Hekurudha, lokomotiva dhe vagona sa …një shkrepse….

Vizitë e pambaruar në Klubin e Hekurudhave në Boston që të fut në hapësirën e një pyetjeje “Nostalgji apo e ardhme”

Nga Namik Selmani

Njeriu i parë që na prit që në hyrje të Klubit të Hekurudhës në Boston ishte David Klintoni. Buzëqeshëm. Edhe në atë ndërtesë ku po futeshim në atë vend të qetë për të parë  Klubin e Miniaturës, na u shfaq fisi Klinton. Pak vite më parë kisha botuar një libër me tregime dhe reportazhe “Kërkoj  monumentet” dhe në ballinë kisha vënë një grup shqiptarësh dhe në mes të tyre ish presidentin  Bill Klinton. Punonjësja e ambasadës amerikane që sapo më kishte aprovuar dhe vizën e udhëtimit për në Amerikë më tha:“Faleminderit që keni shkruar për Presidentin e vendit tim!” Dhe u ngrit në këmbë. Më erdhi mirë dhe në heshtje mendova se përherë do të kërkoja kurdoherë përkryerje për atë që do të shkruaja për Bostonin, për mbarë Amerikën.

Edhe pse shpirtërisht isha përgatitur për emocione vizite, për një të papritur të bukur që do më dilte me vizitën që do të bëja në South Shore Model Railvai Klub, në afërsi të Bostonit, ndjesia që  provova ishte më shumë se kaq. E bëra vizitën në orët e mbrëmjes prillane të Bostonit të ngrohtë dhe të bukur, kur dhe gjethet festojnë  momentin e ridaljes nga trungjet e mbushur me borë para pak kohësh, pikërisht atëherë kur vullnetarët si do t’i quaja unë konsrtuktorët e trenave në miniature, vinin për të realizuar atë ëndërr që nisi që në vitin 1938 e vazhdon pandëprerje dhe sot. Madje na thanë aty se disa klube të tilla që janë hapur në ndonjë shtet tjetër të Evropës, u mbyllën në vitet e Luftës së Dytë Botërore, ndërsa bostonianët nuk e mbyllën asnjë ditë. Në atë lumë makinash që dilnin nga puna kishte dhe disa të tilla që ndalonin vetëm pak metra larg bregut të detit ku ishte ky Klub shumë interesant, i dobishëm, një Muze i vërtetë  kohërash.

Në Boston, ndoshta më shumë se në qytete të tjerë të Amerikës, rendja pas asaj që ka ikur, është më e madhe. Është respekti për ata që e ndërtuan këtë qytet? Është leximi i një përvoje që duhet përdorur për të ardhmen? Është prova e forcës së inteligjencës njerëzore? Është edukimi që ata ia bëjnë fëmijëve të tyre shumë më tepër se në librat që asnjëherë nuk janë të përkryer në misionin që ata kanë? Po mbase të gjithë të gjitha. Ose në një rast njëra “mund” tjetrën. Vetëm me një ndryshim të madh se rrëfyesit e tij ishin pikërisht ata që punonin në të. Kur e pyetëm miqësisht Presidentin  aktual të këtij Klubi, Xhekun, ai tha se në krye të Klubit mund të ishte secili prej atyre që janë zyrtarisht në këtë masë njerëzish nga më pasionantët që mund të gjeje në këtë qytet për këtë fushë. Pse jo dhe të ndarët nga jeta që për arsye respekti dhe mirënjohjeje ishin vënë që në hyrje të klubit nga organizatorët. Një rregull që besoj se është vënë që kur u nda nga jeta i pari anëtar  i këtij klubi. Në qendër të Bostonit me mikun tim, Pollin, u bëra pjesë e befasisë së jashtëzakonshme. Mbase edhe emocioni i fjalës, na bën nganjëherë që të biem në grackën e shprehësisë së pathënë mirë.

U nis që në vitin 1938 kjo punë. Dhe për dy vjet Klubi do të festojë 80-vjetorin e themelimit të tij. Janë bërë mjaft emisione për rrugën e tij. E prapë mbetet diçka pa e thënë. Është në Bashkinë e Hinghamit që ndodhet vetëm pak kilometra larg Bostonit Madje duhet të shohësh kufinjtë se e ke të vështirë që të ndjekësh se ku  mbaron Bostoni e ku fillon ky vend. Është bukur kur sheh në të të gjithë dokumentacionin që është ruajtur për 78 vite që kanë kaluar në këtë klub dhe që përbën lëndët për të pasur për të libra, për filma, për poezi, për përvojë teknike që është fituar në të. JO të gjithë janë pjesë e hekurudhës, jo të gjithë kanë punuar në këtë sektor kaq të rëndësishëm të jetës amerikane, po të gjithë bëjnë shumë gjëra në këtë klub.

Nëse do të shohësh pasionin  e tyre. Mjafton që të kujtojmë një rast kur një prej pjesëtarëve të klubit erdhi në orën 2 të natës, sepse e shqetësonte një llampë e pandezur në kohën kur ai e kishte vënë atë në atë lokomotivë kaq të vogël.. Kush ishte arsyeja që s’po ndizej??? Dhe nuk priti mëngjesin apo pasditen kur të vinte nga një punë e caktuar ku siguronte shpenzimet për familjen, por e bëri këtë natën. Secili nga 60 pjesëtarët aktualë që ka sot klubi ka një çelës më vete që e përdor kur të ketë kohë për punë. Janë të paktën mbi gjysma që vijnë këtu çdo ditë. Ndërsa në mbledhjet që bëhen këtu për mbarëvajtjen për shpenzimet që bëhen këtu asnjë nuk mungon. Se, edhe pse është demokraci, asnjë nuk mund të diskutojë vendimin nëse nuk ka marrë pjesë vetë në kohën kur është diskutuar ai. Është një një farë mënyre një lloj me votimet në Shqipëri. Bëhen votimet. Dikush nuk merr pjesë dhe, për fat të keq, janë ata që nuk marrin pjesë në votime, që flasin më shumë kur mbarojnë atodhe disa gjëra nuk shkojnë mirë.. Me këtë ambicje njerëzore, profesionale, ky Klub bëhet një lloj prove e pasionit për punën vullnetare, për teknikën. Një orë në këtë Klub është sa njëqind leksione. Sa bukur do të ishte që këtu të bëheshin sa e sa mësime qoftë për fizikën, për menaxhimin, matematikën apo edhe për artin! Dy ditë në vit ata e hapin Klubin për publikun. Në mars dhe në tetor. Mendohet që ta shtojnë dhe një herë tjeëtr. Duhet thënë se që tani ata kanë caktuar ditën se kur do bëhet hapja për publikun në vitin 2017!!! M;u kujtua atë çast një telefonatë që ia bënte Shoqata e Përkthyesve në Boston për komunitet që banojnë në të. I thanë vajzës që  se do të merrte pjesë në një përkthim me një pacient një vit më vonë. Ishte korrik dhe kërkesa për përkthim ishte për muajin prill të vitit të ardhshëm. Dhe bëjnë  jo pak përgatitje për këtë gjë. I gjithë klubi është në këmbë. Në të vijnë njerëz të thjeshtë por dhe funksionarë të lartë të shtetit. Vijnë dhe shumë  gjyshër dhe gjyshe që marrin për dore nipërit dhe mbesat jo për të parë një lojë ose për të shetitur në parqet e shumtë publike të Bostonit, të mbushura me lule, monumente presidentësh të Amerikës, me bar të freskët, me rregull, qetësi (më i madhi prej tyre i përket para 200 vitesh) Vetëm në vizitën e muajit mars 2016 u shënua shifra 1200 njerëz vizitorë, një shifër jo e vogël dhe që ishte e kënaqshme edhe per paratë e fituara.  Një hapje tjetër për vizitorët bëhet dhe në tetor kur njerëzit kanë ardhur nga pushimet dhe iu shtohet dëshira për të parë gjëra të reja. Pasuria e tyre financiare kontrollohet nga të gjithë pjesëmarrësit dhe dokumentohet  çdo blerje sado e vogël që të bëhet.

Edhe në ditë të tjera të vitit bëhet një gjë e tillë nga persona që rekomandohen nga pjesëtarë të Klubit,  po me një rregull të fortë që secili vë dhe emrin si vizitor në këtë Klub. Madje gjatë kohës që do të rrijë në të, ai duhet që ta vërë dhe në trup shenjën e vizitorit. Shumë objekte që janë të vihen dhe në shitje: kapele, bluza me emblemën e Klubit, vagona, lokomativa, libra e revista të kësaj tematike, etj. Kjo e shton edhe më shumë fondin e Klubit që mbulon shpenzimet  e tij dhe asnjëherë nuk ka patur krizë ekonomike për të blerë qoftë dhe në fund të botës ata mallra që iu duhen për të ndërtuar tërë atë hekurudhë në miniaturë. Secili paguan rregullisht një kuotë mujore për anëtarësimin e tij në Klub. Aty brenda ka dhe një kafe që gjithashtu është me dollarë, edhe pse më lirë se në qytet.

Është interesante dhe pjesëmarrja në këto vizita. Veç pjesës palcore që përbëhet nga njerëz që shkojnë nga mosha 40 deri në 80, ose edhe 90 vjeç janë shumë të rinj që tërhiqen nga ky pasion i veçantë. Janë të adhuruarit e teknikës. Janë vetëm 16 ose 18-vjeçarë. Për disa vite largohen dhe pas moshës 30 vjeç rivijnë në këtë klub. Mbase për të mos u larguar kurrë.

Për të qenë të saktë, në këtë shkrim duhet thënë se mungojnë femrat, vajzat që nga moshat shkollore e më vonë. Në radhën e vizitorëve edhe mund të gjesh nga ato, por ato nuk janë pjesë e rëndësishme. Natyrisht nuk është problem i fanatizmit, po pak e duan teknikën e tillë dhe disa mbase e quajë dhe humbje kohe në një vend ku shumë herë betohen “Për Kokën e Kohës” dhe kur planifikimi i saj është më se i detyrueshëm.

Në tërë këtë mjedis ka të paktën 1000 vagona të tipeve të ndryshëm dhe mbi 100 lokomotiva të të gjithë kohërave që nga ato me avull e deri te ato elektriket. Me vagona që mbusheshin më disa thërrime dheu që të imitonin mallrat e ngarkuara.

 Në një moment  mjeshtri Saveri Mur  mori pultin dhe nisi trenin me disa vagona mes maleve që ishin bërë të vegjël në disa tunele të improvizuar e herë pas here  imitonte dhe sirenën  që bënte treni. Ishte i lumtur. Ia thashë këtë gjë dhe ai u kënaq . Ishte lumturia që të jep puna jote që ti e bën me gjithë dëshirë, ishte dhe puna e të gjithë miqve të tij të Klubit që në atë provë tregonte se cdo gjë ishte e harmonishme. E mora dhe unë disa minuta pultin dhe po komandoja rrugën e  tij. Edhe gëzimi im ishte i madh.

Në pjesën e dytë të ndërtesës ishte pjesa ku do të ndërtohej një miniturë të paktën për 50 vitet e ardhshme. Deri para pak kohësh në krye të këtij klubi ka qenë Roberti, i cili është ndarë me nderime nga jeta në moshën 90 vjeç dhe kujtohet nga të gjithë. Tash është Xheki Halledie me origjinë nga Hollanda. Ai është një tjetër profesionist i vërtetë dhe pasionant që ka në pronësi një firmë reklamash. Na thotë se edhe vajzat e tij e vazhdojnë rrugën e përgatitjes së  reklamës që në Amerikë është një profesion shumë i kërkuar.

Klube të tillë gjen sot në disa shtete të tjerë, por jo më të vjetër se Klubi i Bostonit. Vitin e kaluar një përfaqësi e këtij klubi mori pjesë në Takimin e përvitshëm që bën Klubi gjerman dhe të gjithë gjermanët që kanë jo pak përvojë edhe në këtë fushë, u befasuan nga ajo çka paraqitën amerikanët. Në ekipin e tyre është historiani, arkivisti, ekonomisti, specialisti i informatikës, pedagogu, skenografi, është fizikanti, është avokati, juristi. Klubi ka një faqe të rregullt në internet që freskohet vazhdimisht me një seriozitet të madh.  Edhte shteti e ka mbështetur një nismë të tillë. As që bëhet fjalë që të tatohet aktiviteti i tyre.  Edhe mjedisi që ata kanë zgjiedhur ka qenë pjesë e “bujarisë” së bashkisë, sepse është sistemuar në një ish magazinë të vjetër që më vonë është kthyer vërtet në një klub artistik.

Natyrisht edhe Pando Lako, i çili na u bë cicëron për këtë Klub është një nga pjesëtarët  më aktivë të tij. Ai nuk mungon asnjëherë në aktivitetet që bëhen në këtë Klub. Vitin e kaluar me të ishim në një vizitë në Paris. Që në ditën e parë ai na tregoi për një plan të bukur që gjithsesi ishte dhe  një ëndërr e kahershme e tij gjatë gjithë jetës, edhe pse kishte prekur shumë shtete të botës. Ishte fjala për hekurudhën e Lionit dhe për trenat e tij super të shpejtë.

Madje edhe me një kosto të kripur të biletave që do paguaje për të hipur në këto trena që të lumturonin kur bëheshe pjesë e udhëtimit, me atë rregull dhe me atë shpejtësi udhëtimi për Lion.

Klubi ka dhe një gazetë që botohet në shtetin e Minesotës dhe që nuk është ndërprerë që nga dita e fillimit të botimit të saj më …1934 ( edhe këtu befasi e madhe) por që në këtë klub ajo është e arkivuar shumë bukur që nga numri i parë në një kohë që me këtë revistë janë pajtuar shumë pjesëtarë të Klubit dhe që iu vjen rregullisht në shtëpi. Edhe Klubi kishte gazetën e vet me titullin “Semafor”. U nis me pak, po për të gjithë librat e revistat që flasin për hekurudhat e Amerikës dhe të botës,  u mendua edhe për një dhomë-arkiv ose bibliotekë ku secili mund të njihet me botimet që bëhen. Jam shumë krenar dhe i lumturuar se në këtë klub është dhe një shqiptar. I vetmi. Në të ka shumë kombësi të vendeve të ndryshme si skocezë, irlandezë, e të tjerë po që janë lindur në Amerikë. Polli është më i vjetri në moshë. Ka hyrë në këtë Klub para 16 vitesh, por pasioni për hekurudhat e ka lindur 75 vjet më parë. Ai ka lindur në Amerikë dhe që në moshën  4 vjeç bënte rrugën nga Pensivalnia për në Boston. Një rrugë që shkonte më shumë se 24 orë. Trenat  nuk ishin të shpejtë, po kënaqësia ishte e madhe. Pak më vonë vetëm 4 vjet pas mbarimit të luftës i ra detyra që të shkonte në Korenë e Jugut ku trenat ishin shumë të ngadaltë dhe jo të mirë. Pak nga pak u lidh shpirtërisht me trenat, me hekurudhat, me shinat, me sirenat Në vitin 1971 bëri një vizitë në Shqipëri dhe ai në rrugën që të dërgonte për në Korçë. Aso kohe ai shihte shumë të rinj vullnetarë që ndërtonin rrugën e hekurudhës. Pas viteve 90 kur erdhi në Shqipëri në rrugën hekurudhore Tiranë–Durrës   iu lut makinistit që të hipte në lokomotivë. Makinisti e mirëpriti këtë kërkesë të mikut nga larg, por që fliste dhe shqip. Gjatë gjithë kësaj rruge ai filmoi të gjithë rrugën dhe tani e ka këtë film si kujtim të atyre viteve. Puna që bënte nuk e lejonte që të ishte anëtar i rregullt i këtij Klubi në Boston. Ka një ëndërr të bukur tani. Kërkon që të bëjë një udhëtim në hekurudhat ruse nga Moska për në Vladivastok që është gati 16 orë udhëtim.

 Natyrisht as që bëhet fjalë që një shoqëri të tillë simotër ta shohësh në një cep të Tiranës pa folur për një qytet ku dikur ka ecur hekurudha.  Mund të bëhej nismëtar i këtij klubi  në miniaturë edhe ndonjë veteran i hekurudhave ose dhe ndonjë i ri apo e re që  do të ideonte një të ardhme shqiptare.Të vjen vërtet keq që në këto 26 vjet në Shqipëri nuk është shtuar asnjë linjë hekurudhore, po ka vetëm mjerim të madh të tyre. Gati e ke të vështirë që t’i tregosh të rinjve një hekurudhë, por vetëm duhet t’u thuash atyre  një përrallë të vogël me atë hyrjen e saj tradicionale “Na ishte një herë një hekurudhë…” Duke e parë me vemendje çdo detaj në miniaturë veç respektit për secilin  profesionist në kuptimin më të plotë të fjalës, m’u kujtua dhe mua  vitet 70, 80 kur në familjen tonë flitej shumë për hekurudhën. Jo vetëm udhëtarë që e ishin lidhur atë pak lëvizje që bëhej me këto shina. Jo vetëm se udhëtimi me automobilë me autobuzë ishte gati jasht funksionit. Vëllai im i madh punonte në hekurudhë si kryetar treni si ndërrues vagonash (vagonat lidheshin me dorë).

…..Polli na nxjerr një foto e bërë pak vite më parë të Klubit të Hekurudhave.  Disa prej tyre i takova atë ditë dhe u miqësova shpejt me ta. Ai na tregon dhe shumë prej tyre që sot  nuk jetojnë më. Na tregon për ish Presidentin e Klubit Robert. Në duar mbajnë banderolën e Klubit. Në shenjë miqësie të re Davidi na zgjati një bluzë me emblemen e Klubit. E falenderova nga zemra. Sërish në dalje na shoqëron buzëqeshja e Davidit që ishte me detyrën e  sekretarit dhe të financierit të Klubit që e shihje dhe në një tavolinë ku punonte. M’u desh që t’i premtoja se ditën kur do të bëhesha shtetas zyrtar i Bostonit, do të isha dhe anëtari i këtij Klubi. Ndoshta shqiptari i dytë pas Pando Lakos, Pollit, mikut tim shqiptar kaq të mencur dhe kaq të apasionuar për teknikës. Dhe patjetër do të mbaj fjalën. Bash si një shqiptar që njeh dhe besën. Aq më tepër kur ke para vetes miq të mirë dhe që zgjojnë brenda qënies  tënde portretin e disa njerëve që janë brenda një një të nesërmeje që, ndoshta as dhe në ëndërr nuk e ke parë.

SHKARKO APP