Gratë e zhdukura: Enigmat e 27 rasteve, hetimet mbesin në letër

Zbardhja e vrasjes së 23-vjeçares Eglantina Buci nga vëllai dhe babai ka rikthyer dhe njëherë rastet e shumta të vajzave dhe grave të cilat kanë rënë pre e krimeve në familje ndërsa dosjet e tyre mbeten ende të pazbardhura.

Janë të paktën 27 emra të grave dhe vazjave që në databazën e Policisë së Shtetit dhe Interpolit rezultojnë të zhdukura pas viteve 90′ ku edhe vendi u përfshi në trazira nga më të ndryshme.

Shumica prej tyre janë larguar në moshë të re, një pjesë në adoleshencë. Për fatin e tyre nuk dihet asgjë pavarësisht përpjekjeve të familjarëve për të gjetur vendndodhjen e tyre.

Shumë prej vajzave dyshohet se janë dërguar jashtë vendit nga ku kanë humbur dhe gjurmët e fundit ndërkohë që të dyshuar për shumicën e këtyre rasteve janë të afërm të viktimave ose persona të lidhur me to.

Një rast i ngjashëm me Eglantina Bucin është dhe ai i Eglantina Këmbacit për të cilën kontaktet e fundit ishin në vitin 1997 dhe zhdukja e saj ende sot është e mistershme.

Ajo u largua me të dashurin që familja nuk ja pranoi asnjëherë dhe që prej asaj dite dihet fati i saj.

Nga ana e autoriteteve janë kryer kërkime dhe hetime por deri më tani shumë prej dosjeve janë mbyllur për shkak të mungesës së informacioneve dhe të të dhënave konkrete.

Burime nga policia bëjnë me dije se ka indicie për hetimin dhe të rasteve të tjera por është e vështirë rihetimi dhe zbardhja e këtyre ngjarjeve për shkak të mungesës së dëshmitarëve apo informacioneve operative.

/Ora News

SHKARKO APP