Gjeneralët shqiptarë të Kroacisë!
Shqiptarët janë pjesë e historisë së shtetit kroat, i cili u shkëput me luftë nga ish-Jugosllavia.
Mijëra shqiptarë veshën uniformën e ushtrisë kroate dhe luftuan bashkë me ta në të gjitha nivelet për pavarësinë e këtij vendi ballkanik. Sipas të dhënave të Shoqatës së Luftëtarëve Shqiptarë në Kroaci, rreth 3 mijë vullnetarë shqiptarë luftuan përkrah forcave kroate, nga të cilët dhjetëra ranë dëshmorë dhe qindra u plagosën në luftë.
Lufta e viteve 1991-1995 për çlirimin e Kroacisë mbart me vete edhe sakrificën e shqiptarëve dhe mbi 300 prej tyre kanë tashmë statusin e veteranit të luftës në këtë vend. Por ndër ta ka emra të përveçëm si gjeneralët dhe oficerët shqiptarë ndër të cilët: gjeneral Rrahim Ademi, gjeneral Bekim Berisha, gjeneral Agim Çeku dhe të tjerë.
Gjeneral Rahim Ademi
Gjenerali Rahim Ademi, nga Vushtria e Kosovës, kalon në ushtrinë kroate duke lënë ushtrinë jugosllave në verën e vitit 1990.
Mbron Shibenikun nga sulmi i ushtrisë jugosllave dhe në shtator 1991, ai dhe forcat e komanduara prej tij marrin disa kazerma të ushtrisë jugosllave në Shibenik.
Gjatë vitit 1993 është pjesë e disa operacioneve ushtarake në Kroaci, më pas në territorin e Bosnjës dhe Hercegovinës në periudhën 1994 dhe 1995, në operacionin “Zima ’94” dhe në të gjitha operacionet e rëndësishme në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci.
Gjeneral Bekim Berisha
Bekim Berisha lë perëndimin dhe hyn në njësitë elitë të Kroacisë. Për luftën në Kroaci, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë kroate e dekoron me gradën e Gjeneralit.
Nga Kroacia, gjenerali Bekim Berisha merr pjesë në luftën e Bosnjës përsëri kundër forcave serbe ndërsa në mars të vitit 1998, hyn ilegalisht në Kosovë dhe bëhet pjesë e UCK-së. Humb jetën i qëlluar nga forcat serbe në fushën e betejës në Kosovë në përpjekje për të mbrojtur Junikun.
Gjeneral Agim Çeku
Me fillimin e luftës në ish-Jugosllavi në vitin 1991, gjeneral Agim Ceku drejton forca kroate në disa operacione luftarake kundër forcave jugosllave dhe më pas merr pjesë në luftën që pasoi me Republikën serbe të Krajinës. Në shtator 1993 plagoset gjatë operacionit “Toka e Zjarrtë”. Merr pjesë më pas në përgatitjen e doktrinës dhe taktikave të ushtrisë kroate, duke planifikuar Operacionin Stuhia ( Olluja) në vitin 1995, i cili zhbën republikën serbe të Krajinës duke i dhënë fund luftës në Kroaci. Ceku dekorohet nëntë herë nga presidenti kroat Franjo Tugjman, duke arritur gradën gjeneral brigade. Në shkurt 1999 jep dorëheqjen nga ushtria kroate dhe i bashkohet UÇK-së ku caktohet shef i Shtabit të Përgjithshëm të saj.
Mijëra shqiptarë jetojnë në Kroaci dhe një prej tyre, Ermina Lekaj, Perlaskaj, ka fituar mandatin e tretë si deputete në parlamentin kroat.
Shqiptarja nga Kosova ka qenë deputetja e parë e shqiptarëve në Kroaci. E lindur në Kosovë, por e arsimuar në Rjekë, deputetja shqiptare është juriste dhe ka përfaqësuar pakicat kombëtare në këtë vend. Shqiptarët e Kroacisë përbëjnë njërën prej diasporave më të vjetra në Kroaci, që në mesjetën e hershme, para vdekjes së Skënderbeut.
Gjurmët shqiptare gjenden në rrethinën e Zarës, në Arbanas, nga ku vjen edhe një prej shkencëtarëve më të njohur, ilirologu Aleksandër Stipçeviç. Me rastin e 600-vjetorit të lindjes së Skënderbeut, Stipçeviç kishte folur për heroin kombëtar të shqiptarëve në gjuhën shqipe./abcnews.al/