Gjon Mili, shqiptari magjik i fotografisë

 Gjatë qëmtimeve të mia profesionale e studimore rastisa në foton e mëposhtme, e cila duket intriguese dhe interesante që në vështrimin e parë, sepse ajo ka në “fabulën” e saj një çast fotografik me domethënie të veçantë në historinë botërore të fotografisë në vitet ’30 të shekullit XX, që ka të bëjë me fillimin e një etape të re, moderne në kapërcimet dhe evoluimet e saj shkencore e estetike. Fotoja është realizuar nga fotografi i njohur botëror, shqiptaro-amerikani Gjon Mili, ndërkaq, si protagonist i saj është shkencëtari dhe fotografi i shquar amerikan Herëlld Exherton, i cili, nga ana e vet shfaqet në momentin kur vetë ai po fotografon një futbollist që godet topin, në të vërtetë, çfarë ndryshimesh pëson topi në momentet e para të goditjes nga këmba e sportistit.

Kjo foto sintetizon punën eksperimentale të të dy fotografëve për një zbulim e aplikim të ri teknologjik që lidhej me përdorimin e dritës stroboskopike (blicit elektronik) në kombinim me rritjen e shumëfishtë të shpejtësisë së diafragmës së kamerës. Kjo punë do të konkludonte në realizimin e një lloj fotografie të paimagjinuar deri atëherë e që do t’i hapte një hapësirë të re teknologjike e artistike fotografisë së mëtejshme në të gjithë globin e në të gjithë kohërat dhe jo vetëm asaj.

Herëlld Exherton dhe Gjon Mili janë dy emra personalitetesh të bujshme të njerëzimit në shekullin XX, që i lidh midis tyre një valencë e përjetshme kozmike – drita, ky element jetëdhënës që shkenca dhe arti e kanë konverguar këtë herë në fokusin e Historisë së Fotografisë Botërore.

Kërpudha e shpërthimeve nukleare fotografuar nga H. Hedgerton

Një fushë tjetër novacioni e aplikimesh të rëndësishme para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore për Edgertonin ishte realizimi i fotografimit stroboskopik natën, nga avioni, në lartësinë rreth 500 metra, në hapësira të gjera territoriale luftarake për qëllime rikonicioni në Gjermani dhe Normandi. (Edgerton, Harold Eugene, Encyclopedia of World Biography, 2008, Ads by Google. Online)

Në mes të viteve ‘40, ai, bashkë me dy bashkëpunëtorët e ish- studentët e tij, Kenneth Germeshausen dhe  Herbert Grier, krijuan kompaninë EG&G (më vonë korporatë me 500 kompani e 30.000 punonjës), e cila u bë realizuesja dhe prodhuesja e shumë pajisjeve e aparaturave në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe shkencës. Me këtë kompani Exherton u bë një prej zotëruesve më të mëdhenj të patentave (rreth 45), madje edhe kontraktori i parë për Komisionin e Energjisë Atomike amerikane. (Wikipedia the free encyclopedia: Harold Eugene Edgerton)

Fantazia e tij krijuese e shkencore do të t’i përkushtohej më pas fundit të detit dhe oqeanografisë.  Pas vitit 1965 ai njihet me eksploratorin e famshëm nënujor francez Jacques Yves Cousteau dhe kontribuon me prodhimin dhe përmirësimin e stroboskopëve ndriçues e kamerave nënujore dhe fotografimin në thellësi të mëdha, ku realizojnë foton e parë nënujore. Të kësaj periudhe (vitet ‘50-‘70) janë kërkimet e disa anijeve të mbytura, si Titaniku dhe anija luftarake e Luftës Civile Amerikane USS Monitor; kërkimet arkeologjike dhe të objekteve e pasurive nënujore; fotografimi për studimin e profilit  sizmik të fundit të oqeanit etj. Me emrin e tij lidhet, gjithashtu, shpikja dhe prodhimi i aparaturave sonare (zanore, hidrolokatorë) që u quajtën “pinger” (fishkëllyes) të cilat në vend të dritës, përdornin tinguj e që u përdorën për matje dhe eksplorime të thella detare. Ndërkohë që punonte e udhëtonte me anijen eksploruese “Calipso” të Cousteau-t, ai dëgjoi se epiteti me të cilën ai thirrej në qarqet fotografike ishte “Papa Flash”.

            Exherton ishte një nga shpikësit më prodhimtarë në shkencën amerikane të shekullit XX. Shpikjet e tij avancuan madhërisht shkencën e imazherisë me shpejtësi të madhe, si dhe botën artistike të fotografisë dhe i atribuan atij shumë famë e reputacion në botën artistike e shkencore. “Një eksperiment i mirë është thjesht një gjë që zbulon diçka që nuk e dinim më parë” thosh Exhertoni.

            Angazhimi më i gjatë dhe i pandëprerë (prej 63 vjetësh) i Herëlld Exhertonit deri në fund të jetës (ai ka ndërruar jetë në Institut) mbetet, gjithsesi, ai i mësimdhënësit, si një nga pedagogët më të mirë të Departamentit të Inxhinierisë Elektrike  dhe Shkencave Kompjuterike të Institutit  Teknologjik të  Massachusets, shumë i njohur edhe sot.  Që prej vitit 1928 kur mbaroi gradimin, u caktua të japë leksione dhe më 1931 u emërua pedagog i përhershëm në këtë departament. Ndërkohë që vijonte intensivisht aktivitetin e tij zbulues e shkencor, më 1966 u laurua me titullin “Profesor” e më tej me atë “Profesor Emeritus”, të cilat i mbanin vetëm 1% e stafit akademik. I njohur me pseudonimin “Doc” ai kujtohet për leksionet e tij kreative, plot humor e të thjeshta dhe për kohën e çmuar që kalonte me studentët dhe graduantët duke ndarë kënaqësinë e shkencës. Ai ishte aq i adhuruar nga studentët për virtytet e tij humane, pedagogjike e shkencore sa, atëherë, konsiderohej privilegj i madh edhe vetëm nëse krijohej mundësia për ta takuar atë. “Punoni shumë, tregojini kujtdo çdo gjë që ju dini, ndahuni duke shtrënguar duart dhe paçi gëzim!”, shprehej ai. (MIT Electrical Engineering and Computer science. EECS Great Educators. Harold Eugene Edgerton, Online).

             Disa prej kontributeve e eksperiencave të tij shkencore e humane, Herëlld Exherton i ka lënë në shumë artikuj dhe disa libra të shkruar me këtë rast. Ai njihet si autor i mëse 100 artikujve shkencorë të botuar, si dhe i librave si: Flash! Seeing the Unseen by Ultra High-Speed Photography” (1939) (Flash! Duke Parë të Padukshmen me anë të Fotografisë Ultra të Shpejtë) me bashkautor James R. Killian Jr.; ”Electronic Flash, Strobe” (1970); “Moments of Vision: The Stroboscopic Revolution in Photography” (Çaste Pamore: Revolucioni Stroboskopik në Fotografi) (1979), me bashkautor James  R. Killian Jr.; ”Sonar Images” (“Imazhe Zanore”) 1986, me bashkautor James R. Killian Jr. (Wikipedia the free Encyclopedia: Harold Eugene Edgerton).

Ndërkaq, të tjerë autorë kanë shkruar mbi veprimtarinë e tij të gjatë shkencore, midis të cilëve spikat libri “Stoping Time: The Photographs of Harold Edgerton”(Ndalimi i Kohës-Fotografitë e Harold Exhertonit), New York,  1987, shkruar nga Gus Kayafas dhe Estelle Jussim, i cili  përmban 125 foto të Exhertonit të komentuara. Vihen re gjithashtu librat dhe organet e tjera shkencore ku flitet për veprimtarinë e Exhertonit, si “Contemporary Photographers” (Fotografë Kontemporanë), 3d ed. St. James Press, 1996; “Notable Scientists: From 1900 to the Present” (Shkencëtarë të Shquar: Nga 1900 deri Tani), Gale Group, 2001; Online “World of Invention (Bota e Zbulimeve)” Online, Thomson Gale, 2006; “Contemporay Authors” (Autorë Kontemporanë) Online, Gale 2007, etj. Herëlld Exhertonit  i janë akorduar shumë çmime, mirënjohje e vlerësime të larta, midis të cilave edhe “Medalja e bronzit” nga Shoqëria Mbretërore Fotografike (Royal Photographic Society) më 1934, “Medalja Howard N. Potts” më 1941, Cmimi “Albert A. Michelson” më 1969 dhe “Medalja Kombëtare e Shkencës” më 1973, “Medalja e Lirisë” nga Departamenti i Luftës (për arritjet e fotografimit të arealeve natën), “Medalja Kombëtare e Shkencës” dhe “Progress Award” i Shoqërisë së Fotografisë në Lëvizje dhe Inxhinierëve të Televizionit, çmimi i “100 vjetorit të Shoqërisë Gjeografike” më 1988 etj.

Me fotografitë e punimet e H. Exhertonit janë çelur një sërë ekspozitash të bujshme në disa prej muzeve të mëdhenj amerikanë e botërorë. Ekspozita e fundit, e quajtur “Më Shpejt se Vështrimi i Syrit” në Museumin e Artit Delaware, prezanton 18 foto të tij të realizuara me shpejtësi ultra të lartë. Sipas vlerësimeve të këtij muzeu, Dr. Herëlld Exherton ripërcaktoi kufijtë e shikimit, duke i treguar gjërat e padukshme me sy me ndihmën e të ndaluarit të kohës dhe duke e bërë të mundur këtë në një fraksion të sekondës. Të prodhuara me një dritë strobe, të cilën e zbuloi ai, ekspozimet e Herëlld Exheronit kapin edhe kufirin e një të miliontës së sekondës, duke bërë të duket impakti i një plumbi në mollë apo krahu në lëvizje i një zogu të vogël kolibër. Herëlld Exherton përfshihet në Ndërtesën e Famës në Nebraska dhe në Hollin e Famës të Zbuluesve Kombëtarë.

Gon Mili

 Është lindur në Korçë, më 1904, Gjon Mili, akoma fëmijë 5-vjeçar, bashkë me familjen e tij emigrojnë në Rumani, ku ai kalon adoleshencën e rininë e hershme duke u shkolluar. Më 1917 ndërron jetë i ati, Vasili. Ambiciet dhe joshjet amerikane të asaj kohe, si shumë prej shqiptarëve, si edhe oferta e xhaxhait të tij Koço,  e tërheqin atë në një tjetër emigrim në Boston, më 1923, kur ishte 19 vjeç, për t’iu përkushtuar seriozisht  studimeve universitare në të famshmin  Institut të Teknologjisë Massachusets, dega elektrike (ndriçim).

Gjatë viteve të studimit ai ka qenë jo vetëm një student shumë i mirë, por edhe një intelektual i ri, i dalluar në rrethet e veprimtarëve shqiptarë të Bostonit, sidomos të Federatës Panshqiptare “Vatra”,  ku ai ka njohur e është miqësuar me shumë prej tyre, veçanërisht me Faik Konicën, i cili ka ushtruar një ndikim të veçantë në formimin e të ardhmen e tij të suksesshme profesionale e artistike. (Gj. Mili-Photographs & Recollection – Boston, 1980, f. 18, Qerim Vrioni: Gjon Mili një dhuratë e Faik Konicës, Online).  Zotëron prirje e shije letrare (shkruan prozë të shkurtër artistike e është për disa kohë anëtar i stafit të gazetës “Dielli” të Shoqërisë  “Vatra”) e muzikore (luan në oboe), të cilat ai i shfaq me anë të disa kontributeve në jetën e atëhershme shoqërore. Por, pasioni i veçantë për fotografinë dhe filmin do të dallonin e përcaktonin të ardhmen e jetës e karrierës gjeniale të tij.

            Pas përfundimit të Institutit, kryen një specializim dhe ushtron për rreth 10 vjet profesionin e inxhinierit elektrik në korporatën elektrike “Westinghouse”, ku ai formoi kompaninë me emrin “Mili Company”, kohë gjatë së cilës ai është aktivizuar edhe me ndonjë kumtesë apo artikull në evenimente shkencore mbi ndriçimin, apo në kërkimet teknologjike elektrike, midis të tjerave edhe të një llampe tungstem për fotografimin me ngjyra. (Christian Caujolle, nga Enciclopedia Universalis: Photography, Art History). Që ai ka qenë një student, profesionist dhe studiues i zoti, e tregon edhe fakti që, më 1935 ai mban një kumtesë shkencore në Konferencën e Shoqatës Amerikane të Optikës me titull “Visibility of Signals Through Fog” (Dukshmëria e Sinjaleve Përmes Mjegullës). Kumtesa trajton probleme të sinjaleve të ndriçimit në lundrim në mot të vështirë me shi, dëborë e sidomos me mjegull dhe, propozon përdorimin e ndriçuesve me voltazh të ndryshueshëm për të zvogëluar apo rritur intensitetin e rrezatimit në përputhje me kushtet e motit. Kumtesa është botuar, gjithashtu, në librin JOSA, Vol 25, Art. 8, f, 237-239, 1935. Ndërkaq, ai mëson e praktikon intensivisht, në mënyrë autodidakte, hobin e pasionin e tij, fotografinë, e cila interferon në vëmendjen e admiruesve të saj, sidomos gjatë ekspozitës së parë që Mili çel më 1934 (Wikipedia, Free Enciclopedia, Online). Eksperimentimet e tij fotografike, të bazuara edhe në profesionin e njohuritë e tij mbi ndriçimin, synonin, veç të tjerash, mundësinë e përdorimit gjatë fotografimit të një drite artificiale flash, fluksi dhe shpejtësia e së cilës mund të krijonin vizione më të thella e më të larmishme profesionale e rikrijuese për kombinime e ndryshime konceptuale drejt një fotografie alternative futuriste të paaplikuar më parë.  Duhej të vinte 1938-a, një prej viteve që solli ndryshimin e së ardhmes së tij me dy ngjarje thuajse përcaktuese. Duke paraqitur disa prej fotove të tij të realizuara deri në atë kohë, ai siguroi bashkëpunimin me revistën e re njujorkeze “LIFE”, organ javor mediatik që filloi botimin më 1936, i ilustruar, social e  kulturor me rreth 130 faqe, që do të bëhej më pas shumë i njohur dhe i suksesshëm në të gjithë Amerikën (Christian Caujolle, nga Enciclopedia Universalis: Photography, Art History), falë së cilës ai promovoi për vite të tëra qindra e qindra fotografi, që e bënë të famshëm botërisht. Përmendim bashkëpunimin e ngushtë me shkencëtarin bashkëmoshatar amerikan Herëlld Exherton, gjatë një aktiviteti shkencor mbi ndriçimin në Institutin e  Teknologjisë të Massachusets(MIT), 1937, ku të dy kishin studiuar, i cili i ofroi Gjonit me dashamirësi përdorimin e zbulimeve të tij stroboskopike në kontekstin e impakteve të reja teknologjike e estetike që ato mund të krijonin në fotografi.

Kjo përputhje e ky kombinim konceptual e praktik, mbi tiparet shkencore e artistike novatore të dritës stroboskopike, hapi një epokë të re në historinë e fotografisë, suksesi i realizimit të së cilës i takon, pa dyshim, sa Exhertonit shkencëtar, aq edhe Milit artist.

Gjatë aktivitetit të pareshtur shumëvjeçar për revistën “LIFE”, si edhe për media të tjera, Gjon Mili jo vetëm që përmbushi detyrimet e tij sistematike prej fotoreporteri (në këto vite revista “LIFE” dhe fotografi kishin filluar rrugën e tyre të lavdisë. – Andrew Vysokov, Online) por, njëheresh, ai realizoi parimet e konceptet e tij krijuese artistike të bazuara mbi prirjet, talentin e mbrujtjen e tij shpirtërore, mbi kultivimin e perfeksionimin krijues të aftësive të tij profesionale, mbi përvojën e eksperimentimin shkencor e estetik, mbi elementët e brendisë të pashtershme humane, si dhe të pamjes së jashtme intriguese të objekteve e fenomeneve statike apo dinamike. Ai do të thoshte më vonë se kishte qenë me shumë fat që jetonte në kohë të tilla-kohë të ndryshimit, eksperimenteve dhe zhvillimeve të reja në fushën e fotografisë.

Është e padiskutueshme që efektet fantastike të përdorimit të dritës stroboskopike dhe shpejtësisë diferenciale të ekspozimit i japin fotografive të tij një veçori të re tipike e të dallueshme prej autorëve të tjerë të asaj kohe. Jo më pak fuqi e harmoni prevalente, në shumicën e punimeve të tij fotografike, përbëjnë, padyshim, thuajse të gjithë komponentët dhe detajet  e tjerë kompozicionalë të brendisë apo formës realizuese të një vepre të mirëfilltë arti, madje të një arti grafik avangardist. Tharmi shpirtëror artistik; ideja e imazhi i saktësuar në mënyrë perfekte për foton që ai do të krijonte; ashtu si edhe, dendur, spontaniteti,  këndvështrimi dhe vendosja e saktë e kamerës kundrejt objektit; fiksimi i momentit deçiziv të lëvizjes së objektit apo të “ndaljes” së kohës; psikologjia e nginjur me gjendje të caktuar shpirtërore e personazhit apo personazheve qendrore, të vendosura në qerthullin intrigues të disa lloj dritash e rrezatimesh fantastike të kombinuara  përballë, përkitazi dhe kundër njëherësh; madje edhe “ndriçimet e  errësirës” i bëjnë fotot e tij trille imagjinative të admirueshme artistikisht, të cilat, sikur pohojnë profecinë se “fotografia filloi të bëhej një armike e pikturës xheloze”.

Opusi artistik fotografik i Gjon Milit është aq i pasur dhe i vlerë, sa në çdo kohë, ai ka mbetur në epiqendër të vëmendjes së kritikës pozitive. Në vitin 1934 Gjon Mili ka çelur ekspozitën e tij të parë me fotot e fazës amatore të krijimtarisë së deriatëhershme. Më 1937, filloi karriera profesionale e Milit, kur fotot e tij me “stop lëvizje” të tenistit kampion Bobby Riggs u botuan në revistën LIFE. Më 1942 realizon foton e një predhe 37 mm pas daljes nga tyta e armës, foto e cila u quajt shpikja e shekullit dhe, po gjatë këtij viti hapi ekspozitën vetjake “Valltarët në lëvizje” në Muzeum e Artit Modern të Nju Jorkut. (Wikipedia, Enciklopedia e Lirë, Online.)

            Më 1943 realizon foton shumë të njohur “Lindy Hop”, me kërcimtarët Leon James dhe Willa Mae Ricker, foto e cila “përfaqëson” shpesh herë Milin në botime të ndryshme. Revista “LIFE” e dt. 29 Maj, 1944(Vol. 16, No 22), midis të tjerash thekson se “…Gjon Mili, i cili mundi të fotografojë vallëzimin më shumë se çdo gjë tjetër në botë, së fundi përdori aparatin e tij me shpejtësi të lartë mbi këmbët e shkathta dhe trupin e vogël të yllit të vallëzimit të Metro-Goldwyn-Mayer, Gene Kelly… Fotot e Gjon Milit shfaqin hijeshinë e jashtëzakonshme, si dhe janë një zbulim i këtij numri.”

Më 1946 Gjon Mili çeli, në Muzeun Arleton të Parisit, një ekspozitë me punime të tij, të cilën e përuroi shkrimtari e filozofi  i shquar francez Zhan Pol Sartri, i cili midis të tjerash do të deklaronte: “… Mili iu zë tërësisht në grackë, në fotografitë e tij gjendeni në luftë me vetveten- si i zënë në kurth”… (Wikipedia Encyclopedia, Free encyclopedia, Online)

Më 1949, gjatë një vizite pune në Francë, takoi piktorin e famshëm modernist Pikaso, të cilit, duke i treguar disa prej fotove të tij eksperimentale me patinatore, i propozoi për t’i bërë atij disa fofografi të një eksperimentimi të ri, atë ku piktori të fotografohej duke vizatuar në errësirë me një penel drite. Kjo ishte një fantazi e paimagjinueshme deri atëhere. Dhe kështu u realizua cikli me disa dhjetëra foto, ku

piktori fotografohej duke vizatuar me një ndriçues në ajër, me shpejtësi figurash të ndryshme mitologjike të cilat fiksoheshin të plota në celuloid. Fotografitë e Milit me Pikason në fokus u bënë të famshme dhe mbeten të mahnitshme deri sot për mënyrën e realizimit. Njëri prej portreteve të tij konsiderohet si fotografia përcaktuese e Pikasos. Fotografitë me Pikason gjenden në shumë albume të fotografisë botërore. Edhe në ditët e sotme, ndonëse me pajisje e teknologji shumë më të përparuara, ka shumë amatorë që përpiqen të fotografojnë duke imituar teknikën shkencore e artistike të Gjon Milit. Ai e ka vizituar Pikason edhe  më 1960. Po këtë vit, ai përpiqet të vizitojë Shqipërinë, por nuk i akordohet vizë nga ambasada shqiptare në Francë.

Aty nga fundi i viteve ’40, Gjon Mili shkëputet nga fotografimi stroboskopik, duke shprehur konsideratën e tij se për një dekadë kishte përfituar prej tij ç’ishte e mundur dhe nuk donte të përsëriste veten. Pasi punoi për pak kohë si ndihmës i fotografit të famshëm Edward Weston, vazhdoi më tej karrierën e tij si fotograf i pavarur në gjini të ndryshme: fotogazetari, portrete, sporte dhe fotot e tij vijojnë të shfaqen në faqet e revistës “LIFE dhe revista të tjera.

Në vitin 1952 hapi ekzpositën “To Picassos” (“Pikasos”) në Muzeun e Artit Modern të Nju Jorkut.

Gjatë viteve 1950-1960 Gjon Mili ishte në kulmin e popullaritetit të tij. Në një anketim për fotografinë dhe fotografin më të mirë të vitit 1955 nga e gjithë bota, Gjoni ishte i vetmi që cilësohej shpikës dhe fotograf midis nëntë emrave të tjerë të mëdhenj në këtë fushë. Madje, gjatë shumë anketimeve vjetore, ai qëndronte në krye të listave të dhjetëshes më të mirë për shumë vjet. (Maksim Zotaj, Online)

Më 14 Shkurt, 1984, Gjon Mili ndërron jetë në Stamford, Connecticut. Gazeta e madhe amerikane “New York Times”, nëpërmjet një lajmi, njoftoi vdekjen e tij. Më 1990, në Shqipëri u themelua Shoqata e Fotografëve Profesionistë që mban emrin e Gjon Milit. Aty nga viti 1992 fillon të njihet e të vlerësohet edhe në Shqipëri, ku i akordohet titulli “Artist i Popullit”.

Dhjetë vjet pas vdekjes, më 1994 në  Galerinë Haward Greenberg, Nju Jork, u paraqitën punime të zgjedhura nga krijimtaria e Milit gjatë viteve 1930-1970. (Wikipedia Encyclopedia, Online) Në librin “The History of Metropolitan Opera” (Historia e Operas Metropolitane) janë vendosur për ilustrim 67 fotografi artistike të realizuara nga Gjon Mili në periudha të ndryshme. (Maksim Zotaj, Online)

            Muzeu i Institutit të Teknologjisë në Massachusets dhe Qendra Edgerton organizojnë, që prej vitit 1998 e në vijim, konkursin vjetor të fotografisë për studentë në kujtim të dy fotografëve të mëdhenj të dalë nga ky institut. Gjon Mili, shok klase i Exhertonit, më 1927 është fotograf i revistës “LIFE” i cili, midis të tjerëve paraqiti në vëmendjen e botës veprën e Edgertonit gjatë viteve ’30. (Christian Caujolle, Enciclopedia Universalis: Photography, Art History).

Edhe në Kosovë organizohet çdo vit konkursi ndërkombëtar fotografik me emrin e Gjon Milit.

SHKARKO APP