Historia e një vdekjeje te vonuar

 

Shkrimtari Skifter Këlliçi vjen për botuesit me një tjetër roman që trajton ngjarje historike. "Historia e një vdekjeje te vonuar” është një vepër që risjell nga një këndvështrim i ri periudhën e rrëzimit të komunizmit. Gazeta boton pjesë të këtij romani që tregon sesi u përjetuan në Tiranë ndryshimet e sistemit komunist dhe kalimin në pluralizëm.

(Vijon nga numrat e kaluar)

Nga Skifter Këlliçi

Tamam në këtë kohë, jo shumë larg urës së Lanës, në rrugën prapa Muzeut të Enver Hoxhës, Neptuni nxitonte që të arrinte në zyrat e “Zërit të Popullit”.  Befas u ndodh para dajës së tij, Thanas Tunit. Ballafaqimi ishte kaq i papritur, saqë Neptuni nuk pati kohë të kalonte në një rrugë nga e majta dhe t’i shmangej. Ndaj, duke u përpjekur të sajonte një buzëqeshje sa më të shpenguar, iu afrua atij.

  -Po ku je, mor nipçe? – e pyeti Thanasi duke i dhënë dorën. – U bënë gati dy muaj që nuk jemi parë, ose, që të themi më saktë, që nga dita kur u shpall pluralizmi, demokracia, liria për të cilat po dëgjoj të flitet kaq shumë edhe në shtyp…edhe në gazetën e Partisë, ku me demek punon edhe ti…

 Shpotia ishte e hapur, e bëhej më e theksuar nga që sytë e hirtë të Thanasit feksnin një dritë e keqe sylëbyrëse. Po Neptuni duke i dhënë vetës një pamje të pamëkatë, bëri sikur nuk vuri re asgjë, ndaj iu përgjigj:

– Kë shumë të drejtë, dajko. Po ç’të bësh, nuk na lenë rehat punët. A nuk e sheh se edhe tani që takohem me ty, me revan e kam marrë.

– Doemos, nipçe. Të presin ato reportazhet e Petrit Kondës për manifestimet e mitingjet demokratike, sidomos ai i djeshmi për rrëzimin e përmendores së Enver Hoxhës. Besoj se e përgëzove Petritin, se të rrimë shtrembër e të flasim drejt, e kishte qarë atë reportazhin e tij.

– Mos folë ashtu. Ai vetëm sa i kishte bërë një përshkrim manifestimit, pa asgjë të tepërt.

  Fytyra e Thanasit përftoi pamje krupndjellëse.

 – Vërtet nuk kishte ç’të na kallëzonte më tepër,- iu gërmush Neptunit,- sepse ajo e mallkuar kamerë televizive s’pushoi që s’pushoi së xhiruari rrëzimin e përmendores, kur ata huliganë sa nuk po çmendeshin! Të ndërhyje dhe ti tek ata drejtuesit e Televizionit, se shokë i ke…

– Po Televizioni nuk është organ i Partisë..

-Po “Zëri i Popullit” është ,ama…Ah, po, ke hak, se një nga drejtuesit është ai palo dhëndër i Hiqmet Terkës, ai sekretari i kolegjumit, Vaso Molka, që ka nisur të përdridhet si ato kuckat e haremit. Pa le, po pret të bëhet edhe kryeredaktor , që katran me bojë u bëftë.

– Edhe ai nuk ka faj, dajko, – bërbëliti Neptuni. – Në shtyp, ti e kupton se nuk mund të bëjmë si dikur. Nga vetë shoku Ali Rama tani na është dhënë porosi që të pasqyrojmë të tëra ngjarjet, siç janë, sidomos ato të rëndësishmet.

– Ah, këtu më zure ngushtë, kur më përmende shokun Ali. Siç duket bathët, ai nuk di kujt t’ia ndreqë e kujt t’ia prishë. Ndaj jep të tilla urdhëra.

– E ke gabim! – Nuk e pe mbrëmë në mesazhin e tij drejtuar popullit, ku tha se tashmë ka dalë fare qartë se forcat antidemokratike duan shkatërrimin e Shqipërisë. Ja, ato forca paraqiti dhe Televizioni. Dhe ato nuk përfaqësojnë as shqiptarët dhe as Shqipërinë.

Një nënqeshje djallëzore lodroi në buzët e holla të Thanasit.

– Siç duket, këto ka pasur parasysh dhe Petrit Konda kur bëri reportazhin e vet, ë? Po, ama, pena i rrëshqiste, siç i rrëshqiste pena dhe babait të tij që i kishin dhënë një intervistë atij Rrok Dedës, kryeredaktorit të “Demokracisë”.

– Ashtu? – u habit Neptuni dhe sytë i farfuritën.. – Nuk e kam lexuar.

– Atë e bir, Neptun, njëri më i rrezikshëm se tjetri.

Fytyra madhoshe e Neptunit u mugëtua.

– E ç’më kanosesh mua, dajko, – i tha pastaj. – Ti e di që unë e dua Petrit Kondën, aq sa kam dashur dhe Sokol Shpatën. Atë që kisha për të bëtë për të, e bëra, siç më kandise ti.E padita dhe ju të Sigurimit e kallët në burg, ku dergjet edhe sot.

– Atë mos më thuaj, nipçe, se ti, siç e the, e kishe halë në sy Sokolin se ishte i zoti, si, për ndreq, është i zoti dhe ky Petrit Konda, kopja e tij si gazetar, e mezi ç’prite të na jepje ato të dhëna e t’i dilje dëshmitar e kështu të qërohej. Pastaj ndodhën ato që ndodhën. Besimi ynë për ty u rrit aq shumë aq sa ti u bëre shef redaksie, dole dhe sa munde jashtë shtetit, e, kushedi, nesër edhe më lart do të ngjitesh. E nëse ndodhi kjo, ta dish se e ke dhe nga ne, pra nga unë. Është kështu apo jo?

Neptuni i zoritur bëri “po” me kokë.

 – Kurse tani, siç po shoh, nuk merr mendimin të rrish si dikur me mua në kafene e të më vish në shtëpi. Doemos. Daja yt, ish-drejtor i Sigurimit të Tiranës, ka dalë në pension. Kanë ardhur kohë të reja. Mbase dhë të vjen turp të përmendësh se Thanas Tunin e ke tëndin.

– Ç’janë këto që thua, dajko! – mërmëriti Neptuni dhe qepallat i fërfëllinë.

– Mos u ndiej fare, nipçe se me hundë të nuhas unë se ç’bluan në kokë. E ti e di që në kësi punësh nuk ma ha qeni shkopin. Po një gjë mos harro.

Thanasi u kreshpërua si urith, rrasi thellë kasketën që i mbulonte kokën e shogët, e vazhdoi:

– Ne nuk kemi marrë fund. Ne, që jemi pasuesit e Enver Hoxhës. Ta dijë mirë kushdo. Ne jemi të mbikësojetshëm. Ta dijë mirë edhe Petrit Konda me të atin e me këdo tjetër. Benë ua kemi bërë. Më zjarr do ta mbulojmë këtë tokë ku të tërë ata që nuk duan do të bëhen shkrumb.

Neptuni nuk bëzani. Njerëz si Thanasi ishin të shumtë. Dhe ata si ai mendonin. Si ai edhe do të vepronin.

Jo më shumë se treqind metra nga vendi ku Neptuni sapo ishte ndarë nga Thanasi, në vilat e Bllokut të udhëheqësve ndihej pështjellim që asnjë nuk përpiqej ta përmbante. Kjo u bë më e theksuar kur grumbujt e qytetarëve u shumuan para urës së Lanës.

Nga shtjellat e erës që zuri të frynte me forcë, sokëllimat e qytetarërve vëngonin dhe arrinin deri tek vilat e para të Bllokut ku ndodhej dhe vila e Hiqmet Terkës.

Ashtu si dhe një ditë më parë, aty ndodhej Shpresa me prindërit. Nëse deri atëherë britmat e njerëzve nga vrundulli i erës mezi vinin e fjalët dëgjoheshin cungueshëm, thirrjet: “Poshtë bllokmenët”, “Të zhduket Blloku famëkeq”, cuditërisht u dëgjuan shkoqur, sikur të shqiptoheshin diku tutje lulishtes që rrethonte vilën e Terkave.

E shoqja e Hiqmet Terkës nuk përmbajti dot një klithmë.

– Po sikur ata të na sulen këtu? – tha ajo si belbane.

-Të thashë, moj grua, në bulevard ruajnë tanket, – iu pergjigj Hiqmet Terka për ta qetësuar.

 – Ata i ka zënë gjaku, mor burrë, e as për tanke nuk pyesin, siç nuk pyetën dje kur rrëzuan Enver Hoxhën.

 I shoqi nuk pipëtiu. Shpresa kundronte herë fytyrën gjatoshe të babait me ballin e lartë e me flokë të rrallë të zbardhur që i bënin dhe më të mplakur se ç’ ishte, herë mamanë me fytyrën pak të ngjallur e mishatake, që mezi përmbahej.

– E atëherë, përse nuk ikim një orë e më parë nga ky i mallkuar Bllok, – shpërtheu papritur Shpresa.

 Babai dhe e ëma këmbyen një vështrim të shpejtë si t’i thoshin njëri-tjetrit: “Mos lajthiti vajza?”

   – Të ikim, baba, të ikim sa më parë pa na dëbuar , – përsëriti Shpresa gati të shpërthente në lotë. – Ku jetojmë, në fund të fundit? Në vilat e tregtarëve, borgjezëve, pasunarëve e nëpunësve të lartë, një pjesë të cilëve u bënë shërbëtorë të fashizmit. Populli dikur i urreu ata e tani po na urren dhe ne, sepse ne u bëmë po aq të urryer sa ata… Të ikim, baba, të ikim sa më parë. Nuk durohet ky ankth që do të na mbysë ndonjë ditë.

– Ç’janë këto që nxjerr nga goja, moj bijë, – tha e ëma me zë qaravitës.

Hiqmet Terka do të donte që ta nxirrte të bijën përjashta, ta dëbonte siç kishte dëbuar dikur djalin,Vullnetin, që i ishtë vënë kundër e, duke gulçuar me vete, nuk dinte ç’të thoshte.

Në çast në dhomë ia behën e shoqja e ministrit të Mbrojtjes dhe e ministrit të Brendshëm, fytyrat e të cilave ishin tërë nur.

– Kuisën sa kuisën , po e mblodhën bishtin dhe ia mbathën, – turfulloi e gazmendur e shoqja e ministrit të Mbrojtjes.

– Dhe, sakën, se do të guxojnë të vijnë përsëri këndej, – shtoi e shoqja e ministrit të Brendshëm. -Po ata delenxhinj kërkojnë që ne të dalim dhe nga Blloku. Thua se ata na kanë sjellë këtu. Po kjo nuk ka për të ndodhur kurrë.

Ajo kundroi nga Hiqmet Terka, dhe e shoqja që rrinin të nemitur, pastaj nga Shpresa me sy tashmë të përlotur dhe iu bë se ata dyshonin në fjalët e saj të fundit.

(Vijon në numrat e ardhshëm)

 

SHKARKO APP