Geronimo nuk banon tek Astiri!

Nga Arian Galdini

Geronimo ishte lideri i fundit i indianeve të Amerikës i cili luftoi deri në fund të jetës së tij për të drejtat e popullit të tij.

Ai u edhe bë simboli i rezistencës së fiseve Apache të cilët ishin viktimat e zhvillimit mizor.

Që nga ajo kohë Perëndimi u end gjatë nëpër debate nëse zhvillimi duhet të jetë i pamëshirshëm, barbar dhe duke shkaktuar viktima të pafajshme?

Historia e botës është e shenjuar nga Qytetërimi i përhapur nëpërmjet pushtimeve, luftrave dhe Perandorive.

E megjithatë u desh që Bota të kalojë edhe nëpër 2 luftra të mëdha e botërore, për të vendosur një standart të ri së paku të kornizuar dhe synuar nëpërmjet shumë dokumentave dhe organizatave ndërkombëtare.

Dinjiteti Njerëzor është sot kryestandarti e mbiparimi i Perëndimit.

Prandaj biznesi ka kaluar në një fazë të re të përgjegjësive sociale, ambjentale e kulturore dhe Diplomacia dhe Fuqia e Shteteve ushtrohet si diplomaci publike, soft power (pushtet i butë) dhe negociatë e parreshtur në respektë të gjithçkaje të vlerë që ka njeriu e njerëzimi.

Pikërisht ndërsa në Perëndim bëhet gjithnjë e më i çmuar dinjiteti njerëzor, në Shqipërinë aspirante për tu anëtarësuar në BE, zhvillimi na shfaqet e përfaqësohet si punë në shërbim të shumicës, anipse shkel me këmbë, dhunon, keqtrajton qoftë edhe një pakicë të skajshme.

Indianët e Gernimos, konsideroheshin si “lëkurëkuqtë” që duheshin qërruar nga faqja e dheut sepse ishin një pengesë e bezdisshme e zhvillimit.

Ndërsa këta të ardhurit e legalizuar apo të palegalizuar të vendit tonë, herë konsiderohen si kolonë e herë si shpellarë.

A nuk është kjo që po ndodh tek Astiri, pothuajse e njëjta sindromë si ajo e mizorisë ndaj “lëkurëkuqve të amerikës” për të ndërtuar hekurudha e rrugë?

Por ai ka qenë Far Westi i para 200 viteve.

Sot jemi në kohë të reja.

Si mund ti ballafaqosh qytetarët e qytetit tënd, vendit tënd, me sfida të tilla mes shtëpisë ku fut kokën dhe rrugës si interes publik?

Nëse nuk ke një zgjidhje të drejtë dhe të denjë për këta banorë, atëherë gjeje para se tu çosh rruspat dhe policinë.

Gjeje se s’bën.

Mos ji kaq arrogant duke menduar se Geronimo ka vdekur para 200 vitesh e nuk banon kurrkush si ai tek Astiri.

Mund të befasohesh kur të shohësh nesër tek 300 kryefamiljarë, 300 Geronimo.

SHKARKO APP