Greqi, arsimtarët shqiptarë diskutojnë për fëmijët e emigrantëve në sistemin arsimor grek

‘Kush hap dyer shkollash, mbyll dyer burgjesh’.-Viktor Hygo

Një popull i arsimuar është i destinuar të jetojë i lirë. Por edhe arsimi nuk i ka shpëtuar dot krizës që ka pushtuar shtetin grek. Ministria greke e arsimit po rishqyrton gjithë sistemin arsimor në Greqi, që në fakt lë për të dëshiruar. Shkollat në përgjithësi e kanë humbur pontecialin e tyre për të kryer mësim të rregullt dhe dija në shumicën e rasteve po bëhet “monopol” i kurseve apo shkollave private. Nëse qëllimi i arsimit ka qenë përparimi i dijës dhe përhapja e së vërtetës, tashmë ky qëllim është shndërruar në një biznes me konkurrencë të fortë që ‘viktimizon’ fëmijët, pasi në epiqendër ka përfitimin financiar.

Organizata “Jeta” në bashkëpunim me Federatën e Shoqatave Shqiptare në Greqi organizoi një takim në lidhje me një nga temat kryesore për të cilën duhet të tregojë kujdes parësor çdo shoqëri: atë të arsimit. Gjatë këtij takimi u diskutua rreth pozicionit të fëmijëve të brezit të dytë të emigrantëve në sistemin arsimor grek. Të pranishëm ishin arsimtarë shqiptarë të degëve të ndryshme me eksperiencë në shkollat shqiptare dhe jo vetëm. Në këtë takim të koordinuar nga mësuesja e Gjuhës Shqipe pranë Federatës, znj. Celestina Mema, të pranishmit shkëmbyen përvojat e tyre personale gjatë gjithë këtyre viteve në shtetin helen, edhe si mësues por edhe si prindër. Gjithashtu, pjesë e këtij takimi ishin dhe dy studentë emigrantë që studiojnë në universitete shtetërore dhe private, të cilët përcollën eksperiencat e tyre personale.

Ky takim me arsimtarët shqiptarë në Greqi u përshëndet edhe nga eurodeputetja Kostandina Kuneva, e pranishme në Federatë. Ajo e përgëzoi këtë nismë të marrë nga organizata “Jeta” dhe shprehu vullnetin e saj për të qenë sa më pranë emigrantëve. Znj. Kuneva tha ndër të tjera se arsimi është një nga çështjet më madhore dhe duhet bërë më e mira e mundshme për fëmijët, që janë e ardhmja e vendit.

Mësuesi Novruz Abilekaj, autor i librit “Gjuha shqipe në familje”, u shpreh se problemi që diskutohet është shumë kompleks, “ndërsa forca jonë; e tryezës, e shoqatës, deri edhe e federatës është modeste. Kjo, pasi sistemi arsimor i vendit ku rriten brezat e rinj, edhe fëmijët apo nipërit dhe mbesat e brezit të parë na duket i pushtuar nga privatësia. Shkollat dhe kurset private që zotohen të aftësojnë nxënësit e tre niveleve të arsimit parauniversitar, me synim të qartë, ndikojnë në dobësimin e të mësuarit në bangat e shkollës”.

Gjithashtu, u diskutua edhe për shumë probleme me të cilat ndeshen fëmijët emigrantë në shkollat greke, vështirësitë për të përfituar bursa studimi për shkak të kombësisë apo pengimi për të ushtruar profesionin pas diplomimit në degë të caktuara të universiteteve greke. U bë dhe një krahasim me sistemet arsimore në vende të tjera europiane, duke marrë si model vendet skandinave, të cilat ofrojnë mundësi shumë të mëdha për fëmijët e emigrantëve. Mësuesit e pranishëm u shprehën se takime të tilla është mirë të zhvillohen herë pas here dhe parashtrimi i problemeve dhe sugjerimet, nëpërmjet Federatës t’i përcillen ministrisë së arsimit.

Gjuha shqipe dhe ruajtja e identitetit

Sigurisht, një nga temat kryesore që u diskutua në këtë tryezë pune mes arsimtarëve, ishte edhe çështja madhore e mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e brezit të dytë. Z. Hektor Mihaj, sekretar i arsimit pranë Federatës, u shpreh se “sensibilizimi i bashkëkombësve tanë për mësimin e gjuhës shqipe është pikësynim kryesor. Nëpërmjet veprimtarive të ndryshme, duke afruar mësues që jetojnë në Greqi, mund të arrihen rezultate të prekshme, për të patur një komunikim të veçantë me fëmijët e brezit të dytë”.

Lidhur me mësimin e gjuhës shqipe, z. Novruz Abilekaj tha se mbështet Mësimin plotësues së gjuhës shqipe dhe respekton thellësisht përpjekjet e mësimdhënësve në çdo skaj të Greqisë. Megjithatë ai theksoi se u duhet bërë e qartë familjeve shqiptare se ruajtja e gjuhës fillon tek gjyshja dhe gjyshi, nëna dhe babai, tek më të mëdhenjtë. “Identiteti ruhet nëse e konsiderojmë shtëpinë tonë Shqipëri. Jashtë portës, në mjediset ku bashkëmësojmë apo bashkëpunojmë me vendas është Greqi”, tha ai.

Sipas mësuesit Abilekaj, gjuha shqipe duhet të jetë e para që duhet të flitet nga fëmijët tanë. Greqishtja e dyta dhe zgjedhjet e tjera vijnë pas tyre, ndërsa e shkruara, duhet të ketë rend tjetër: lexohet greqisht, sepse ka në dispozicion një sistem të organizuar shkollor dhe aq kohështrirje sa i duhet fëmijës gjashtë e shtatë vjeçar, sepse ka mjaft faktorë pedagogjikë dhe psikologjikë që duhen përfillur, sepse didaktika (mësimëdhënia) është e vendosur mbi baza shkencore. Ai u shpreh se mund të veprohet në mënyrë më të pavarur për dhënien e njohurive folklorike, letrare, historike dhe gjeografike, por kjo pavarësi kufizohet në planin praktik. Kur është fjala për koncepte, duhet patjetër të kërkohet paralelizmi me njohuritë që janë marrë në shkollë, në gjuhën vendase. Mësuesi Abilekaj tha se “e ardhmja e fëmijës e tërheq prindin drejt pragmatizmit. Prindi është i interesuar që fëmija të mësojë mirë greqishten, të marrë njohuri të mjaftueshme në anglisht dhe të flasë shqip. Shqipja, për fat të keq, mbetet gjuhë identiteti dhe dinjiteti për sa kohë, Shqipëria jonë nuk premton punësim dhe shpërblim të konkurueshëm”.

Vështirësitë e mësimdhënies së gjuhës amtare në epokën e globalizimit

Në fjalën e saj, mësuesja Celestina Mema, tha ndër të tjera se “shpeshherë vendasit më thonë: ju shqiptarët jeni si hebrenjtë, mbijetoni në çdo situatë, jeni të fortë, jeni mësuar me vështirësi. Kjo, pasi ne jemi të aftë të përshtatemi shpejt në një situatë të re dhe gjithashtu, të përfshihemi lehtë në shoqëritë ku jetojmë. Kjo është pozitive dhe negative njëkohësisht. Është pozitive sepse e gjejmë veten lehtë, pështatemi, ecim dhe përparojmë. Këtë e tregojnë edhe rezultatet e fëmijëve shqiptarë në shkollat greke, në shumë raste duke mos patur asnjë ndihmë nga prindërit. Gjithashtu, shumë fëmijë që studiojnë në universitet, vazhdojnë arsimimin e tyre më tej, me studime pasuniversitare jashtë Greqisë. Pra, në përpjekje për t’u përshtatur, duke folur greqisht në shkollë, në lojrat e tyre por në shumë raste edhe në shtëpi, është i dukshëm fenomeni jo i këndshëm i të mos folurit gjuhën amtare”. Më tej ajo vazhdoi duke thënë se jo pak herë prindërit thonë “Ç’e do shqipen fëmija”, por sipas mësueses, “ne në asnjë mënyrë nuk nuk duhet të predikojmë ose “t’u japim mend” prindërve se duhet t’u flasin fëmijëve shqip, por ne duhet patjetër t’i informojmë ata. Shumë prindër ngurrojnë që fëmijët e tyre të mësojnë shqip, nga frika se mos ngatërrohen. Ata kuptohet, mësojnë së pari gjuhën e vendit mikpritës, nga klasa e dytë ose e tretë fillore, fillojnë edhe gjuhët e huaja, kështu që gjuhës amtare i ngelet vendi i fundit përsa i përket interesit të tyre, por edhe kohës që kanë në dispozicion”. Ndërkohë që sipas saj mund të ndodhte ndryshe, pra t’u flitej shqip në shtëpi.

Një rol negativ, ka luajtur gjithashtu një informacion tejet i bollshëm që sot ekziston gjithandej. Vështirë të ketë fëmijë që nuk kanë kompjuter në shtëpi. Ata e kalojnë shumicën e kohës duke luajtur lojëra në kompjuter. Kontaktet midis fëmijëve dhe prindërve sikur janë tkurrur paksa. Si rrjedhojë, edhe kontakti me gjuhën shqipe tkurret edhe më shumë. “Gjatë eksperiencës sime si mësuese e gjuhës shqipe pranë Federatës, kam kuptuar që fëmijët duan të mësojnë shqip, por duhet t’i ndihmojmë ata”, thotë mësuese Çelestina Mema. “Duhet t’u flasim gjuhën amtare fëmijëve. Duke folur gjuhën e tyre, nuk humbasin, përkundrazi. Gjuha si shkencë ka disa rregulla, të cilat të gjithë i mësojmë. Këto rregulla pak a shumë janë të ngjashme në gjuhë të ndryshme. Sigurisht që ka përjashtime, por logjika është e ngjashme. Kjo do të thotë që fëmijët do të mësojnë më lehtë gjuhët e huaja. Për më tepër, shumë studime kanë treguar se fëmijët dygjuhësh kanë aftësi më të mëdha për të mësuar në përgjithësi”.

Në epokën e globalizimit në të cilën jetojmë, duke mësuar dhe folur gjuhën amtare, nuk do të thotë se nuk duam dhe respektojmë gjuhën e vendit pritës dhe anasjelltas. Të dyja gjuhët, edhe gjuha amtare, edhe ajo e vendit mikpritës, në rastin tonë greqishtja, mund të bashkëekzistojnë me sukses.

Disa fakte rreth gjuhëve

  • 60% e popullsisë në botë flasin më shumë se një gjuhë
  • Sot në Europë fliten më shumë se 60 gjuhë të ndryshme
  • Që në ditët e para të jetës si tij, fëmija është i aftë të dallojë tingujt e çdo gjuhe.
  • Që nga muaji i dytë i jetës së tij, te fëmija janë të zhvilluara parametrat e çdo gjuhe të cilën dëgjon

Fatime Menalla

SHKARKO APP