Greqia pezullon për 3 vite TVSH-në për ndërtimet
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis njoftoi pezullimin për 3 vite të pagesave të TVSH-së për çdo ndërtim të ri, përfshirë pronat e pashitura të ndërtuara pas 1 janarit 2006.
Njoftimin, kryeministri i Greqisë e bëri të ditur gjatë fjalës së tij në një tryezë të organizuar për ekonominë.
“TVSH-ja në të gjitha lejet e reja të ndërtimit është pezulluar për tre vitet e ardhshme, siç është për lejet më të vjetra të lëshuara pas 1 janarit 2006. Me fjalë të tjera, të gjitha ndërtimet e reja janë të liruara nga TVSH-ja, siç janë pronat e ndërtuara 14 vitet e fundit që nuk janë shitur akoma”, tha Mitsotakis.
Ai tha se përjashtimi nga TVSH-ja ishte gjithashtu i vlefshëm edhe në rastet ku pronarët u japin tokën ndërtuesve në këmbim të një numri të apartamenteve të ardhshme. Në të gjitha rastet, pohoi Mitsotakis, lirimi nga TVSH do të kërkohej me një aplikim të thjeshtë.