Gjendja shëndetësore e Robert Ndrenikës, shtyn shfaqjen “Mendohu Xhakomino”

Vepra nën regjinë e Milto Kutalin ka premierën më 8 shkurt në Teatrin e Metropolit

“Mendohu Xhakomino” vepra me regji të Milto Kutalit do të ngjitet premierë në skenën e Teatrit Metropol më 8 shkurt. Dhe pse ishte paralajmëruar për tu shfaqur më 2 shkurt, gjëndja shëndetësore jo e mirë e aktorit kryesor të kësaj vepre Robert Ndrenika bëri që shfaqja të shtyhet. “Shkak i kësaj shtyrjeje janë shkaqe shëndetsore të aktorit të njohur, mjeshtrit të skenës, Robert Ndrenika dhe disa aktorë të tjerë të kastit të shfaqjes. Ne jemi  të gjithë shumë të angazhuar dhe shumë të investuar në këtë projekt. Kemi treguar që nga fillimi i vitit 2016, se edhe në projekte të tjera të ngjashme  si me shfaqjen “Tre dhëndurët” ku interpretoj znj. Hajrie Rondo se investimi ynë kryesor është tek NJERIU, është tek figurat të cilat kanë dhënë një kontribut shumë të gjatë në teatër dhe kinematografinë tonë, po aq edhe në talentet e reja. Unë besoj se z. Ndrenika apo kushdo tjetër e meriton dy apo tre ditë mirëkuptimin si nga publiku, ashtu dhe nga institucioni, që të jetë në formën e vetë më të mirë, për punën e mirë që ka bërë . Unë si përfaqësuese kryesore e  institucionit, do t’iu kërkoj mirëkuptim të gjithë atyre që kanë prerë biletat, se ne do ti respektojmë të gjitha prenotimet që janë bërë dhe ato të spostohen në javën në vijim, përkatësisht ata që kanë blerë biletën për të premten do të shohin shfaqjen të premten që vjen. Pra, premiera nuk do jetë në datën 2 shkurt sikurse ne e kishim lançuar por do të jetë në datën 8 shkurt,  për t’i dhënë kështu mundësi jo vetëm z. Ndrenika por edhe disa aktorëve të tjerëve të stafit”, u shpreh Jonida Beqo, drejtoresha e Qendrës Kulturore Tirana, (Teatri Metropol). Për regjisorin Kutali aktori Ndrenika është duke kaluar një grip të lehtë. “Mendohu Xhakomino” është një vepër e shkruar në 1917, aktuale dhe gjithëpërfshirëse edhe në ditët e sotme, duke pasur ngjashmëri me aktualitetin shqiptare. Eshtë një vepër që flet për humanizmin njerëzor, për të cilin mjedisi shqiptar ka aq shumë nevojë. Pamundësia, paradokset ekzistenciale të individit, rolet e dyfishta, kriza e identitetit, etj, janë tematika që trajtohen në këtë vepër”, tha Kutali. Vepra është e ndarë në tre akte dhe ngjarjet zhvillohen përkatësisht në një korridor gjimnazi, pas orës së mësimit. Në shtëpinë e profesor Totit, pas afro 2 vjetësh dhe në familjen Delizi, pas dy vjetësh të tjerë. Personazhet e karakteret e kësaj vepre kanë nota të theksuara humori. “Mund ta shohësh si vepër lirike, pasi Pirandelo i cilëson komedi veprat e tij, nga ndërtimi i disa karaktereve, të cilët shprehin natyrshmërinë e njerëzve të thjeshtë, provokojnë të qeshurën dhe kanë një lloj humori të begatë në vepër. Profesor Toti është një njeri shumë fin, i cili, vë në lojë gjithë këtë shoqëri, e cila duket sikur bën për njeriun, por në fakt nuk bën asgjë”, shprehet regjisori Milto Kutali. “Me shume sinqeritet dua të them se respekti  dhe kujdesi që është treguar ndaj këtij projekti  artistik, ku përben një nga momentet më të rëndësishme dhe të jetës sime. Kam pasur shumë dëshirë që Robert Ndrenikën ta kisha në shfaqje që në vitin 1990, kohë kur sapo kisha mbaruar studimet dhe kisha paraqitur veprën “Ana Kristi”  të një nobelisti amerikan. Pas 26 vitesh edhe më shumë unë pata rastin te gjej një bashkëpunim me një aktor të këtij kalibri si artisti i nderuar, Robert Ndrenika apo edhe e gjithë pjesa tjetër e kastit”,  shpjegon më tej regjisori. Në qendër të veprës “Mendohu Xhakomino”, është profesor Toti (Robert Ndrenika),  një burrë rreth të 70-ve, i cili nuk ka krijuar familje, është human dhe sakrifikon veten për gjeneratën e re. Ai bën një martesë fiktive me Liljanën (Paola Kodra), (vajzën e rojës së shkollës (Arben Derhemi)) e cila ka mbetur shtatëzënë me Xhakominon (Amri Hasanlliu), një nga ish-studentët e preferuar të profesor Totit. Këtë akt human të profesor Totit nuk mund ta pranojë dhe ta kuptojë opinioni i gjerë duke filluar nga: drejtori i gjimnazit (Alert Çeloaliaj), prindërit e Liljanës (Marjana Kondi dhe Arben Derhemi), motra e Xhakominos (Klodjana Keco), si dhe kisha e përfaqësuar prej At Landolino (Redjan Mulla), madje dhe vetë Xhakomino nuk arrin të kuptojë altruizmin e Totit. Profesori me durim dhe përkushtim i kundërvihet të gjithëve, pasi me të është e drejta humane. “Kjo sipërmarrje e profesor Totit, që është kryeprotagonisti i veprës ka disa ngacmime nga opinioni publik, nga ekzekutivi lokal, pasi nuk janë kaq të ndjeshëm sa ai, për t’i shërbyer gjeneratave. Mua më duket që është një nga shembujt më sinjifikativë që njerëzit duhet ta duan dhe duhet të bëjnë sa të kenë mundësi”, thotë Kutali.  Problematika e shoqërive të ngurta, të kompleksuara, nënshtruarar nga konvencat provincialiste, reflektojnë konstanten themelore, që përshkon veprën e Pirandelos “Mendohu Xhakomino”. “Individi dhe të drejtat e tij themelore, qëndrojnë në pozita të brishta përballë mentalitetit të ngurtë, që reflekton mjedisi social, pjesë integrale e të cilit është çdo njëri prej nesh. Familja duhet mbrojtur me çdo kusht! Nëse mbrojmë familjen, kemi mbrojtur vetë jetën, emancipojmë shoqërinë ku jetojmë, zhvillojmë kushte më perfekte për të ardhmen e brazave” thotë regjisori. Në role të tjera në këtë vepër intepretojnë aktorët Amri Hasanlliu, Paola Kodra, Arben Derhemi, Marjana Kondi, Klodjana Keco, Redjan Mulla, Alert Çeloaliaj dhe Merita Dabulla.

SHKARKO APP