Gjoba deri në 3.000 euro për “hajdutët” e rërës

Autoritetet në Sardenja po ashpërsojnë qëndrimin ndaj turistëve që vjedhin rërë nga plazhet e kristalta të ishullit si suvenir, e po vendosin gjoba që shkojnë deri në 3.000 euro. Më herët këtë javë, një 40-vjeçar italian por që jetonte në Britaninë e Madhe, u gjobit me 1.000 euro, pasi policia e kapi atë me një shishe me rërë nga plazhi Gallura në veri të ishullit.

Ndoshta edhe pa qenë në dijeni të seriozitetit të shkeljes, disa turistë e konsiderojnë rërën aq të mrekullueshme, saqë nuk mund t’i rezistojnë idesë për ta marrë me vete në shtëpi. Problemi e prek Sardenjën prej vitesh, me më shumë se një ton rërë të gjetur në bagazhet e turistëve në Aeroportin e Cagliarit vetëm verën e shkuar.

Zakonisht rëra futet në shishe plastike apo çanta, me etiketa në të cilat shkruhet emri i plazhit nga ku është marrë. Autoritetet thonë se edhe pse praktika duket e padëmshme, ajo nuk është thjesht shkelje por edhe dëmtim i ambientit në ishull.

SHKARKO APP