulturës, Ismet Zusi gjithashtu rrëfeu përjetime personale me djemtë dhe liderin e këtij grupi, Gentian Demaliaj. Mes shumë emocionesh, deri në përlotje ai risolli në vëmendje portretin e Gentit dhe sesi e mbante mend atë teksa bënte prova në Shtëpinë e Kluturës. “Teksa isha i ulur tani në stolin tim dhe i përqendruar në prezantimin e krijimtarisë së “Djemve të Detit” m’u shfaqën para syve shumë skena e kujtime që ruaj me këto talentë. Genti nuk është e vërtetë që s’është mes nesh. E shikoni atë yllin që shkëlqen atje lart? Vetëm një yll shihet sonte dhe pikërisht ai Yll është Genti, i cili na ndjek e këndon bashkë me ne sonte”, u shpreh ish drejtori i Pallatit të Kulturës me lot në sy, ndërsa gjithë të pranishmit duartokisnin e thërrisnin emrin e Gentit.

I moderuar me mjaft sportivitet nga këngëtari dhe prezantuesi lezhjan, Keler Sufja në këtë ceremoni mirënjohjeje nuk u la pa u përmendur, me shumë të drejtë vonesa e këtij Titulli për Djemtë e Lezhës, megjithatë siç edhe vetë kryetari i Bashkisë theksoi, disa gjëra ndodhin jo kur i dëshirojmë, por kur piqen kushtet. Kujtojmë këtu, se Komuna Shëngjin, me kryetar Salvador Kaçajn, i cili ishte edhe i pranishëm e ka dekoruar në të gjallë të tij artistin Gentian Demaliajn!

Pas fjalimeve të mbajtura nga disa prej figurave më të njohura në vend, të cilët nuk lanë pa përmendur edhe anëtarët e tjerë të grupit, që për arsye distance nuk mundën të ishin të pranishëm, në skenë është ngjitur e bija e Gent Demaliajt, fituese e “X Factor Albania 4”, Edea Demaliaj. “Gjithë gjëja që po mësoj nga kjo që po shoh sonte këtu është që muzika gjithmonë do të vlerësohet. Nuk ka rëndësi se kur, por rëndësi ka që të vazhdosh të bësh atë që do”, u shpreh ndër të tjera ajo. Pas fjalimit prekës për të atin, Edea, Gentian Deda dhe Keler Sufja kënduan disa prej baladave më të njohura të “Djemve të Detit”, ndër të cilat kujtojmë “Mos Qaj”, “Ëndrrat që për ty i thura”, etj..

Në përfundim të ceremonisë, ku qindra qytetarë ishin mbledhur në kujtim e nderim të Gentian Demaliajt, kanë qenë djemtë e “Ultra-s” të ekipit të futbollit të Besëlidhjes ata që kanë surprizuar, duke i dhuruar vajzës së Gentit flamurin, shallin dhe bluzën e ekipit të tyre të zemrës, Besëlidhjes, ndërsa familjes së Gentit posterin me protretin e tij, që e mbajnë në stadium në çdo ndeshje që ekipi i tyre i zemrës luan. Mes shumë eksperiencave të ndara me qytetarët e pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Teodor Ngjela, djali tezes së Gentit, (njëkohësisht pjesë e mëvonshme e grupit “Djemtë e Detit”), i cili mes emocioneve të shumta shprehu mallin që ndjente për mikun, kushëririn dhe liderin e grupit që bënë histori në rock-un shqiptar.          

Të krijuar në fund të vitin 1989, fillimisht në Lezhë, “Djemtë e Detit” spikatën me talentin e tyre dhe me rrymën e veçantë që ata përfaqësonin. Muzika rock, zëri rock, të veshurit rock, kultura e të sjellurit rock do të ishin frymëzim për gjeneratën e asaj kohe, për brezat e mëvonshëm dhe për shumëkënd “stil jetese” krejt ndryshe nga ç’ishim mësuar të dëgjonim e shihnim më parë. Djemtë e Detit, një grup të rinj të sapodalë nga Instituti i Lartë i Arteve dhe Liceu Artistik padyshim ishin risi më vete, për vetë muzikën që bënin dhe tekstet e këngëve që shkruanin. Vargjet e tyre vinin krejt ndryshe nga autorët e tjerë, me mesazhe të forta sociale e sentimentale, për t’u identifikuar më vonë si Unikë në llojin e tyre, në përmbajtje e formë. Ndryshe nga sa ishim mësuar të dëgjonim asokohe, muzika e tyre kishte tingull dhe ndikim të qartë nga hard-rokcu e metali, muzikë kjo mjaft aktuale në mesin e viteve ‘80 në botë. Dalja e tyre e parë në skenë ka qenë pikërisht në Pallatin e Kulturës, Lezhë me datë 15 maj 1991 me një koncert recital të grupit, asokohe me soliste këngëtaren e mirënjohur, Mimoza Selimi. Pjesëtarët e Djemve të Detit fillimisht ishin, Mimoza Selimi – vokaliste, Flamur Toska  – Lead guitar, Shkëlqim Metaj – Bass guitar, Shkëlqim Rrustja-Keyboard, Theodhori Bllahova – Bateri. Më pas, bandës lezhjane do t’i bashkohej Gentian Demaliaj, një djalë i ri në moshë, vetëm 17 vjeç, por me një vokal brilant e të jashtëzakonshëm, që nuk të linte indiferent. Jo më kot pas kësaj daljeje, rruget e “Djemtë e Detit” dhe Gent Demaliaj do të shkonin në të njëjtin drejtim për shumë gjatë. Vlen të përmenden gjithashtu dy kompozitorët dhe autorët e dy këngëve të para, Bujar Daci –tastierë e kompozitor, si dhe Gëzim Toska – letrar e poet. Gentian Demaliaj shquhej gjithashtu edhe për penën e hollë në vargje, dora e të cilit nuhatet lehtësisht në disa prej këngëve të grupit që bënë histori në muzikën e mirëfilltë shqiptare. Ditën e djeshme, Genti do të mbushte 41- vjec, fat të cilin jeta nuk ia dha e megjithatë… nëse na shikon nga lart, në emrin e fansave të tu, Gëzuar datëlindjen legjendë, atje… mes engjëjsh!

Flamur Toska (Djemtë e Detit)

Mbaj mend një kujtim shumë të veçantë me Gentin. Kur ishim në një tur koncertor në Gjermani në vitin ‘96, në një koncert që dhamë për shqiptarët e Kosovës në Liverkusen, mbasi mbaruam koncertin me këngë të repertorit të grupit një grup djemsh të rinj na afrohen e na bëjnë një kërkesë speciale, duke iu drejtuar Gentit, “Të lutem, a mund ta këndosh edhe një herë këngën e Jakup Ferrit? Ju paguajmë sa të doni, por e kemi përshëndetje speciale”! Genti u habit nga kërkesa e pagesës dhe ju tha, “Përse e doni” e ata ju përgjigjën, “Sepse duam ta inçizojmë. Ne jemi një grup të rinjsh, që nesër do të nisemi për në Kosovë ilegalisht dhe do të fillojmë të krijojmë bandat e para kundër serbit”. Genti u prek shumë dhe siç ishim të gjithë bashkë u çuam dhe montuam edhe një herë instrumentet dhe ai nisi ta këndonte me një fuqi të jashtëzakonshme, si asnjëherë më parë. Shumë i mallëngjyer në fund të këngës, ai porositi 15 bluza – aq sa ishin djemtë – me foto të grupit dhe shkoi i stampoi në dyqanet e posaçme dhe jua bëri dhuratë. Të nesërmen i përcolli vetë Genti të gjithë djemtë nga Liverkusen i Gjermanisë deri në Slloveni. I thamë që ishte pak larg, por ai ishte aq patriot dhe e donte aq shumë Kosovën, sa nuk di ta shpjegoj. Inçizimin që bënë djemtë, donin ta përdornin si Himn të batalionit, në mënyrë që kur ta dëgjonin t’u jepte forcë në përballjet me serbët. Gjatë gjithë kohës, pas kësaj ngjarjeje Genti ka mbajtur kontakte me ta. Edhe pse njëri prej tyre ra dëshmor në Luftën e Kosovës, Genti e kujtonte me mall e dhimbje. Një tjetër kujtim që më lidh me Gentin dhe që nuk do ta harroj kurrë ishte ai i 9 muajve para se të ndërronte jetë. Në një nga ato ditët që Genti vinte në Lezhë, më thotë te Pallati i Kulturës, “Ke kohë të pijmë një kafe” dhe sigurisht që kisha kohë gjithmonë për të. Kisha dëgjuar për sëmundjen e Gentit, por sa herë flisnim në telefon ma shmangte këtë temë. Më tha, “Flamur, e ke marrë vesh që jam i sëmurë dhe jam afër vdekjes?”! Ishte shumë i qetë, dukej mirë fizikisht dhe tepër i kuruar estetikisht, pra nuk e jepte që ishte i sëmurë. I thashë, “Genti, ti je i fortë dhe nuk do të të ndodhë asgjë e keqe”. Pastaj shtoi, duke më thënë, “Kam shumë dëshirë të shkojmë tek pianoja e parë, ku kemi nisur provat në Pallatin e kulturës. Dua të këndojmë për qejfin tonë”. I thashë që sigurisht, por prapë kishte një kërkesë tjetër. “Të marrim edhe 1 shishe whiskey me vete, që duke kënduar edhe të pijmë ndonjë gotë”. I thashë, “O Genti të bën keq”, për më kundërshtoi. I telefonova një shoku për ta pyetur, nëse Genti konsumonte alkool e ai më tha, “jo, nuk konsumon”. Por atë ditë ai donte të pinte! U ngjitëm sipër dhe nisëm të këndonim që nga këngët e para, disa prej të cilave s’janë publikuar e të gjitha me radhë. Kështu, duke kënduar e duke pirë nga një gotë shihja tek ai një energji të jashtëzakonshme, sikur të mos ishte hiç i sëmurë e në fakt mua nuk më jepte përshtypjen e një njeriu që priste t’i ndodhte diçka e keqe. Pas 1 ore e gjysmë e pamë që e kishim tepruar disi me pije dhe i thashë ta ndërpisnim. Mu drejtua, “Flamur do këndojmë edhe një këngë dhe do ta mbyllim”. Në fund më tha, “Dëgjo Flamur, njeriu vdes fizikisht, por asnjëherë shpirtërisht. Sot që kënduam bashkë me këtë piano, për të cilën ndjeja mall e që kisha 10 vjet pa e parë, kjo besoj se do të më ketë shtuar edhe 3 muaj jetë”. “Më i sëmurë po dukem unë, sesa ti i thashë”, e kështu nisëm të qeshnim. Genti për mua është gjallë.

Valentin Markvukaj (Djemtë e Detit)

Një vlerësim i tillë, si “Mirënjohja e Qytetit” më emocionon pa masë dhe sinqerisht më bën të ndjehem mirë, një ndjenjë kjo disi e mirë, e hidhur. Sigurisht çdo gjë e “Djemve të Detit” lidhet me liderin e grupit, Gentin dhe mungesa e tij natyrisht është e pranishme. Nëpërmjet zërit të Gentit ju dëgjoni jo vetëm zërin e tij, por shpirtrat tanë, botën emocionale tonën, atë çfarë ne besonim dhe jetonim, ndaj përtej artit, apo skenës ikja e parakohshme e Gentit më bën të ndjehem i trishtuar. Por, sigurisht ajo çka Genti la pas është jo trishtim, por një vlerë artistike që ben krenar jo vetëm çdo bashkëqytetar të tij, por edhe ne që patëm kënaqësinë dhe fatin të krijonim së bashku. Ndaj jam shumë i emocionuar dhe i privilegjuar që ky qytet, ku ne hodhëm hapat e parë dhe krijuam atë që tanimë ju e dini dhe i këndoni, të na vlerësojë dhe nderojë. Sapo kam mbaruar së aranzhuari këngën “A'të” të Gentit dhe është një Power Ballade, që them se do të pëlqehet shumë. Genti është në fillim (si tip Vintage, ngaqë e ka inçizuar me telefon) dhe në pjesën tjetër, Eugent Bushpepaj. Sa i takon kujtimeve me Gentin, s’di ç’të them, por sinqerisht më ka mahnitur gjithmonë mënyra sesi ai përballoi fundin. Një njeri me një forcë të tmerrshme dhe që nuk ankohej kurrë. Optimis, shumë optimist. Natën e fundit, para se të kthehesha (fjeta tek shtëpia e tij) ishte një ndjejnë shumë e çuditshme, sikur të dy e dinim që ishte e fundit natë bashkë dhe nuk kishte qejf të shkonim të flinim. Unë isha i vdekur për gjumë, sepse më kishte vdekur xhaxhai dhe dy net pothuajse pa gjumë fare. Por, më pas kuptova që ishte e pamundur ta bindja, se s’do më linte të flija nga kujtimet dhe batutat e shumta ndër vite që më tregonte. Kështu ndenjëm gjithë natën zgjuar. Gent na mungon!

 

Performanca dhe Çmime:

•             1991 – çmimi i dytë në RTSH me “Ëndrrat që për ty i thura”

•             1995 – çmimi i dytë në Festivalin e parë të rock-ut

•             1996 – çmimi i parë në Festivalin e dyte të rock-ut

•             1996 – çmim special në RTSH, “për përpunimin e Këngës popullore etno-rock, “Jakup Ferri”

•             1997 – çmim në Festivalin e RTSH “Interpretuesi dhe Grupi më i mirë” me këngën, “Mos Qaj”

•             1997 – del në treg albumi i parë “Izolimi Vdes”

•             1998 – cmim në RTSH, si “Interpretuesi më i mirë”, si dhe çmimi special, “Kënga më e mire” ër këngën, “Kohë pa ty”.

•             2002 – çmim i parë në “Mikrofoni i Artë 1” me këngën, “Jo tani”

•             2002 – karriera e Gentian Demaliaj do zhvillohej e kompletohej edhe në fushën e dramës dhe filmit, ku në këtë vit mbron Diplomën dhe gjithashtu luan në filmin e regjisorit, Mevlan Shanaj, “Lule të kuqe, lule të zeza”, (personazhi i Ben Pashës)

•             2004-2005 – profilizohet gjithashtu në regjisurë si regjisor në Drejtorinë e Aktualitetit në RTSH.

•             2006 – pjesëmarrje në musical-in, “Romeo &Juliette” me regji të Gjergj Xhuvanit (personazhi i Tibaltit)

•             2008 – pjesëmarrje në musical-in, “Mouline Rouge”

•             2008-2009 – del në treg albumi numër 2, “Epos”.

 

SHKARKO APP