“Gjithçka mbaron me erosin”, bisedë me Milan Kunderën

Philip Roth në një bashkëbisedim me Milan Kunderën mbi fatet e Europës, fundin e botës, vdekjen, librat dhe erosin

30 Nëntor, 1980

Nga Filip Roth

Kjo intervistë është përmbledhje e dy bisedave që kam bërë me Milan Kunderën pas leximit të një dorëshkrimi të përkthyer të librit të tij “Laughter and Forgetting” (E qeshura dhe harresa), biseda e parë në kohën që ai vizitonte Londrën për herë të parë, e dyta kur ai vizitonte për herë të parë Shtetet e Bashkuara. Këto udhëtime i nisi nga Franca. Që nga viti 1975, ai dhe gruaja e tij kanë jetuar si emigrantë, në Renne, ku dha mësim në universitet dhe tani në Paris. Gjatë bisedës sonë, Kundera fliste ndonjëherë edhe frëngjisht, por më shumë çekisht dhe gruaja e tij, Vera, na shërbente si përkthyese mes nesh. Një tekst përfundimtar në çekisht u përkthye në anglisht nga Peter Kussi.

Mendoni se shkatërrimi i botës do të vijë shumë shpejt?

Kjo varet nga çfarë nënkuptoni me fjalën “shpejt”.

Nesër, ose pasnesër.

Ndjenja që bota po turret drejt rrënimit është e lashtë.

Pra, nuk ka pse të shqetësohemi.

Përkundrazi. Nëse një frikë ka qenë e pranishme në mendjet e njerëzve për shekuj me radhë, patjetër që këtu ka diçka.

Sido që të jetë, më duket që ky shqetësim është sfondi ku ndodhin të gjitha ngjarjet e librit tuaj më të fundit, edhe ato që përfundimisht janë të një natyre humoristike.

Nëse dikush do të më kishte thënë që fëmijë: Një ditë do të shohësh kombin tënd të zhduket nga faqja e dheut, do ta kisha quajtur një lajthitje, diçka që nuk do të mund ta përfytyroja. Njeriu e di që është i vdekshëm, por e quan si ligj të pashkruar që kombi i tij zotëron njëfarë jete të përhershme. Por, pas pushtimit rus në vitin 1968, çdo çek u përball me mendimin që kombi i tij mund të fashitej plotësisht nga Europa, ashtu si gjatë pesë dhjetëvjeçarëve të kaluar 40 milionë ukrainas janë zhdukur nga kjo botë pa u ndier dhe bota nuk u ka kushtuar fare vëmendje. Ose lituanezët. E dini që në shekullin e 17-të, Lituania ishte një komb i fuqishëm europian? Sot rusët i mbajnë lituanezët në rezervat si fis gjysmë i zhdukur. Janë veçuar nga vizitorët për të mos lejuar që njerëzit jashtë të marrin vesh për ekzistencën e tyre. Unë nuk e di se çfarë ruan e ardhmja për kombin tim. Është e sigurt që rusët do të bëjnë të pamundurën ta shpërbëjnë në qytetërimin e tyre. Askush nuk e di nëse do t’ia dalin dot. Por, mundësia mbetet gjithnjë. Dhe vetëm kur e çojmë ndër mend që kjo mundësi ekziston, mjafton që çdokush të ndryshojë gjithë kuptimin mbi jetën. Edhe sot madje, unë e shoh Europën të brishtë, të vdekshme.

E megjithatë, nuk janë vallë fatet e Europës Lindore dhe asaj perëndimorë çështje krejtësisht të ndryshme?

Si koncept i historisë kulturore, Europa Lindore është Rusia, me historinë e saj tepër të veçantë të ngulitur në botën bizantine. Ashtu si Austria, Bohemia, Polonia dhe Hungaria nuk kanë qenë kurrë pjesë e Europës Lindore. Që në fillim ato kanë marrë pjesë në peripecinë e madhe të qytetërimit perëndimor, me epokën Gotike, Rilindjen, Reformimin –një lëvizje e cila e ka djepin e saj pikërisht në këtë zonë. Pikërisht këtu, në Europën Qendrore kultura moderne gjeti shtysat e saj të mëdha; psikanaliza, strukturalizmi, dodekafonia, muzika e Bartokut, estetika e re e veprave të Kafkës dhe Musilit. Aneksimi pas luftës i Europës Qendrore (ose të paktën i pjesës kryesore të saj) nga qytetërimi rus bëri që kultura perëndimore të humbiste qendrën e saj jetike të rëndesës. Është ngjarja më domethënëse në historinë e Perëndimit gjatë shekullit tonë dhe ne nuk mund ta shmangim mundësinë që fundi i Europës Qendrore shënoi fillimin e fundit për Europën në tërësi.

SHKARKO APP