Gratë intelektuale, rezolutë për partitë politike dhe Gruevskin

 

Takimi në Strugë, kreu i komunës Zijadin Sela: Shteti shqiptar të mendojë dhe për shqiptarët e Maqedonisë

Nga Zenepe Luka

Gratë intelektuale të Fondacioni Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, në bashkëpunim edhe me Fondacionin “Mirësia”, me mbështetjen e Komunës së qytetit të Strugës, organizoi një bashkëbisedim të gjatë me gruan intelektuale shqiptare të qytetit dhe rrethinave. Në këtë takim ku morën pjesë edhe njerëz të fushës së artit, studentë, mësues dhe gra të etnive të ndryshme. Tema e debatit ishte mbi vlerat e kulturës shqiptare dhe transmetimin e tyre tek brezat e rinj. Por aktiviteti nuk mund të shkëputej nga zhvillimet e ditëve të fundit në Kumanovë.

Rezoluta

300 gratë pjesëmarrës në këtë aktivitet miratuan dhe një rezolutë ku u bëhet apel partive politike në Maqedoni dhe kryeministrit Gruevski që të ndalin përdorimin e armëve. Gazetarja e mirënjohur Tefta Radi, lexoi tekstin e Rezolutës, që u miratua nga të pranishmet, ku ndër të tjera theksohej: “Duke ju referuar ngjarjeve në Komanovë, zëri i gruas thërret fort se është e patolerueshme, që në shekullin e 21, të përdoren armët dhe vriten njerëz, për të zgjidhur problemet,që hasen në një shoqëri etnike dhe për këtë ngjarje të rëndë partitë politike dhe qeveria, duhet të marrin përgjegjësitë e tyre. Gruaja intelektuale shqiptare, nënvizoi se kërkohet një bashkëpunim konkret me shoqatat e grave maqedonase, boshnjake dhe etnive të tjera në Maqedoni, për të bashkuar zërin e për të dhënë mesazhin se vetëm paqja, respektimi i të drejtave të njeriut, mirëkuptimi e vëllazërimi mes popujve, është rruga e vetme që të con drejt Europës.

Deklaratat

I pranishëm në këtë aktivitet ishte dhe Ziadin Sela, kryetari i Komunës së Strugës. Në përshëndetjen e tij, Sela. pasi vlerësoi ardhjen e grave të shquara të Kombit në qytetin e Strugës, që sipas tij e shndërruan 23 majin në ditë feste. “Në situatën që ndodhet Maqedonia, është i domosdoshëm të dëgjohet fort edhe zëri i gruas intelektuale, për ti vënë fre politikës së përçartur dhe pse jo, për t’i treguar asaj rrugën e duhur”,- tha Sela. Ai theksoi edhe për kontributin që duhet të japë në vazhdimësi shteti shqiptar dhe institucionet e tij, për të vepruar me një program të veçantë për gjallërimin e jetës kulturore-artistike në trevat ku jetojnë shqiptarë. Sela çmoi shumë kontributin e shoqërisë civile dhe se degën e Fondacionit në Strugë, do ta konsideronte një partnere të rëndësishme gjatë mandatit të tij.

Takimi u moderua nga poetja, publicistja Vllasova Musta. Përveç diskutimeve, që sollën edhe debat, pati edhe interpretime që sollën entuziazëm në sallë. Aktorja Margarita Xhepa, “Nderi i Kombit”, përmes emocionesh, u ndal tel roli që ka luajtur dhe luan gruaja gjatë gjithë kohërave. Jo vetëm për”detyrën” që ka ngarkuar natyra, për të riprodhuar shoqërinë njerëzore, por edhe për të dhënë mesazhin e duhur, shembullin e saj për emancipimin dhe demokratizimin e shoqërisë. Ajo vlerësoi qytetarinë e gruas strugane, që jep kontribut të vyer në të gjitha fushat, veçanërisht në atë të arsimit, artit, duke rritur dhe edukuar breza të talentuar. Këngëtarja e mirënjohur, njëherësh edhe Sekretare e Përgjithshme e Fondacionit, në epiqendër të diskutimit të saj, pati temën “Arti dhe veçanërisht kënga e popullit, është themeli, shpirti i Kombit”. Mesazhet që përcolli ky aktivitet i grave të fondacionit “Nermin Vlora” së bashku me fondacioni “Mirësia” ishte mjaft i rëndësishëm për ditët e trazuara që po kalojnë shqiptarët në Maqedoni.

SHKARKO APP