Heronjtë “rrugaçë” në përballjet me regjimin!

Nga Armand Maho

Ata që i kanë përjetuar protestat e viteve ‘90, kur diktatura kishte marrë pikiatën e mbajnë mend shumë mirë gjuhën e propagandës të përdorur atëmot. Protestuesit, jo pak herë cilësoheshin si “Rrugaçë” që kishin ngritur zërin dhe dorën kundër pushtetit popullor. Në kuptimin terminologjik, kjo fjalë ka një konotacion negativ. Bëhet fjalë për një njeri që endet rrugëve, pa shtëpi, nuk sillet mirë dhe zihet kot me të tjerët. Me këtë gjuhë u cilësuan në atë kohë dhe heronjtë e demokracisë Josif Buda në Kavajë që u vra nga plumbat e policisë, apo dhe Artan Lenja që u vra në derë të shtëpisë nga junta e kohës, në afërsi të Klubit Partizani. Sot rruga mban emrin e tij, ndërsa përmendorja e Budos ndodhet në mes të Kavajës.

Ka një koincidencë të çuditshme në diskursin e Rilindjes kur bëhet fjalë për protestat e ditëve të fundit. E njëjta gjuhë e përdorur nga ish-sigurimi i shtetit, ka mbirë dhe në gojën e atyre që dërgohen në daljet mediatike nga pushteti. Njëlloj si atëherë kur nga protestat regjimit i erdhi ngordhja, sërish ata që kanë pushtuar panelet e TV-ve nuk ngurrojnë të etiketojnë të rinjtë e këtij vendi si “rrugaçë”. Janë armata e atyre që Rama u ka siguruar pushtet e luks, dhe të alarmuar se shpejt këto privilegje mund të humbasin nuk ngurrojnë të përbaltin çdo veprim fisnik.

Ata protestues, nuk prekën një xham biznesi, nuk prekën një pasqyrë makine. Ata target kishin korrupsionin të reklamuar si sukses në pronat publike, apo po të doni dhe selinë e PS që e shohin si forcën politike që ka pjellë këtë pushtet. Ata nuk janë rrugaçë, janë ndoshta më heronj se etërit e tyre që asokohe gjimnazistë, braktisën bankat e shkollës për të rrëzuar regjimin. Sot janë baballarët që janë tulatur, nga hallet dhe varfëria, dhe nuk guxojnë t’iu dalin në mbrojtje fëmijëve të tyre. Baballarëve ata që u ka humbur ai instinkti i lirisë i mbjellë nga diktatura, por i shkulur nga zhgënjimi.

Sot janë fëmijët e tyre që i kujtojnë se kësaj vjedhjeje masive, këtij represioni, kësaj propagande bajate i duhet dhënë një shuplakë. Se kjo harbutëri dhe hajdutëri e veshur me petkun e shtetbërjes, është fajtorja kryesore e gjithë kësaj varfërie. Ata djelmosha i dhanë një mesazh gjithë shoqërisë, dhe për këtë ata u rrahën dhe u masakruan në komisariate dhe paraburgime. Ata adoleshentë e kanë kuptuar më mirë se kushdo se kush janë rrugaçët e vërtetë.

Vetë kryeministri kërkon ta fusë përballjen e tyre me regjimin erdoganist që ka vendosur, në hullitë e përdorjes politike. I quan si të përdorur, apo duke i krahasuar me fëmijët që përdor organizata terroriste e Boko Haram. Madje u bë qesharak duke i kërkuar liderit të opozitës të bëjë zjarrfikësin dhe të shuajë protestat, duke drejtuar gishtin nga Presidenti i Republikës apo ish-Kryeministri Berisha, si iniciatorë të tyre. Në fakt e vërteta është ndryshe. Ish-rebeli i dikurshëm që kishte gjuhën e hidhur ndaj diktaturës sot është bërë kryeministër, dhe ndoshta instinkti i mbijetesës politike që i rrjedh nga e kaluara e tij bëri që të humbë toruan.

Ai ka humbur lidhjen me realitetin, dhe nuk e di se ata të rinj në vazhdimësi janë rrahur dhe shoqëruar pa shkak nga policia e ngritur prej tij, njësoj si të plotfuqishmit e lagjeve. Në 2020, prindërit janë detyruar të paguajnë deri në 2000 euro për një prapësi minoreni dhe ato në zyrat e komisariateve ku i ka shndërruar në zyra militantësh. Ku një punonjës që ka një jetë në policinë e shtetit, nuk guxon as ta shohë në sy një njeri të besuar të rilindjes. A nuk ishte një prej tyre ai që shkrehu koburen ndaj të riut Klodian Rasha?

Me rrahjen dhe keqtrajtimin e të rinjve dhe minorenëve Edi Rama po trazon disa thëngjij që kanë kohë që digjen brenda vetes. Ata e ndiejnë deri në kockë dhimbjen e babait të tyre, që nuk ka t’i plotësojë fëmijës së tij ato çka ai do. Vrasja e Klodianit në derën e shtëpisë ishte vetëm fitili, por urrejtja është e akumuluar me kohë. Ashtu siç ishte fitili dhe mungesa e dritave në qytet student 30 vite më parë, kur “ rrugaçët” baballarë lanë bankat e shkollës për t’iu bashkuar studentëve. Sot “rrugaçët” bij janë ngritur njësoj me një ndryshim. Ata u ngritën pa i thirrur kush, pa i mbështetur kush. Prandaj ata janë më shumë heronj se baballarët e tyre. /Mapo

SHKARKO APP