Gjuha e të mësuarit/ Rrugëtimi i vajzës nga Shqipëria në Harvard nisi me 2 fjalë të thjeshta

Harvard Gazette i ka kushtuar një artikull vajzës nga Shqipëria që arriti nga një vend i vogël që nuk kishte as faks të shkonte në Universitetin e saj të ëndrrave dhe të merrte mësim nga profesorët më të mirë. Të ardhmen tashmë e ka të qartë falë këmbënguljes së saj.

SHKRIMI I PLOTË
Gjuha e ka tërhequr gjithmonë Eni Dervishin. “Kur isha në kopsht, një mësuese na mësoi si thuaj “karrige” dhe “tavolinë” në anglisht”, kujton ajo. “Mu duk shumë interesante se mund të përdorësh dy fjalë të ndryshme për një objekt”.

Në qytetin e saj të vogël shqiptar, mësimi i gjuhës ishte i kufizuar. Por Eni ishte e vendosur të mësonte. Ajo morri vesh se një fqinj dinte më shumë anglisht sesa disa fjalë të thjeshta. “Shkoja t’i trokisja në derë, duke i kërkuar të më mësonte. …

Më në fund gruas së tij i erdhi keq për mua”, tha Dervishi. Kur një shok më i madh filloi të studionte italishten, Dervishi iu bashkua për të mësuar gjuhën, dhe më tej ajo shtoi edhe frëngjishten, duke shkuar në kryeqytetin Tiranë për libra.

Më tej vijoi me gjermanishten, spanjishten dhe pak portugalisht, që i kapi duke parë telenovela. Dhe së fundmi, izolimi i saj i deridikushëm u kthye në diçka të dobishme. Për shkak se qyteti i saj i lindjes, Pogradeci, është pranë Liqenit të Ohrit, një zonë turistike, ajo pati mundësinë të praktikojë gjuhët me vizitorë ndërkombëtarë.

Një dritare u hap për Dervishin. “U dashurova me gjuhët”, tha ajo. “Nëpërmjet gjuhëve munda të shikoja një botë ndryshe. Më hapi imagjinatën për gjëra të reja”.

Ishte, në fakt, një thënie e veçantë që e vuri studenten për ekonomi në rrugën për në Harvard. “Kur isha në klasën e katërt, një mësuese përmendi se Harvardi është universiteti më i mirë në botë”, tha ajo. “Më ngeli në mendje ky universitet ëndrrash.

Në atë pikë, edhe vetë shkolla e lartë ishte një ëndërr. I ati i saj nuk kishte arsim të lartë, por e ëma i ishte rikthyer shkollës në moshë madhore, duke vazhduar shkollën e lartë me kohë të pjesshme, gjatë rinisë së Dervishit. “Duke parë të gjente ekuilibrin ndërsa punonte në dy punë me studimin e thelluar, dhe në të njëjtën kohë duke u kujdesur për familjen e saj, ishte jashtëzakonisht motivuese”, tha Dervishi. “Ime më jo vetëm fliste për rëndësinë e arsimit, por ajo edhe e tregonte atë me veprat e saj”.

Edhe me këtë frymëzim, rruga përpara ishte e vështirë. Gjimnazi i qytetit të vogël të Dervishit nuk kishte asnjë njeri për ta udhëzuar atë në procesin e aplikimit. “Mësueset e mia nuk kishin shkruar më parë letra rekomandimi”, tha ajo. “Më duhej t’ua mësoja”. Kur i duhej të dërgonte dokumente zyrtare, si dëftesat, ajo u përball me një tjetër pengesë. “Mendova t’i dërgoja me faks, por në qytetin tim nuk kishte faks”.

Këmbëngulja e saj i dha frytet me një bursë studimi të plotë (ajo u pranua në 14 nga 15 universitete tek të cilat aplikoi). Por sfidat vazhduan. “Ndryshimi nga gjimnazi në universitet, gjë që në vetvete është e vështirë, për mua iu bashkua edhe lëvizja në një vend tërësisht të ri”, tha ajo. Makinetat, për shembull, ishin diçka e re për të, ashtu si edhe përdorimi i një karte të identitetit për të hyrë në brenda një biblioteke. Për një kurs matematike në vitin e parë, ajo tha: “Dija si të shkruaja një ekuacion dhe ta zgjidhja atë, por nuk dija si të thosha shenjën “minus” dhe “plus”, gjë që e bënte të folurit në kurs dhe të bërit pyetje veçanërisht sfiduese.

“Ishte si të mësoje një proces të ri”, tha ajo, me një anglisht të rrjedhshme, me pak theks. “Po zbuloja diçka të re çdo ditë”.

Arsimi i saj e ka çuar atë me larg se Shqipëria dhe Kembrixhi (në SHBA). Asaj i janë ofruar disa stazhe, që përfshijnë me Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit të Shqipërisë (e financuar nga Qendra për Studime Evropiane) dhe Qendrës Kërkimore në Paris (të themeluar nga Shkolla e Biznesit të Harvardit). Vitin e kaluar, në Parlamentin Evropian në Bruksel, ajo bëri një stazh me Partinë Aleanca për Demokracinë Liberale, në një program të Qendrës për Studime Evropiane Minada de Gunzburg. Energjike, Dervishi ka gjetur kohë të luaj volejboll dhe të shijojë të vrapojë përgjatë lumit Çarls (në Masaçusets).

Për qëndrimin në Harvard, ajo tha se “ka qenë me të vërtetë një përvojë që i ndryshoi jetën. Kam ëndërruar gjithmonë që të udhëtojë nëpër botë dhe Harvardi ma ka mundësuar këtë. Jam vënë përpara kaq shumë këndvështrimeve të ndryshme. Kam takuar njerëz me formime shumë, shumë të ndryshme dhe kam pasur mundësinë të moj nga profesorët më të mirë në botë”.

Që në fillim, ajo u përqendrua që të bënte për ata që e rrethonin. Në vitin e parë, për shembull, ajo u përfshi me Institutin e Politikave për të ndihmuar kandidatë për marrjen e nënshtetësisë (amerikane). “Kjo ishte diçka që më përmbushi”, tha Dervishi: “duke parë njerëz që kanë ëndërruar gjithmonë të bëhen qytetarë amerikanë, edhe pse thjesht duke i ndihmuar ata të kenë më shumë besim për aftësitë e tyre në anglisht”.

Pas diplomimin, Dervishi do të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të paktën tani për tani. Ajo do të vazhdojë studimet, me shumë të ngjarë në shkollën e biznesit, ku ajo synon të vazhdojë në master për zhvillim ndërkombëtar.

“Kam përjetuar sfidën e ardhjes nga një vend në zhvillim, dhe duke qenë këtu kam parë se Shqipëria nuk është i vetmi vend që përballet me këto sfida”, tha ajo. “Dua të jap kontributin tim në zgjidhjen e këtyre çështjeve”.

Kjo përfshin të ndihmosh studentët, në veçanti ata të cilët arsimi i lartë mund t’u duket i pamundur. “Kurrë mos u dorëzo për ëndrrat e tua”, tha Dervishi – në gjuhën që e ka sjellë atë deri këtu – “kurrë mos i lejoni rrethanë që të përcaktojnë se kush jeni”.

Marrë nga “Harvard Gazette”- Përktheu: Ilir Sinanaj

 

SHKARKO APP