“Guri i Varrit Islamik”, zbulohet Artefakti i shek. 17-të
Specialisti i Monumenteve të Kulturës të Lezhës, Paulin Zefi me ndihmën e studiuesit të Antalogjisë turke, Markeljan Pale Hiluku ka realizuar së fundmi një inspektim në një artefakt mjaft të veçantë siç është edhe “Guri i Varrit Islamik”, gur ky i cili ndodhet në afërsi të Kalasë së Lezhës.
Pasi mbi “Gurin” kanë kryer edhe disa matje dhe fotografi, profesor Zefi dhe studiuesi Hiluku kanë konstatuar se këtij “Guri Varri Islamik” i mungon pjesa e sipërme e cila është dëmtuar.
Lidhur me vendodhjen e tij, ai Zefi shprehet se persona anonimë e kanë sjellë këtë artefakt duke e vendosur ngjitur me parkingun e Kalasë së Lezhës.
Duke qenë se Epitafi (mbishkrimi) është me gërma arabe, matjet e bëra gjithashtu edhe fotografitë e ralizuara, Zefi i ka dërguar tek profesorët turq të “Qendrës Kulturore “Yonus Emre” në Shkodër, nga të cilët pritet edhe dëshifrimi i mbishkrimit arab, për të krijuar një ide dhe më të saktë.
“Pasi të arrihet në deshifrimin e tij të plotë, atëherë Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Shkodër do të vendosë për fatin e “Gurit”, i cili ose do të inventarizohet si pjesë e fondit muzeal të qytetit të Lezhës, ose do t’i drejtohet Myftinisë Lezhë apo Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, ” ka shtuar profesor Zefi lidhur me inspektimin dhe studimin që ai ka kryer mbi këtë gur.
Sipas Zefit, ky “Gur” është punuar në mënyrë shumë të rafinuar, dhe ka përmasa të konsiderueshme.
Mbi këtë Gur Varri, janë të gdhendur motive dekorative.
Në krye të Gurit është simboli islamik i gjysëm hënës, dhe në krahun e majtë duken qartë konturet e një shpate të tipit “turko-arabe”.
Sipas rregullave islamike që sanksionohen në “Kuran” varret e besimtarëve mysliman duhet të jenë sa më të thjeshta, rrafsh me nivelin e terrenit dhe ku lejohet vendosja e një guri, por pa asnjë simbol apo mbishkrim identifikues.
Varret luksoze dhe monumentale janë traditë e sekteve islame si shi’it, druze dhe bektashiane, ku kjo tradite u përhap kryesisht nga popujt iranianë dhe turko-mongolë, traditë kjo e cila u soll në Shqipëri nga pushtuesit osmanë të kohës.
Studimin dhe inspektimin e tij, profesor Paulin Zefi e ka publikuar edhe në adresën e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, duke kërkuar dhe mirëpritur çdo mendim prej eksperti, apo edhe opinione të caktuara lidhur me këtë artefakt të veçantë, me qëllimin e vlerësimit të saktë. / ATSH/