Hamburgeri i parë në botë i bërë nga robotët – Kushton 6 dollarë dhe është gati për 5 minuta

Në datë 27 Qershor hap dyert për botën fast-food-i i parë që ofron hamburgerë të bërë nga robotët, përmes një linje prodhimi të detajuar. I ndodhur në San Francisco, “Creator” do të ofrojë ato që mund të jenë hamburgerët më të freskët në botë.

Ushqimi përgatitet dhe gatuhet në një makineri që ka 20 kompjuterë, 350 sensorë dhe 50 mekanizma lëvizës. Ai bën gjithçka që nga prerja dhe thekja e bukës e deri tek shtimi i erëzave dhe salcave, si dhe skuqjen e qofteve. Gjithçka ndodh brenda pesë minutash.

Mishi vjen direkt nga ferma, prandaj cilësohet si kaq i freskët, dhe përzgjidhet nga ingredientët më të mirë. Makineria gjithashtu ka pirgje me domate dhe sallata, tuba me erëza dhe salca. Hamburgeri pasi gatuhet shërbehet nga duart e një punonjësi tek klienti. Çmimi për këtë hamburger është vetëm 6 dollarë.

Realizimi i këtij roboti është bërë i mundur nga një ekip prestigjioz inxhinierësh dhe dizajnerash nga Apple, Tesla, NASA dhe Disney. Ekipi përfshin edhe shefa nga restorante elitare, të cilët kanë krijuar recetat e hamburgerëve.

Plani i sipërmarrësit 33-vjeçar të kompanisë, Alex Vardakostas, është se makineritë mund të gatuajnë hamburgerë me eficiencë më të lartë se njerëzit dhe nuk paraqesin rreziqe shëndeti, si të qenit sëmurë me grip.

Në brendësi, restoranti paraqet një hapësirë shumë të madhe dhe ku mbizotëron ngjyra e bardhë. Klientët mund të dallojnë tubat dhe rreshtat prej qelqi ku vendosen përbërësit dhe paninet e freskëta.

Të vetmit punonjës që dallohen pranë makinerisë, përveç atij që zëvendëson ingredientët, janë ata që marrin porosinë në banak dhe ata që shërbejnë hamburgerat në fund.

“Creator” do të shërbejë fillimisht ditët e mërkura dhe të enjte, ndërsa klientët mund të prenotojnë përmes një sistemi online. Në shtator, Creator do të hapet për publikun e gjerë.

Fillimisht, bërja e hamburgerëve do të jetë një proces i ngadaltë. Aktualisht dy makineritë mund të prodhojnë deri në 120 në orë, por brenda Shtatorit do ta shpejtojnë në 400 hamburgerë në orë.

Rrjetet e tjera të hamburgerëve shprehen kuriozë dhe të interesuar pas idesë së makinerive. Ato kanë dyshime mbi aftësinë e këtij roboti, por nëse rezulton i suksesshëm mund të reduktojë ndjeshëm kostot e punës.

SHKARKO APP