Gjon Simoni, njeriu i punës dhe i kontributeve në arsim

Nga Fran Gjoka

Kur kërkon të mësosh dhe të hulumtosh historinë e arsimit apo ndonjë fushë tjetër të shkencës, befasohesh përpara edhe me figura të shquara, që me përkushtim punuan dhe sakrifikuan për t’u dhënë brezave dije e kulturë. Kemi me mijëra breza arsimtarësh, që në kushte të vështira ekonomike, u treguan gjithmonë krijues dhe origjinal në zgjidhjen e çështjeve që nxirrte koha e vështirë e arsimit totalitar i asaj kohe. Këtu del dukshëm përpara figura e mësuesit të merituar, e drejtuesit të shumë dekadave, Gjon Simoni, ku krejt papritur u nda nga jeta në moshën 86- vjeçare, nga të afërmit, miqtë, shokët dhe ish- nxënësit e tij.

U lind në Mirditë në vitin 1930. Mbaroi shkollën fillore e arsimin bazë në fshatin e lindjes. Pasi përfundoi arsimin e mesëm vazhdoi shkollën e lartë, ku studioi për Gjuhë Shqipe e Letërsi në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Punoi si mësues e drejtues për shumë vite në rrethet e Mirditës dhe të Lezhës, duke dhënë kontribut të veçantë në ngritjen nga themelet të një numri jo të vogël shkollash të arsimit fillor dhe më vonë shtatëvjeçar, ose unik, që quhej atëherë dhe që shënonte mbylljen e ciklit të arsimit bazë të saj kohe. I dallueshëm ishte kontributi tij në përgatitje në kushte të vështira të mësuesve pa arsim përkatës, përmes kurseve intensive që organizonte. Përmes tyre, Gjoni, ndihmoi për plotësimin e kulturës së domosdoshme, për ato vite, të mësuesve fillestarë. Në biseda me të, ai të sillte fakte të panumërta dhe shembuj të shumtë të përpjekjeve të tij dhe të kolegëve për të hapur shkolla në çdo fshat, si dhe pengesat që sillte koha dhe administrata, kodet e vjetra dhe psikologjia anakroniste e fillimviteve 50-të. Vetëm kur dëgjoje rrëfimet e këtij mësuesi të respektuar, që gjithë jetën ia kushtoi shkollës dhe arsimimit të fëmijëve, nxjerr përfundime se me ç’vështirësi janë përballur edukatorët e atyre viteve dhe ç’peripeci kanë kaluar ata. Kontribut të padiskutueshëm ka Gjon Simoni për zhvillimin dhe konsolidimin e arsimit në rrethin e Lezhës. Duke qenë për disa vite shef i Kabinetit Pedagogjik të rrethit (në vitet ’60 dhe ’70), ai udhëhoqi tërë punën kualifikuese të mësuesve dhe të drejtuesve të shkollave për rritjen e kulturës së tyre  profesionale e shkencore, bashkëpunoi me mësues e drejtues të aftë dhe mori vetë përsipër edhe detyrën e lektorit. Punonte ballazi me të gjithë nivelet e mësuesve, duke u orientuar nga shkollimi i tyre dhe përvoja në punë. Përkujdesje të veçantë ai i kushtoi formimit organizativ të drejtuesve të shkollave. Ai mbronte gjithnjë mendimin se shkollës i duheshin në ato vite edhe drejtues të shkolluar, por edhe pak kërkues dhe të aftë, për të vënë në punë mësuesit.

 Për përgatitjen didaktike e psikologjike dhe social-pedagogjike e më gjerë të mësuesve dhe të drejtorëve, shefi i atëhershëm i kabinetit pedagogjik, tërhiqte nga institucionet qendrore të arsimit dhe nga universitetet studiues e psikologë të njohur në shkallë kombëtare. Ata, me ligjëratat dhe veprimtaritë e tyre praktike, pajisnin edhe më mirë mësuesit me teknika të reja të mësimdhënies. Ndërsa drejtuesit e arsimit pasuronin më mirë kulturën e drejtimit dhe të administrimit të shkollës.

Më vonë Gjoni punoi si drejtues e mësues në shkollën tetëvjeçare “Gjergj Kastrioti” të Lezhës, një ndër shkollat më të konsoliduara dhe me rezultate të larta në përvetësimin e dijeve jo vetëm në qytet, por edhe në shkallë rrethi. Edhe në shkollë, ai, si përherë, i kushtoi vëmendje dhe vlerësoi punën për qëmtimin e përvojës së përparuar dhe përgjithësimin e saj përmes trajnimeve të mësuesve.

Ai lexonte e studionte, mbante shënime në copa letrash e skeda dhe, sa herë që i nevojiteshin dhe i vinte rasti, i shfrytëzonte për përgatitje ligjëratash e kumtesash në veprimtari të ndryshme pedagogjike e shkencore. Gjoni zotëron kulturë pedagogjike e administrative, shkencore e gjuhësore, është elokuent në të folur, por edhe disi i veçantë në të menduar dhe në mënyrën e bërjes së përgjithësimeve. Studioi e përpunoi shumë teknika e metoda të eksperimentuara në shkollë, nxori përfundime afër realitetit për nivelin e shkollës dhe të mësimdhënies së atyre viteve. Mori pjesë si studiues i pjekur me kumtesa në shumë veprimtari shkencore e pedagogjike kombëtare e më gjerë. Botoi për shumë vite, pa u shkëputur, shkrime e artikuj në organet e shtypit pedagogjik të kohës dhe në atë të pavarur, në revista kulturore e shkencore. Është pjesëmarrës aktiv dhe drejtues në hartimin e “Historikut të arsimit” të Lezhës, i cili ndodhet në arshivën e DAR.

Me iniciativën e tij janë organizuar veprimtari shkencore e pedagogjike për figura me vlera edhe kombëtare, por që regjimi, për arsye që dihen, i kishte lënë në harresë. Të tilla janë ato për Hafiz Ulqinakun, Abatin e Mirditës etj.. Dëshmi janë gjurmët e pashlyera të arritjeve dhe punës së tij janë brezat e aftë të nxënësve dhe të mësuesve të rinj që ka përgatitur. Ai ka ditur të punojë më zell dhe dashuri me mësues të rinj duke ecur bashkërisht në udhën e vështirë, por të bukur të dijes, duke i  ndihmuar pa përtim mësuesit të kuptojnë të fshehtat e shkencës dhe të jetës, duke zgjuar tek ata energjitë e brendshme. “Mësuesi i Merituar”, Gjon Simoni mbetet një vëzhgues i kujdesshëm në fushën e pedagogjisë dhe të psikologjisë shkollore, udhëheqës i disa brezave në fushën e mësuesisë, studiues me zë të fushës dhe të mendimit pedagogjik shqiptar. Ai mbetet orator i shquar në konferenca dhe simpoziume shkencore dhe arsimore dhe në shumë veprimtari jubilare të mbajtura brenda vendit, bashkëbisedues erudit dhe i apasionuar për çështje të arsimit dhe të pedagogjisë si dhe i qindra shkrimeve në gazeta dhe revista shkencore dhe kulturore të vendit. Te Mësuesi i merituar Gjon Simoni unë kam parë të ndërthuren natyrshëm fisnikëri në mësuesi,por dhe një didakt me kulturë të gjerë e praktikë të gjatë shumëvjeçare, që meriton respekt dhe nderim, model për të gjithë ata mësuesit e sotëm që aspirojnë me idealizëm për të punuar për shkollën e brezat e sotëm dhe ata që do vijnë. Mbetën mjaft emocionuese bisedat që bënte kur fliste dhe kujtonte me nderim për autoritet e arsimit, të shkencës dhe të pedagogjisë shqiptare, siç ishte rasti i akademikut, shkrimtarit dhe pedagogut të shquar Profesor Bedri Dedjes, i cili me thjeshtësinë e tij të njohur, me shpirtin e madh human e bujar, nderonte njerëzit e thjeshtë të dijes dhe të kulturës, respektonte vlerat e vërteta të mësuesve. Dhe si për ta mbyllur bisedën e tij, Gjoni thoshte se kam pasur fatin e madh të jem mik i tij, por dhe vëzhgues dhe transmetues i trashëgimisë së pasur që la Bedriu në fushën e arsimit, të kulturës dhe të edukimit. Pasuria më e madhe e Gjon Simonit ishte personaliteti njerëzor dhe sjellja e kulturuar që i jepnin lumturi dhe mirëqenie shpirtërore.

Si njeri me karakter të fortë ishte optimist, edhe pse sistemi totalitar i asaj kohe e sulmonte dhe e ndiqte herë pas here dhe përsëri nuk e lejonte veten të zhytej në pesimizëm, sepse kishte besim te forca e mendimit dhe veprimit pozitiv. Ai analizonte sistematikisht rezultatet e punës që bënte. Ky vetëvlerësim i fuqishëm bëri që ai të mbajë nën mbikëqyrje të vazhdueshme efiçencën e punës së tij shkencore. Ky qëndrim i prerë ndaj vetvetes i dha mundësi që të dalë gjithnjë fitues. Por është e vështirë që brenda një shkrimi të sjellësh në mënyrë të plotë para lexuesve figurën dhe veprën e gjerë e të shumanshme të një personaliteti të tillë, mësuesit të merituar Gjon Simoni. Për vlera të dallueshme nga të tjerët është dekoruar me urdhra e medalje pune, ku mes tyre veçojmë Urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit të Dytë si dhe titulli i punës “Mësues i Merituar” dhe “Qytetar Nderi” i qarkut të Lezhës. Do të duhet që figura dhe trashëgimia e tij të ndriçohen më në thellësi e gjerësi në të ardhmen, jo thjeshtë si shfaqje respekti dhe vlerësimi ndaj tij, por edhe si një ndihmesë në shërbim të brezave që do të vijnë dhe të historisë së arsimit lezhjan në veçanti…

SHKARKO APP