Historia e fotos së vajzës siriane, që u “dorëzua” para aparatit fotografik

Kjo fotografi është një prej atyre imazheve, e cila bëri xhiron e botës, duke u komentuar si një imazh që përcillte ndjenjë të fortë dhembshurie. Bëhet fjalë për foton e vajzës siriane të frikësuar, e cila ngre duart lart, teksa një fotograf i afrohet për ta fotografuar, ndërsa ajo mendon se aparati fotografik ishte një armë, me të cilën do të qëllohej në drejtim të saj.

Fotoja u përhap në të gjitha rrjetet sociale gjatë këtyre javëve, pasi fillimisht u postua në Twitter nga një fotoreporter në Gaza. Fotoja është shkrepur nga një fotograf turk, i quajtur Osman Sağırlı në një kamp refugjatësh në Siri.
Frika që shquhej në sytë e vajzës së vogël, mënyra sesi ajo mbledh buzët për të mos qarë ka prekur emocianalisht qindra njerëz në mbarë botën. Postimi i kësaj fotoje në Twitter nga Nadia Abushaban më 24 mars është shpërndarë në më shumë se 14.000 herë, duke shërbyer si shkëndijë debati edhe në forume të tjera.

Mungesa e informacionit të mëtejshëm i ka bërë shikuesit edhe të spekulojnë se imazhi ishte i rremë dhe mijëra komente kanë shoqëruar këtë foto. Por njeriu, i cili ka shkrepur foton, ka vendosur të flasë për të shpjeguar kontekstin e kësaj fotoje. Osman Sağırlı ka treguar për BBC që këtë foto ai e bëri në dhjetor të vitit të kaluar në kampin e refugjatëve Atmeh, pranë kufirit turk.
Aktualisht fotografi punon në Tanzani. Ai tha se fëmija ishte një vajzë katër vjeçare e quajtur Hudea, e cili u detyrua të ikte nga shtëpia në Hama me nënën e saj dhe dy fëmijët e tjerë. “Unë isha duke përdorur një lente telefoto dhe ajo mendoi se ishte një armë”, rrëfeu Z. Sağırlı.

“E kuptova se ishte e tmerruar, pasi shkrepa foton, sepse ajo kafshoi buzët e saj dhe ngriti duart. Normalisht fëmijët ikin, fshehin fytyrat e tyre, ose buzëqeshin kur ata shohin një aparat fotografik", mësohet të ketë thënë fotografi.
Gjatë 25 viteve të tij që ka mbuluar konfliktet dhe fatkeqësitë për gazetën “Turkiye”, ai ka vizituar shumë kampe refugjatësh dhe ka treguar për BBC-në se, vuajtja mund të shihet kaq dukshëm përmes fëmijëve, sepse ata "pasqyrojnë ndjenjat me pafajësinë e tyre"!
Fotografia u botua për herë të parë nga “Turkiye” në janar, së bashku me një artikull mbi familjen që u largua nga shtëpia për shkak të luftës, duke pretenduar se babai Hudea është vrarë nga bombardimet në Hama.
Më shumë se 200,000 njerëz janë vrarë deri tani në luftën siriane civile, ku ISIS, militantë të tjerë islamikë, rebelë sekulare dhe të qeverisë së presidentit Bashar al-Assad-it janë duke luftuar në fronte të shumta.
Shumica e 3.9 milionë refugjatëve sirianë në Turqi, Liban, Jordani, Irak dhe Egjipt nuk shohin mundësinë e kthimit në shtëpi në të ardhmen e afërt dhe kanë pak mundësi për të rifilluar jetën në mërgim, sipas raportimit të agjencisë së refugjatëve të OKB-së.
Miliona fëmijë janë duke vuajtur nga trauma të ndryshme psikologjike dhe prej shëndetit të sëmurë, një e katërta e shkollave të Sirisë janë dëmtuar, ose shkatërruar dhe më shumë se gjysma e spitaleve të vendit janë rrafshuar, të gjitha këto informacione, sipas UNHCR.

 

Kampi i refugjatëve Atmeh, ku Hudea është fotografuar ka strehuar deri tani më shumë se 30.000 njerëz. Ky kamp njihet ndryshe si "Olive Tree Camp" për shkak të pemëve që e rrethojnë atë.

Përktheu: Sidorela Lepuri

 

 

SHKARKO APP