Gjirokastër, nisin përgatitjet për Festivalin Folklorik

 

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u takua me përfaqësues të qeverisjes vendore në Gjirokastër, si vendi organizator i Festivalit Folklorik Kombëtar, për të parë nga afër përgatitjet e këtij festivali. Në takim u diskutua për detajet e fundit të organizimin dhe të gjitha hallkat e rëndësishme administrative, logjistike dhe artistike të kësaj ngjarjeje mbarëkombëtare të trashëgimisë jo materiale, që kërkojnë një bashkëpunim mes pushtetit qendror dhe atij vendor.

“Festivali Folklorik i Gjirokastrës është monumenti i trashëgimisë jomateriale, që për shqiptarët, Shqipërinë dhe Ministrinë e Kulturës, pa dallime ngjyrash partiake, por për të gjitha qeveritë ka qenë dhe mbetet një institucion shumë i rëndësishëm”, tha ministrja Mirela Kumbaro, e cila pas takimit informoi në një dalje publike para medias për pjesëmarrjen e grupit “Argjiro” dhe Roland Çenkos në Festivalin e Gjirokastrës, së bashku me grupin e fëmijëve “Obelisku”.

Ministrja Kumbaro inspektoi nga afër edhe punimet restauruese në Kalanë e Gjirokastrës, të cilat kanë filluar prej disa kohësh me mbështetjen e Bankës Raiffeisen. Inspektimi i dytë i rëndësishëm në Gjirokastër ishte në shtëpinë e Kadaresë, restaurimi i së cilës po kryhet nga UNESCO.

SHKARKO APP