Herbarti në viset shqiptare
Nga Prof.dr. Musa Kraja/Pedagogu, didakti, psikologu dhe filozofi gjerman Herbart, i nivelit botëror, është një nga personalitetet e rralla, në mos i vetmi që në një etapë të zhvillimit historik të shkollës shqipe, ka ndikuar fuqishëm me idetë e tij , “herbartianizmi”, tek shkolla dhe mësuesit mbarë shqiptarë. Nga viti 1806 shkroi veprat pedagogjike e psikologjike: “Pedagogjia e Përgjithshme e dalë nga qëllimet e edukatës”, “Psikologjia si shkencë”, “Skicë leksionesh mbi pedagogjinë”,”Filozofia e përgjithshme praktike”, “Pikat kryesore të metafizikës” etj. Pas Emanuel Kantit, zuri drejtimin e Katedrës së Filozofisë dhe Pedagogjisë.
Herbarti punoi tre vjet si mësues privat në Zvicër dhe u njoh me veprat dhe veprimtarinë pedagogjike të J.H. Pestalocit, reformator i madh i arsimit i nivelit botëror. Specialistët amerikanë të kurrikulës Allan C. Orstein dhe Francis Hunkins kanë theksuar se idetë e Pestalocit ushtruan ndikim të madh mbi arsimin amerikan të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Edhe Herbarti u ndikua nga Pestaloci, zviceran gjermanishtfolës, ndonëse Herbarti është i pari profesor që zhvillon leksione të Pedagogjisë në universitet dhe njihet ndër me kryesorët që themeluan në vizion të plotë shkencën e pedagogjisë.
Herbarti mbrojti idenë se qëllimi kryesor i arsimit është formimi moral dhe intelektual. Nevoja ishte të zgjerohej gama e kurrikulës dhe të arsimohej njeriu i mirë me interesa të shumta dhe me një këndvështrim të harmonizuar për jetën. Idetë e tij social-pedagogjike morën emrin e tij “Herbartianizëm” dhe vazhduesit e këtyre ideve, duke iu përshtatur edhe situatave të reja “Herbartianët e rinj”.
Qëllimi i pedagogjisë, sipas Herbartit, është “Virtyti”, që ka të bëjë drejtpërdrejtë me forcimin e karakterit edukativ të shkollës. Edhe në aspektin e didaktikës, të rëndësishme kanë qenë për kohen “shkallët formale të Herbartit”, të herbartianizmit, mbi bazën e të cilave do të organizohej procesi mësimor.
Xhon Dju ka theksuar ndihmesën e veçantë të Herbartit në fushën e mësimdhënies . Idetë herbartiane janë mbështetur në parime të përgjithshme për realizimin e një ore mësimi.
Herbartianizmi ishte rryma pedagogjike që u përhap në shumë vende të botës dhe nga gjysma e dekadës së dytë të shekullit të kaluar, sidomos nga vitet ‘20-‘30-të, e sollën tek ne studentët e mësuesisë, që u diplomuam në Austri, Gjermani, fillimisht në Normale të Elbasanit, më pas edhe të Shkodrës, në aneksin e saj, në Ushtrimore, ku ballafaqohej teoria dhe aplikimi i saj në praktikat pedagogjike të mësuesve të rinj.
Këta nxënës normalistë, mësues në përgatitje, të grumbulluar nga tërë hapësira shqiptare u formuan me idetë e Herbartit, ku mësuesi ishte në epiqendër për nivelin shkencor, profesional, për taktin dhe etikën e tij, disiplinën rigoroze, nga vetja, tek nxënësit, për disa linja themelore në organizimin e procesit mësimor, për vlerat edukative me theksim të veçantë etj. Me këtë formim , përhapen dhe parimet themelore herbartiane në të katër anët e viseve shqiptare, ku u dërguan për të shërbyer si mësues.
Herbarti e vlerësonte shumë rolin e mësuesit, personalitetin e tij shkencor dhe social-pedagogjik, prandaj insistonte , që ata, mes tjerash, të ishin shumë të disiplinuar. Mësuesit e asaj kohe iu nënshtruan një disipline të fortë shkencore dhe profesionale, duke e përcjellë këtë frymë tek nxënësit e tyre. Mësuesit e emëruar në skaje të ndryshme të viseve shqiptare, nuk mund të largoheshin nga shkolla në zonat ku shërbenin, vetëm për pushimet verore. Leja për largim jepej vetëm nga Ministria.
Kam parë në Arkivë të shtetit një leje tre ditore, që i jepej një mësuesi për martesë. Kjo frymë disipline ishte në tërë aspektet e shkollës, prandaj në atë periudhë rroli edukativ i shkollës dhe disiplina komplekse, megjithë kufizime e kohës, ishin shumë të mira. Këtu përfshihej edhe personaliteti i mësuesve, të cilët në periudha të caktuara duhet të jepnin provime rreth nivelit të njohurive të tyre për vazhdimin e punës së mësuesit. Paga e mësuesve e mirë për kohën, fillonte me 7 napolona flori në muaj e vazhdonte deri në 9 napolona për drejtorin, 11 për inspektorin.
Në Arkivin e Shtetit ndodhen dosjet personale të mësuesve të gjithë shkollave, përfshire edhe për ato 11 shkolla të mesme, që funksiononin në atë kohë. Në të dhënat, gjeneralitetet shënohej edhe pasuria e mësuesit: shtëpia, toka ndonjë pronë, duke i shoqëruar me rubrikat që këtë shtëpi, dyqan, vreshtë etj., e ka bërë vetë gjatë shërbimit, apo janë të trashëguara . Pra, herbartianizmi ndikoi edhe në këtë fushë drejtpërdrejtë.
Duhet pasur parasysh që atëherë ishin 1430 mësues e sot janë rreth 35 mijë, pa shkollat e larta, që atëherë nuk ekzistonin, pasi jepeshin bursa të kufizuara për jashtë vendit.
Për mësuesit e asaj kohe “shkallët formale”, ka hyrë diku si term në literaturën tonë, që nuk është i saktë, sepse ato nuk janë “formale”, përkundrazi janë integrimi i teknikave të mësimdhënies me të mësuarit, me anën e të cilave mësuesi do të përmbushë nevojat dhe interesat e nxënësve.
Në kushtet tona, edhe dekada e dekada më vonë, këto ide të Herbartit, në organizimin e procesit mësimor ishin të domosdoshme sepse përgatitja profesionale e mësuesve qe mjaft e kufizuar. Kjo shërbeu edhe pas çlirimit të vendit, madje deri nga vitet ‘60 të shekullit të kaluar, me masivizimin e vrullshëm të arsimit dhe mobilizimin e kuadrove të shumtë që kërkoheshin nga të gjitha viset, kërkesa që u plotësuan përmes kurseve afatshkurtra të përgatitjes së mësuesve, krahas zgjerimit të shkollave pedagogjike për përgatitje normale të tyre.
Synimet edukative të Herbartit synonin për një mësim të rregullt, të stabilizuar, të organizuar mirë me rigorozitet shkencor. Ai kërkoi të përcaktohen mirë rregullat e sjelljes dhe të ndiqej zbatimi i tyre, duke përdorur edhe këshillimet, duke i vënë në dukje edhe dobësitë, kështu realizohej një lidhje në mes kërkesave pedagogjike e psikologjike, shkolla bëhet serioze, edukative, fëmija dhe adoleshenti zhvillonin të menduarit. Nënvizohej që të mbahej qetësi në shpirtin e fëmijës dhe jo të kishte ndjenjë frike. Emocionet të krijohen me anë të shpjegimeve, inkurajimeve, mbasi ato ndikojnë në krijimin e bindjeve, ishin ide herbartiane.
Në kaosin e madh të mendësive pedagogjike me ndikime osmane, arabe, italiane, greke, sllave, në varësi të shkollave ku ishin përgatitur mësuesit tanë të asaj kohe, ku secili mësues punonte sipas intuitës pedagogjike e psikologjike, luajti rolin e vet pozitiv shkolla ushtrimore e Normales së Elbasanit, si vatër e përhapjes së ideve pedagogjike herbartiane, si dhe ajo e Shkodrës, me “metodat herbartiane”, që në atë kohë ishin moderne, të interpretuara përmes Aleksandër Xhuvanit, Hilë Mosit, Karl Gurakuqit, Safet Butkës etj.
Me daljen e gazetës “Normalisti”, në vitin 1929, në Normalen e atij qyteti, filluan të botohen artikuj pedagogjik, ku dominonin parimet pedagogjike të Herbartit. Fakti që lëndët teorike, që zhvilloheshin në Normale, zbatoheshin në praktike në ushtrimoren e saj, ku zhvillonin praktikat pedagogjike ndikoheshin tek mësuesit e rij në përgatitje. Edhe Revista “Shkolla e Re” , u bë një organ ku mbizotëronin shkrime me ide pedagogjike herbartiane.
Njohja e traditës është domosdoshmëri , sidomos për shkencat shoqërore, sepse specialistëve u nevojitet një këndvështrim historik për integrimin e së shkuarës në të sotmen. Kuptimi i historisë na ndihmon të mos përsërisim gabimet e së kaluarës, duke na përgatitur më mirë për të tashmen e të ardhmen.
Në këtë përvjetor ne shprehim mirënjohje për idetë e mëdha të Filozofit, pedagogut, psikologut, e didaktik të madh Gjerman, Herbartit, vlerat e të cilave janë, edhe në trashëgiminë tonë në këto fusha të rëndësishme edukimi , që në kuadrin e një shkollë të re moderne, demokratike, që të ruhemi nga njëanshmëritë në edukim, për të përgatitur brezin e ri jo vetëm me të drejta, të cilat ai duhet t’i gëzojë, por edhe me rregullat e disiplinën që i kërkohet në përgatitje e në progres të shoqërisë së sotme e të nesërme.
Mirënjohje ideve të pavdekshme të pedagogut të madh, Herbart!