Heronjtë e Shijakut në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare

 

Nga Nikolla Sudar

Në historinë e një populli, periudha e një lufte disavjeçare nuk luan ndonjë rol të madh. Por kur ajo përfshin mbarë botën e qytetëruar, kur nga fitorja e saj varet ekzistenca e kombit dhe kur për të mobilizohen, si asnjëherë tjetër, tërë forcat mendore, shpirtërore dhe fizike, atëherë ajo zë vend nderi në memorien e tij të pavdekshme. E tillë ishte Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar për çlirim kombëtar dhe demokraci të vërtetë, e viteve 1939-1944, në të cilën populli heroik i trevës së Shijakut ka dhënë kontributin e tij të shquar.    

Pushtimin fashist të 7 prillit 1939, si i gjithë populli ynë, ashtu edhe populli i Shijakut e priti me urrejtje dhe kundërshtim të hapur. Disa qindra vullnetarë u mblodhën nga e gjithë zona para nënprefekturës, duke kërkuar armë. Shumë prej tyre të armatosur keq zunë pozicion tek Currilat, afër portit, tek Ura e Dajlanit dhe në Bisht të Pallës. I ngarkuar për rezistencën popullore, patrioti Abaz Kupi inspektoi më 6 prill frontin dhe vullnetarëve tek ura e Shijakut, midis të cilëve ndodheshin patriotët Edip Çuçi dhe Haxhi Shtraza dhe u dha porosi që ta hidhnin urën në erë, para se të mbërrinin pushtuesit në Shijak. Kështu në mengjesin e 7 prillit ura u hodh në erë për të penguar marshimin fashist drejt Tiranës, ndërsa në kodrën e Shilores u vranë dy patriotë në përleshje me avionët fashistë.

Ndërkohë oficeri patriot shijakas Sulejman Kadra, oficer në Lezhë, mori pjesë në organizimin e rezistencës antifashiste në Shëngjin dhe pas zbarkimit fashist detyrohet të arratiset jashtë vendit.

Pushtuesit e rinj e vlerësuan shumë rëndësinë strategjike të Shijakut: rindërtuan urën e shkatërruar, ndërtuan rrugën tjetër (të Sukthit) për në Tiranë, ngritën një aerodrom të rëndësishëm në fshatin Rreth dhe në qendër të qytetit vendosën një garnizon të madh ushtarak. Politikën pushtuese fashistët italianë do ta vazhdonin edhe ndaj Greqisë, nga fundi i vitit 1940. Në këtë ofensivë të trumbetuar me të madhe, por që dështoi me turp, fashistët angazhuan edhe forca ushtarake shqiptare, gjoja “vullnetare”. Por patriotët shqiptarë që bënin pjesë në to (midis të cilëve edhe edhe oficeri shijakas Fadil Dashi), të prirë nga antifashisti i orëve të para, komandant Spiro Mojsiu, dezertuan nga fronti. Në këto rrethana forcat “dezertore” shqiptare i çarmatosin dhe i sjellin në vendin e quajtur Ristane (midis Shijakut dhe Maminasit), ku ishte ngritur një kamp përqendrimi, i rrethuar me tela me gjemba. Të rinjtë shijakas si Dilaver Domi, Hamit Berberi, Qamil Gashi, Isuf Molla etj., me porosi nga ilegalët e Tiranës, fshehurazi futeshin në kamp dhe shpërndanin fletushka antifashiste (ato i sillnin nga Tirana në shtëpinë e antifashistit Qazim Domi), ku u bëhej thirrje për t’u arratisur nga kampi. Nuk kaloi shumë dhe mjaft nga ushtarakët e grumbulluar këtu u arratisën, prandaj edhe fashistët u detyruan ta mbyllin kampin. Në këtë kohë, në shtëpinë e patriotit Abdyl Bërhami në Shijak, për muaj të tëra ndenji e strehuar familja e Spiro Mojsiut.  

Por rezistenca antifashiste do të zgjerohej me shpejtësi të madhe. Në qershor të vitit 1941, pasi largohet nga çeta e Pezës që komandohej nga patrioti Myslym Peza, atdhetari i shquar dhe trimi i rrallë shijakas, një nga më të përmendurit në tërë vendin, Qemal Deliallisi, krijon çetën e dytë patriotike, (pas asaj të Pezës), atë në zonën e Shijakut, ku bënin pjesë, Fadil Vezi, Rexhep Bermuça, Bajram Tusha dhe Xhemal Troplini. Për një vit me rradhë kjo njësi luftarake, e ushqyer, e veshur dhe e strehuar nga fshatrat e zonës, me aksionet e pandërprera u bë tmerr për pushtuesit italianë, të cilët angazhuan forca të mëdha dhe vunë një shumë të madhe për kapjen e kreut të saj. Më 1 qershor të vitit 1942, Qemali i rrethuar nga milicia dhe karabinieria fashiste bashkë me shokun e tij të ngushtë Fadil Vezin, luftuan për disa orë me rradhë në fshatin Sallmone. Për të shpëtuar shokun e tij nga rreziku, Qemali tërheq mbi vete zjarrin e armikut dhe sakrifikohet, duke shpërthyer një bombë dore. Akti i tij heroik u përjetësua në këngë nga populli, e cila këndohet edhe në ditët e tona.

Pas kësaj ngjarje trimi Fadil Vezi u kthye në Pezë, ku mori pjesë në të gjitha aksonet partizane. Ai u shqua për trimëri të rrallë dhe aftësi komanduese, gjersa arriti në detyrën e Komandantit të batalionit III të Pezës. Në shkurt të vitit 1944 komandanti trim Fadil Vezi ra heroikisht në përleshje më nazistët në Pezën e Madhe. Ndërkohë prej disa muajsh armiqtë e kishin arrestuar të shoqen, nënë Xhevahiren, me katër fëmijët e saj. Në burgun  Durrësit ajo lindi fëmijën e pestë, që i vuri emrin Partizan. Pas daljes nga burgu i Burrelit, nëna patriote jetoi e fshehur në fshatrat e zonës. I tërë fisi Vezi, ndër të cilët Asllani, Rizai dhe të tjerë morën pjesë aktive në LNÇl, duke dhënë një kontribut të shquar për lirinë e atdheut.  

Veçoritë e humanizimit të thellë të popullit të Shijakut dhe të frymës së tij demokratike do të shkëlqenin me të gjithë forcën e vet gjatë luftës për liri: forcat kundërshtare politike nuk u konfrontuan midis tyre në qytet dhe nuk lejuan raprezalje të pushtuesve. Kjo tolerancë e mrekullueshme u vazhdua edhe pas Konferencës së Mukjes. Fakti që në Shijak banonte familja Baholli e lidhur tërësisht me luftën kundër pushtuesit, djali i së cilës, Sulejman Baholli ishte sekretar organizativ i Qarkorit për Durrësin, informacioni që dispononin forcat nacionaliste për të gjithë elementët antifashistë dhe bazat ilegale në Shijak dhe fshatrat e tij, rastet kur mjaft partizanë apo ilegalë nga qytete të tjerë vinin e strehoheshin të armatosur në Shijak dhe nuk pati asnjë konfrontim apo denoncim, tregojnë për tolerancën humane të të gjitha forcave politike në qytet.

 Më 6 shkurt të vitit 1942 formohet organizata e rinisë antifashiste, me drejtues Bahri Shaqirin, që do të jepte një kontribut të madh në luftën për liri. Me dhjetra të rinj u pranuan në këtë organizatë, ndër të cilët: Kapllan, Naile, Beqir e Ali Kau, Idriz Smoqi, Qefsere e Bukurie Shaqiri, Behixhe e Sanije Shtraza, Gjena Ristani, Shyqyri dhe Eqerem Marika, Dilaver Domi, Hamit Berberi, Xhemal Kruja, Tofik e Arif Jashari, Demir Çela, Sabri Peqini, Sulejman Zehiri, Con e Sure Shahini, Muharrem Rrubjeka, Hysen e Skënder Alite, Sherif Keçi, Isuf Shkodra, Isuf Derveni, Sulë Dagavelli, Petrit, Tomorr e Hyrije Dedja, Mehdi Deliallisi, Aishe Laknori, Sadoshe e Qefsere Baholli, Sulltone, Mereme e Sabrije Shkodra, Liri e Besnike Keta, Muço Duka, Mihal, Stefan e Vangjeli Deda, Isa Shtraza, Sami Domi, Muharrem Dallaku, Selman Keçi, Ramazan Reka, Met Shkodra, Hysni, Ver, Sulë e Sherif Dashi, Shaban Shaba, Isuf Kurshumi, Kadri e Islam Zela, Ramiz Doçi, Dhimitër Findiku, Sadik Rroshi, Zydi Shahini, Maliq Saliaga, Bajram e Mersin Guri, Xhemal Beja, Sulë Ferra, Mehdi e Sadik Rroshi, Muharrem Kaçiu, Demir e Xhemail Deliallisi, Hyqmete Domi, Leonora e Violeta Deda, Fatime Kosturi, Fatime e Orani Zalla, Tefta e Petrit Bekteshi, Cen e Hamit Gurabardhi, Refik Tafaruçi, Tofik Laknori, Bajram, Sulë e Fahri Dallaku, Zija Doraci, Fiqiri e Hysen Këlliçi, Shpresa e Bardhyl Kastrati, Hysen Dedja, Sure Keçi, Kozma e Filip Toçi, Met Kërtalli, Bedri e Shefik Deliallisi, Xhemal Rreshka, Xhafë Shkoza e shumë të tjerë.

Urrejtjen e hapur kundër pushtuesve fashistë do ta manifestonte në këtë kohë i riu antifashist Isuf Shkodra. Ai u përlesh me dy aviatorë italianë në një kafene të qytetit, në vitin 1942, duke i plagosur me thikë ata. Për këtë akt ai u burgos nga karabinieria fashiste. Po kështu në ditët e para të marsit 1942, krijohet edhe organizata e pionierëve antifashistë me drejtues Sotir Jançen, ku bënin pjesë: Ali Lima, Ali Domi, Zog Jashari, Fiqiri Deliallisi, Bardh Këlliçi, Sadik Tepshi, Ibrahim Berberi, Sadik Domi, Dilaver Xhafa, Kadri Zalla, Fehmi Shaqiri, Naim Dallaku, Muharrem Dagavelli, Xhemal Shtufi, Fatime e Sami Rroshi, Sadete, Naxhije, Tushe e Fiqirete Vezi, Dilaver Xhafa, Tahir Beja, Dhimitër Jançe, Gani Keçi, Pëllumb Deliallisi, Ramazan Shkodra, Ibrahim Gjonku, Nikolla Toçi, Bardhyl Bekteshi, Ali Zehiri, Xhafë Tafaruçi, Xhafë Deliu, Zydi Shtraza, Lutfi e Shaqir Guri, Myzejen Baholli, Fiqirete Laknori, Shpresa Keta, Ikbale Kruja, Ikbale Shkodra, Dalip Lala, Mustafa Mici, Tofik Shkodra, Hamza Malltezi, Amali Deda, Qefsere Taga, Qefsere Shtraza, Jakov Findiku, Sherif Nërjaku etj. Në vjeshtën e dytë të vitit 1942, në mbledhjen e mbajtur me përfaqësues nga i gjithë qarku, patrioti Qazim Domi u zgjodh anëtar i Këshillit Antifashist Nacional-çlirimtar për qarkun e Durrësit.

Pikërisht në këtë kohë krijohet edhe njësiti gueril i qytetit, i përbërë nga të rinjtë: Kapllan Kau, Shyqyri e Eqerem Marika, Hysen Alite, Xhemal Kruja, Hamit Berberi, Tofik Jashari, Arif Jashari, Sulë Zehiri, Sabri Peqini, Kadri Zela, Sadik Rroshi, Isuf Shkodra, Con e Sure Shahini, Isuf Derveni, Qamil Gashi, Zylyf Deliallisi, Hashim Bërhami (Rapi), etj. Ky njësit kreu aksione të shumta, madje edhe brenda në Tiranë (në eliminimin e një spiuni, në ish agjensinë e autobuzave, pranë Sahatit). Por njësiti kryesisht u bë mbështetje e fuqishme e gjithë lëvizjes antifashiste në Shijak.     

     Në fillim të vitit 1943 krijohet oganizata e “Legalitetit” për nënprefekturën e Shijakut më në krye patriotin Hysen Kokoli (mbas rënies së tij u zgjodh Shefqet Deliallisi), kurse për problemet ushtarake të saj u ngarkua oficeri Sulejman Kadra. Për propagandën u caktua Tofik Deliallisi, për problemet me fshatin u caktua Ramë Marku. Zyber Kokoli u ngarkua për rininë e Legalitetit, ku bënin pjesë: Bahri Deliallisi, Vehbi Kokoli, Ibrahim Gjoci, Qazim Metalla, Hilmi Deliallisi, Nuri Tafaruçi, Shaban Gashi, Ferik Deliallisi, Skënder Deliallisi etj. Patrioti Zyber Kokoli nuk lejoi që një batalion me të rinj shijakas të luftonte në Kosovë kundër forcave antifashiste, Organizata e “Legalitetit” arriti që në disa fshatra të ngrejë këshillat e veta. Ajo mban lidhje të ngushta me çetën legaliste të atdhetarit Musa Picari, e cila vepronte në zonën e Vorës.

     Në qershor të vitit 1943 krijohet celula komuniste e Shijakut me sekretar komunistin liberal Minella Toçi, bashkëpunëtor i ngushtë i drejtuesit të celulës në Pezës, Mustafa Gjinishi. Në të bënin pjesë Sulë Gallaj, Metali Alite, Kosta Jançe, Qamil Tafaruçi, Sulë Shtraza, Zydi Lila etj. Mbas braktisjes së ideve komuniste nga ana e demokratit Minella Toçi, në nëntorin e vitit 1943, sekretar u zgjodh Kosta Jançe.

     Viti 1943 do të ishte viti i kthesës së madhe në luftën kundër pushtuesve të huaj dhe veglave te tij. Në këtë luftë u angazhuan të gjitha shtresat e popullsisë nën drejtimin e forcave politike. Por as këshilli nacional-çlirimtar, as njësiti gueril dhe as ndonjë forcë tjetër politike antifashiste nuk do të mund të kryente aktivitetin e saj pa ndihmën e madhe e të pakursyer të shoferëve trima shijakas si Haxhi Laknori, Rexhep Laknori, Ymer Kalleshi, Qazim Mici, Hashim Myslym Lala, Arif Dallaku, Hysen Alite, Qamil Gashi, Fadil Kalaja, Shaqir Deliu, Emërlla Varoshi, Hashim Bërhami (Rapi), etj. Mbështetje të madhe e të gjithanshme i ka dhënë lëvizjes antifashiste në Shijak oficeri patriot i karabinierisë, Ilia Naska (veteran lufte).

     Pas një përgatitjeje të gjithanshme, në maj të vitit 1943, në fshatin Kënetë krijohet çeta partizane me komandant Osman Vorën dhe komisar Maliq Muçon. Po në këtë kohë, në përleshje me forcat fashiste bie heroikisht në Ishëm i riu atdhetar Xhelal Shtufi. Në të gjithë krahinën filloi një punë e gjithashme për zgjerimin e njësitit partizan me të rinj nga qytetet dhe nga fshatrat e zonës. Në këto përpjekje u angazhua edhe partizani i ri shijakas Idriz Smoqi, i cili tradhtisht u godit për vdekje më 16 korrik të vitit 1943, vetëm dy javë para krijimit të batalionit partizan të zonës.

     Në mes të nje entuziazmi të madh patriotik, më 30 korrik të vitit 1943, në fshatin Kënetë u krijua batalioni partizan i Shijakut (batalioni IV i Pezës), me komandant Osman Vorën dhe komisar Mark Ulin (nga Shkodra). Shtabi i tij u vendos në shtëpinë e patriotëve Ramë dhe Hamdi Marku në fshatin Kënetë, të cilët kontribuan me armë në dorë kundër pushtuesve dhe e shkrinë tërë pasurinë e tyre për lirinë e atdheut (Më vonë nazistët e dogjën deri në themel këtë çerdhe të luftëtarëve të lirisë). Batalioni partizan kreu aksione të shumta kundër pushtuesve fashistë. Pikërisht në këtë kohë në fshatin Rreth, që ndodhet afër qytetit, krijohet çeta territoriale e komanduar nga trimi Qamil Kacmoli. Po kështu në shtëpinë e patriotes Nasije Deliallisi u ngrit organizata e grave antifashiste, që mbështeti fuqimisht të gjithë veprimtarinë anifashiste në qytet dhe në fshatrat e tij. Në këtë organizatë bënin pjesë me dhjetra gra shijakase, ndër të cilat: Irini Deda (Moma), Nurije Baholli, Xhevahire Vezi, Lide Shtraza, Anthi Deda, Nasije Deliallisi, Xhemile Shaqiri, Mereme Kadiu, Serme Kamberi, Nadije Marika, Hatije Zalla, Rake Bespalla, Xhire Smoqi, Mire Llaftiu, Dije Dashi, Rabije Kosturi, Hajrije Domi, Mine Marku, Aspasi Ristani, Qamile Keta, Lumte Llaftiu etj. Gjatë një kontrolli të befasishëm nga ana e fashistëve në familjen e patriotit Cen Kruja, humbet jetën e reja antifashiste Naile Kau.

     Në përgjigje të vendimeve të Konferencës historike të Pezës, pas një pune përgatitore, filloi kudo ngritja e këshillave Nacional-çirimtare, si organe të pushtetit në fshatra dhe në qytet. Sidomos në të gjithë fshatrat kjo gjë mori hov gjatë vitit 1943. Më 30 gusht të vitit 1943, në shtëpinë e patriotit Ali Dashi (vëllai i oficerit patriot Fadil Dashi, që ishte caktuar komandant i batalionit I, të Grupit të Pezës) mblidhen përfaqësuesit nga të gjitha shtresat atdhetare dhe krijohet këshilli Nacional-çlirimtar me kryetar Ali Arbanën, dhe sekretar Ali Dashin. Për problemet ushtarake u ngarkua Haxhi Shtraza, për grumbullimin e ndihmave dhe dërgimin e tyre forcave partizane u caktuan Mustafa Kadiu e Fadil Kamberi, për propagandën – Sulë Vora. Anëtarë të tjerë të tij ishin Ibrahim Kërtalli, Murat Keçi, Ali Rroshi, Kostandin Toçi dhe Muç Muhaxhiri, të cilët u ngarkuan me sigurimin e bazave, me strehimin e ilegalëve, të partizanëve dhe me mbajtjen e rendit. Infermieri patriot Koço Kaftani, u ngarkua me detyrën e ndërlidhësit. Këshilli ka bërë një punë të madhe: propagandë kundër pushtuesit, strehim ilegalësh dhe partizanësh, grumbullim ndihmash materiale e në të holla dhe dërgimi i tyre partizanëve, si edhe ruajtjen e stabilitetit politik në qytet.

Por thirrja e bërë nga Konferenca e Pezës për bashkim “pa dallim feje, krahine e ideje” nuk do ta kishte jetën të gjatë. Në gusht të vitit 1943 u arrit marrëveshja historike e Mukjes, por ajo qe jetëshkurtër. Pikërisht kjo gjë do të sillte ndryshimin e situatës në vend, duke shkaktuar konfrontime gjakderdhëse e të panevojshme midis forcave partizane dhe atyre nacionaliste në mjaft krahina të vendit. Në ditët e para të shtatorit 1943 rinia antifashiste e Shijakut organizon një demonstratë të fuqishme në qendër të qytetit. Pasi demonstrojnë për disa orë, mbi 50 të rinj sulen në nënprefekturë, futen nëpër zyra, shkelin me këmbë portretet e Duçes dhe grisin dokumentet e armikut. Të nesërmen, me mbështetjen e forcave nga Durrësi, u arrestuan disa nga aktivistët kryesorë. Përfaqësuesit e rinisë nga qyteti dhe nga të gjitha fshatrat e nënprefekturës u mblodhën po në shtator, në fshatin Sallmonaj, në aktivin e rinisë antifashiste për krahinën e Shijakut. I riu antifashist Ibush Vokshi, njëri nga drejtuesit e rinisë për kahinën, u bëri thirrje të gjithë të rinjve që të luftonin pushtuesit me të gjitha forcat dhe me të gjitha mënyrat. Në një aksion të kryer nga një njësit i batalionit partizan të zonës, më 24 shtator të vitit 1943, bie heroikisht në Shilore partizani trim nga Tirana, Dum Alla. Situata shpërthyese e luftës për liri u favorizua edhe nga dobësimi, që më në fund çoi në kapitullim, të fashizmit italian. Kjo është arsyeja që pushtuesit e rinj nazistë, me parrullën e tyre mizore: “Një ditë terror, për një vit qetësi”, do ta vështirësonin shumë situatën si kudo, edhe në Shijak. Komanda gjermane, duke vlerësuar pozicionin strategjik të Shijakut, ndërmori një operacion të madh spastrimi në të gjithë krahinën. Kjo do të ishte ndeshja e parë e madhe frontale e armikut me forcat partizane, në territorin që përshinte batalioni partizan i zonës (batalioni IV i Pezës). Në këtë operacion, që zgjati pesë ditë e net (nga 23-28 tetor të vitit 1943), nazistët vunë në përdorim këmbësorinë, artilerinë, tanket dhe aviacionin. Luftimet të ashpra u zhvilluan në fshatrat kodrinore Karpen, Shahinaj, Shtrazë, Kënetë, Shatel. Synimi i nazistëve ishte rrethimi dhe asgjësimi i batalionit të zonës, por që nuk ia arriti qëllimit. Gjatë luftimeve të ashpra dhanë jetën partizanët trima Shaban Shahini, Rexhep Tabaku, Hamdi Çali dhe mjaft të tjerë u plagosën. Ne shenjë hakmarrje armiqtë dogjën fshatrat kodrinorë.

      Si asnjëherë tjetër shkëlqeu në këtë rast solidariteti i banorëve të qytetit Shijakut me fshatrat e dëmtuara. Përveç mjaft të rinjve, që me armë në dorë u rreshtuan me forcat e batalionit, këshilli i qytetit mobilizoi shoferët patriotë të cilët, duke çarë postblloqet e armikut, sollën nga Durrësi materiale ndërtimi që iu dërguan fshatrave të djegura. Bashkë me to i tërë qyteti ndihmoi materialisht me ushqime e veshmbathje, pa marrë parasysh rrezikun që e kërcënonte. Armiqtë u hodhën në sulm për të goditur dhe asgjësuar këshillat nacional-çlirimtar, si edhe bazat e luftës. Kështu u goditën këshilltarët Dalip Shahini, Mustafa Bala, Sulejman Dervishi, Shaban Plaku, po ashtu edhe infermieri trim, këshilltari i qytetit të Shijakut, Koço Kaftani dhe disa të tjerë u arrestuan. Këshilltari i paepur Mustafa Bala u përlesh trup me trup me nazistët, derisa dha jetën në këtë duel të pabarabartë. Në situatën e krijuar dy të rinj, Ali Hajdari dhe IsIam Pengili, duke mos eduruar dot disiplinën e ashpër të luftës partizane, tentuan të largoheshin nga rradhët e batalionit. Por gjyqi partizan, thjesht për këtë arsye, i dënoi me vdekje, duke lënë një shije të keqe në popull.

Në ndihmë të luftës për liri kontribut të madh ka dhënë edhe patrioti i shquar, mjeku i mrekullueshëm Koço Deda. Duke rrezikuar jetën, ky humanist i vërtetë udhëtonte natën e ditën drejt bazave ilegale e gjer në Pezë për të mjekuar partizanët dhe ilegalët. Ndonëse banonte në qytet, ai e ktheu shtëpinë e vet në një spital partizan, ku janë kuruar atdhetarë të shumtë. Spitale të tillë janë ngritur në shtëpinë e Hoxhë Drizës (që u torturua egërsisht nga armiku, por nuk u thye) dhe në atë të patriotit Hamdi Marku në Kënetë.

Pasi dështoi në terren, pushtuesi nazist vendosi të bëjë një operacion sekret (të koduar “Hafenfahrt” – Shetitje në bregdet) për të arrestuar krerët e lëvizjes anifashiste dhe aktivistët më të zellshëm në qytetet Durrës, Kavajë e Shijak. Kështu, mëngjesin e 20 nëntorit 1943, Shijaku u gjend i rrethuar nga nazistët. Pas një bastisje të dhunshme nëpër të gjitha shtëpitë, të rinj e pleq si edhe ata, rreth 1000 burra (mjaft edhe nga fshati, sepse ishte ditë pazari në qytet), u mblodhën me forcë në territorin e ish garnizonit italian (atje ku sot ndodhet fabrika e niseshtesë). Në rradhët e të arrestuarve kishte disa drejtues kryesorë të luftës antifashiste për krahinën. Midis një rreziku të madh, drejtuesit u nxorrën nga rrethimi (fshehurazi, pionerët Fiqiri Deliallisi dhe Dhimitër Jançe futen në rrethim nëpërmjet një llogoreje të mbuluara nga bari dhe u prijnë kuadrove të arrestuar, duke i nxjerrë jashtë rrezikut). Kështu arritën të shpëtojnë komandanti i Batalionit I të Pezës, Fadil Dashi, komandanti i batalionit të Ishmit, Skënder Roda, ilegalët Kosta Jançe, Adem Balla, Con Shahini etj. Nazistët të tërbuar vendosën të bëjnë një masakër të vërtetë. Të gjithë të arrestuarit u vunë para mitrolozave të rëndë. Por këtu do të dilte në pah humanizmi dhe trimëria e nacionalistëve Deliallis (Kapllan, Mustafa dhe Bahri). Ndërhyrja e tyre qe vendimtare. Nazistët arrestuan rreth 30 të rinj e patriotë dhe pjesën tjetër e lanë të lirë. Të arrestuarit u dërguan në Tiranë, por me ndërhyrjen e fortë të Deliallisve patriotë edhe ata u lanë të lirë, kështu që asnjë shijakas në këtë rast nuk u syrgjynos në kampet nazistë të përqëndrimit (me përjashtim të të riut antifashist shijakas, Hysen Shtufi, i cili u kap në Durrës dhe dha jetën në kampin famëkeq Mat-Hauzen).

Por shkelja e vendimeve të Mukjes do të linte gjurmë të rënda në tërë lëvizjen për liri. Njësitë partizane tashmë do të godisnin edhe ato nacionaliste, gjë që do ta ndërlikonte shumë luftën kundër pushtuesit, duke krijuar situata të një lufte civile. Në një situatë të tillë mospajtimi me orientimin e Partisë Komuniste, nga fillimi i nëntorit të vitit 1943 braktis detyrën e sekretarit të celulës komuniste për Shijakun, intelektuali demokrat Minella Toçi. Po kështu veproi edhe komandanti i batalionit partizan të zonës, Osman Vora, i cili u bashkua me forcat nacionaliste. Situatën do ta vështirësonte më tepër fillimi i operacionit armik të Dimrit 1943 – 44, që do të kishte pasoja të rënda për luftën antifashiste. Në këtë kohë të vështirë dha jetën aktivisti i flaktë i luftës për liri Zylyf Deliallisi. Forcat antifashiste bënë një tërheqje të shkurtër për të rimarrë energjitë. Në rrethanat e një rreziku shumë të madh, në shtëpinë e patriotit shijakas Abdulla Malltezi për muaj me rradhë strehohet atdhetari i përmendur 94-vjeçar, anëtari i Këshillit Antifashist Nacional-çlirimtar për Shqipërinë, Sheh Adem Roda, ndërsa në shtëpinë e guerilasit Tofik Jashari, (njëra nga bazat kryesore për gjithë nënprefekurën e Shijakut), shtrehohet dhe mjekohet për mjaft kohë njëri nga drejtuesit kryesorë të Pezës, Tonin Jakova etj. Por me gjithë raprezaljet e pushtuesit, lufta do të zhvillohej më me ashpërsi gjatë vitit 1944, si në qytet ashtu edhe nëpër fshatra. Në kushte shumë të vështira, në shkurt të vitit 1944, dha jetën për liri i riu shijakas Kapllan Kau.

Gjatë një aksioni për rrëmbim armësh në fermën e Sukthit, në fillim të vitit 1944, arrestohet nga nazistët dhe torturohet rëndë i riu Meshan Kadiqi. Ai internohet në një kamp përqendrimi në Gjermani. Meshani mundi të arratiset dhe të kthehet në atdhe.

     Batalioni partizan i zonës u riorganizua në pranverën e vitit 1944 dhe rifilloi aksionet e tij luftarake. Në fillim të verës 1944 krijohet në fshatin Shetel Komanda e Vendit, e cila do të mobilizonte popullin për të mbushur rradhët partizane si edhe për të siguruar jetën dhe qetësinë e popullsisë, sidomos pas largimit të forcave partizane. Gjatë transportimit ilegal me autobuz të materialit propogandistik nga Tirana për në Durrës bie në krye të detyrës i riu antifashist Muharrem Kaçiu.

     Më 18 shtator 1944 krijohet brigada XXII sulmuese në Pezë, e cila menjëherë niset me detyrë për në Veri të vendit. Në këtë brigadë u fut edhe batalioni i Shijakut (i 4-ti). Pasi çliroi Shkodrën, brigada do të vazhdonte luftimet edhe matanë kufijve të atdheut, ku do të jepnin jetën trimat shijakas Qamil Ishmi, Isuf Molla, Demir Milaqi, Hamdi Domi etj. Ndërkohë, në dhjetor të vitit 1944, në Kosovë do të jepte jetën për liri, njëri nga drejtuesit e brigadës II partizane kosovare, ish sekretari i rinisë antifashiste për Shijakun, trimi i rrallë Bahri Shaqiri.

     Muajt e fundit para çlirimit të vendit sollën përmbysjen e raportit të forcave, në favor të partizanëve. Tashmë nacionalistët në Shijak do të kalonin një situatë shumë të vështirë. Kështu patrioti Hysen Kokoli u godit në një pritë partizane, më 28 shtator të vitit 1944. Por edhe në këtë gjendje shijakasit tolerantë ruajtën gjakftohtësinë. Vetëm disa javë më vonë, në prag të çlirimit të Tiranës, Mehmet Shehu do të urdhëronte nga Arbana që të ekzekutoheshin (pa gjyq) një grup atdhetarësh shijakas. (Nisur nga e kaluara e tyre dhe të bindur se nuk kishin lyer duart me gjakun e popullit, patriotët shijakas Kapllan Deliallisi, Jakup Deliallisi, Shefqet Deliallisi (mik i ngushtë i heroit Asim Vokshi, të cilit i kishte dhënë ndihmë në të holla për të vajtur në Spanjë), Minella Toçi dhe Isuf Allamani (intelektual i specializuar jashtë vendit dhe ish drejtor i Stacionit Zooteknik të Xhafzotes), u dorëzuan vullnetarisht. Ata i besuan qarkores së lëshuar nga KANÇ-I, lidhur me sigurimin e jetës të atyre që nuk kishin lyer duart me gjakun e popullit. Në këtë kurth nuk ra nacionalisti Jahja Mancaku, i cili u detyrua të largohet jashtë vendit. Po ashtu as oficeri akademist, nacionalisti i njohur Mustafa Deliallisi, nuk e besoi këtë manovër. Ai krijoi një çetë atdhetare, e cila e vazhdoi veprimtarinë e vet antikomuniste në krahinën e Shijakut për vite me rradhë.( Në dhjetor 1949 Mustafai u gjend i rrethuar në shtëpinë e tij, në qytet. Në këtë përpjekje me forca të shumta të ndjekjes, ai dha jetën për idealin nacionalist).

     Më 21 tetor 1944, në Shetel, u mblodhën përfaqësues nga e gjithë nënprefektura e Shijakut. Nën mbrojtjen e Komandës së Vendit, delegatët zgjodhën Këshillin Antifashist Nacional-çlirimtar të krahinës. Në mbledhjen e tij të parë ky këshill zgjodhi komitetin ekzekutiv të nënprefekturës dhe në krye të tij doli patrioti i shquar pa parti, Qazim Domi me anëtarë, antifashistët e vendosur Abdyl Keçi (për arsimin), Metali Alite (për shëndetësinë) etj., që menjëherë do të fillonte nga detyra si pushtet ekzekutiv për krahinën. Në fillim të nëntorit forcat naziste, pas disfatave të njëpasnjëshme në të gjitha frontet, vendosën ta braktisnin vendin. Më 14 nëntor të vitit 1944 u larguan nazistët e fundit nga Shijaku, duke i shkaktuar një dëm kolosal qytetit tonë. Në momentet e fundit ata hodhën në erë urën, e cila për vite me rradhë do të paralizonte jetën e qytetit. Menjëherë në qytet u futën partizanët e Komandës së Vendit, që ndodheshin në fshatin Rreth. Më 15 nëntor 1944, Komiteti ekzekutiv i zgjedhur në Shetel, u vendos në Shijak dhe filloi detyrën në ish ndërtesën e nënprefekturës. Më 16 nëntor të vitit 1944 forcat partizane të Brigadës X S u futën në Shijak, që përfundimisht do të ishte i lirë nga pushtuesit nazistë. Pikërisht kjo datë do të caktohej si dita e çlirimit të Shijakut nga pushtuesit e huaj.

     Kur i hedh një vështrim luftës antifashiste në Shijak arrin në përfundim se të gjithë banorët e qytetit tonë i kthyen shtëpitë e tyre në baza të luftës, duke sakrifikuar gjithçka për ditën e lirisë. Ndër ta mund të  përmendim atdhetarët e nderuar: Qazim Domi, Fadil, Asllan e Riza Vezi, Hysni Shaqiri, vëllezërit Marika, Cen Kruja, Murat Deliallisi, Abdyl Keçi, Ali Dashi, Tofik e Arif Jashari, Qerim Metalla, Qamil Kasa, Fadil Deliallisi, Koço Kaftani, Hamit e Ibrahim Berberi, Nurie Baholli, Nasije Deliallisi, Xhire Smoqi, Sulejman Zalla, Dr. Koço Deda, Irini e Mihal Deda, Ali Arbana, Konstandin Toçi, Mustafa Kadiu, Ymer Kalleshi, Lide Shtraza, Irini Deda, Rabije Kosturi, Haki e Mexhit Bekteshi, Neki Alite, Ibrahim Kërtalli, Murat Keçi, Abdulla Malltezi, Qazim Mici, Osman Vora, Sulë Vora, Hysen Shtufi, Ismail Laknori, Osman Dallaku, Hysen Kruja, vëllezërit Deliallisi, Hysni Shaqiri, Mexhit Bekteshi, Ymer Domi, Ilia Findiku, Nur Doçi, Ali e Xhafë Rroshi, Zeqir Shkodra, Fadil Kamberi, Hysen e Zyber Kokoli, Xhemal Kruja, Sulejman Kadra, Meshan Gjonku, Tahsim Këlliçi, Met Kërtalli, Muç Muhaxhiri, Ymer, Hamdi e Sulë Domi, Tuk e Vath Shtraza, Mexhit Bekteshi, Isuf Keçi, Demir e Isuf Shkodra, Arif Dallaku, Haxhi Dedja, Mersin Tepshi, Abdyl, Shaqir e Hashim Bërhami, Gani Keta, Shaqir Deliu, Anton Kosova, Ndin Ristani, Ibrahim Rexhepi, Sure Keçi, Shaqir Deliu, Muharrem Rrubjeka, Isuf Derveni dhe shumë të tjerë. Fakt historik është marrja nën mbrojtje nga qytetarë shijakas të disa familjeve çifute, të cilat u vendosën në qytet, sidomos me fillimin e luftës. Ndër ta vlen të përmenden antifashistët Ali Arbana, Daut Shahini, Skënder Alite, Halil Gashi, Zenel Seiti etj., të cilët, deri në çlirimin e vendit nga pushtuesi, i strehuan në shtëpitë e tyre, (duke rrezikuar seriozisht veten dhe familjen). Gjithashtu edhe mjaft ushtarë italianë, mbas kapitullimit të Italisë, u strehuan deri në çlirimin e vendit në familjet bujare shijakase (si tek familja Zalla, Rrubjeka etj), të cilat ndanë gjithçka me ta.

       

SHKARKO APP